Dosja e Luan Baçit në SPAK, kallëzuesi i shpëtoi 2 atentateve, dyshime për fshehjen e 1.5 milionë eurove dhe pastrim parash, konflikti për resortin Diamond Hill në Vlorë

Krim & Korrupsion

Publikuar: 15/05/2024

Dosja e Luan Baçit në SPAK, kallëzuesi i shpëtoi 2 atentateve, dyshime për fshehjen e 1.5 milionë eurove dhe pastrim parash, konflikti për resortin Diamond Hill në Vlorë

Deputeti i PD-së (linja e Berishës), Luan Baçi është thirrur për herë të dytë në SPAK.

Baçi është parë mëngjesin e sotëm të hyjë brenda ambienteve të SPAK.

Deputeti tha se nuk është thirrur nga Prokuroria e Posaçme, por ka shkuar për një punë personale.

Por, Prapaskena mëson se deputeti Baçi ka një dosje penale në SPAK, ku dyshohet për fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Çështja po hetohet nga prokurorja Enkeleda Millonaj.

Gjatë viteve 2010-2012, Luan Baçi ka hedhur rreth 1.5 milionë euro në kompaninë private Geral AM, para të cilat nuk u dihet burimi dhe nuk janë deklaruar në ILDKPKI. (Në fakt molla e sherrit është kompleksi turistik “Diamond Hill” në Vlorë).

Deputeti i PD ka deklaruar për herë të parë pasurinë në vitin 2012 si drejtor i PD në krye të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, Fier. Baçi ka deklaruar 10 pasuri të paluajtshme, por jo investimin e qindrave mijëra eurove në kompaninë Ger AM.

Kallëzimi ndaj deputetit të rithemelimit të PD mësohet se është depozituar në SPAK nga Aredin Behari, një personazh ky që i shpëtoi dy herë atentatit me armë të Skerdi Tasi dhe Henrik Hoxhaj, krim i financuar kundrejt 80 mijë eurove nga vëllezerit Ardjan dhe Albert Pashaj, pas mosmarrveshjeve për shkak të një borxhi.

Një gjë e tillë është bërë në vitin 2017 dhe në vitin 2019, si shenjë hakmarje për mosmarjen e borxheve financiare.

Aredin Behari, një tregtar nafte në Fier, u shpëtoi dy tentativave për t’a eliminuar.

Aredin Behari pretendon se Luan Baçi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i ka vjedhur pasurinë dhe nuk ka deklaruar të ardhurat si subjekt i ligjit për deklarimin e kontrollit të pasurisë.

Në kallëzim, Behari parashtron se në vitin 2008 ka themeluar dhe ka qenë aksioner i vetëm në shoqërinë “Geral AM” shpk. Më pas ka hyrë në ortakëri me Luan Baçin, ku kanë nisur edhe mosmarrëveshjet.

Konflikti për kompleksin “Diamond Hill” në Vlorë

Konflikti mes Luan Baçit dhe Aredin Beharit lidhe me aksionet tek kompleksi turistik “Diamond Hill”, i cili ndodhet në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë.

Në kallëzim Behari parashtron se në vitin 2008 ka themeluar dhe ka qenë aksioner i vetëm i shoqerise “Geral AM” shpk.

Më 31 shtator 2009 i ka shitur 50 për qind të aksioneve Krienko Memo. Pas kësaj Aredin Behari i ka shitur 10 për qind të aksioneve Elsa Baçi, e cila me prokurën e përgjithshme të datës 15 shkurt 2010 ka emëruar si përfaqësues me tagra të plota bashkëshortin e saj, deputetin Luan Baçi.

Aredin Behari thotë se në 8 korrik 2012 ortakët e “Geral AM” kanë realizuar një marrëveshje.

Ku ortakët kanë rënë dakord që të pranojnë kërkesën e ortakut Aredin Behari, i cili në këtë periudhë, ndodhej në pamundësi financimi, t’i shesë të gjitha pjesët e tij takuese të ambienteve të shërbimit, pishinave, garazheve, dhe pjesëve të tjera ndihmëse të godinës “B” me përjashtim të 21 apartamenteve me sipërfaqe 1,444 m².

Për shkak të pamundësisë së financimit, ortakët kanë pranuar kërkesën e Aredin Beharit për të përdorur veç financimit me para kesh edhe mundësinë e kleringut me nënkontraktorët por me miratimin e dy administratorëve Krienko Memo dhe Aredin Behari.

Në vazhdim të aktivitetit, ortaku Elsa Baçi ka përfituar disa sipërfaqe dhe ambiente në objektin “B” dhe “A” të kompleksit turistik “Diamond Hill” në Vlorë.

Aredin Behari me dëshirën e tij i ka shitur ortakëve Elsa Baçi dhe Krienko Memo tarracën e godinës “A”.

Më 10 Prill 2012 Aredin Behari i ka shitur 40 për qind të aksioneve të tij Krienko Memos, duke u zhveshur nga të drejtat lidhur me ortakërinë.

Krienko Memo dhe Elsa Baçi duke qenë ortakë të vetëm, kanë vazhduar aktivitetin tregëtar duke investuar në kompleksin “Diamond Hill”.

