Në dhjetor të vitit 2023, biznesmeni nga Hasi Mehmet Dauti, administrator i kompanisë minerale Elidon-06, ka referuar në SPAK një kallëzim penal për grup të strukturuar kriminal të pretenduar, i cili ka vepruar sipas tij në vjedhjen e kromit, shfrytëzimin e paligjshëm të zonës minerale të quajtur Vllahna Lindore, Has, krime mjedisore, kërcënime dhe plane për vrasje.

Në materialin kallëzues akuzohen 11 kompani minerale, biznesmenë, deputetë, ish ministra, prokurorë, policë etj., si të implikuar dhe përfitues nga aktiviteti i paligjshëm i kartelit të kromit në Has.

SPAK ka kryer një verifikim paraprak të kallëzimit penal me provat bashkangjitur. Nga verifikimi SPAK ka konstatuar mungesën e grupit të struktuar kriminal, ku si rrjedhojë e ka referuar dosjen për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës.



Në një shkresë që mban firmën e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, ky i fundit i kërkon Prokurorisë së Tiranës hetimin e pretendimeve të kallëzuesit Mehmet Dauti dhe nëse gjatë hetimeve konstaton vepra penale dhe subjkete të implikuar që janë në kompetencë të SPAK-ut, dosja të rikthehet në SPAK.
Detaje nga kallëzimi penal
Mehmet Dauti ka fituar në vitin 2009 përmes kompanisë Elidon-06 një leje shfrytëzimi minerare në vendburimin e kromit në vendin e quajtur ‘Vllahna Lindore’ në Has në një sipërfaqe 0.24 km2. Për shfytëzimin e zonës për krom, kompania Elidon-06 kishte lidhur marrëveshje me disa kompani kineze dhe indiane, për të cilat do të flasimin në një artikull tjetër, pasi pronarët e kompanisë indiane janë protagonsitë të një prej skandaleve më të rënda në Shqipëri, në bashkëpunim me Ilir