Për sa ka parashtruar, Aredin Behari, pretendon se bashkëhsorti i Elsa Baçi, Luan Baçim në kohën që janë vënë këto pasuri ka qenë Drejtor i Transportit Rrugor Fier dhe se këto pasuri nuk i ka deklaruar në ILDKPKI.

Aredin Behari, pretendon se pasuria e Elsa Baçi në fillimet e aktivitetit tregtar në vitin 2010 ka qenë në shumën 450mijë euro, dhe deri më tani ky aktivitet ka gjeneruar të ardhura për cilat kallëzuesi pretendon se nga të dhënat që disponon Luan Baçi, nuk i ka deklaruar në ILDKPKI dhe se i ka fshehur në rrjedhën e viteve.

Për këtë çështje prokurorja Manjola Kajana ka kryer disa verifikime në ILDKPI, zyra e Transportit Rrugor dhe biznese.

Njëherësh në 6 korrik 2023, ditën kur prokurorja Kajana ka mbyllur dosjen, ka marë në pyetje deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Luan Baçi.

Në deklarimin e tij deputeti Baçi shpjegon se ka ushtruar aktivitet privat që prej vitit 1997. Me tej ai shpjegon historikun e punësimit të tij dhe se në vitin 2007 është emëruar drejtor Rajonal i Rrugëve të Qarkut Fier dhe në vitin 2008-2013 ka kryer detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Fier.

“…nga viti 2013-2017 kam qënë i punësuar pranë resortit “Diamond Hill” dhe më pas në Shtator 2017 e deri më sot, ushtron funksionin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Unë nuk kam ushtruar aktivitet tregtar gjatë periudhës që kam ushtruar funksione publike dhe se gruaja e tij ka patur aktivitet tregtar që në vitin 2000 në Fier…”- ka dëshmuar Luan Baçi.

Deputeti i PD shpjegon edhe mënyrën se si e shoqja ka fituar pronësinë e aksioneve të subjektit “Diamond Hill Resort, subjekt tregtar që ka patur emrin fillestar “Geral AM” dhe me tej “Krienko Group” shpk.

Në vijim të deklarimit të tij Baçi shpjegon se bashkëshortja i ka blerë aksionet dhe se nuk zotëron asnjë pasuri të paluajtshme pranë resortit “Diamond Hill”.

Baçi në dëshminë e tij thotë se Elsa Baçi, ka përfituar pjesën takuese në objektin e ndërtuar sipas kuotës së aksioneve që ka dhe se objektet dhe ambientet në “Diamond Hill” janë pronë e subjektit tregtar dhe aksioneri përfiton të ardhura vetëm nga shitja dhe dividenti.

I pyetur nëse vetë Luan Baçi, ka kryer veprime juridike në emër të subjektit tregtar ku bashkëshortja është aksionere ndër tjera ai deklaron se:

“…Dua të ju shpjegoj, se nga Nentori 2013 deri në Shtator 2017 ku jam zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kam qenë i punësuar në “Diamond Hill” shpk si administrator. Në këtë periudhë kam kryer veprime për këtë subjekt por nuk i kujtoj. Por dua të s’qaroj se unë kam edhe një prokurë nga bashkëshortja ime që të kryej veprime për llogari të bashkëshortes sime, me konkretisht për atë pjesë të aksioneve që ajo posedon, kjo prokurë duhet të jetë bërë diku rreth vitit 2009-2010…”.

I pyetur në lidhje me marrëdhëniet me aksionerët e tjerë të “Diamond Hill” (ish GeralAM) Krienko Memo dhe Aredin Behari, Luan Baçi lidhur me Krienko Memon shpjegon se e ka djalë daje ndërsa për Aredin Behari deklaron se:

“…unë Aredin Beharin e njoh fillimisht si banor të Fierit dhe si person që ka ushtruar biznes pas vitit 1997. Nuk kam patur shoqëri dhe as miqësi me të. Di që Krienko bëri ortakëri me Aredinin për subjektin “Geral AM”, ku më pas bashkeshortja ime bleu aksionet. Kaq di për këtë person. Kujtoj, një herë që kam qenë në tavolinë me Krienkon dhe Aredinin, në periudhën që po negocionim në momentin që Aredini do shiste aksionet…”.

Në deklarimin e dhënë në SPAK deputeti Luan Baçi, shpjegon se për herë të parë Deklarimin e Pasurisë e ka bërë në vitin 2013, pasi me ndryshimet ligjore të vitit 2012, Drejtorët e Drejtorive u bënë subjekte deklaruese.

Menjëherë pas administrimit të dëshmisë së deputetit Baçi, prokurorja e çështjes Manjola Kajana, vendosi të mos fillojë procedimin penal, duke argumentuar se mungon fakti tipik i kondraligjshmërisë penale.

Por, një tjetër kallëzim penal, i referuar po nga Aredin Behari, ka vënë në lëvizje SPAK-un, duke i hapur dosje Luan Baçit.

Prapaskena ka parë provat bashkangjitur kallëzimit penal. Duket se Baçi, këtë herë, do t’a ketë vështirë.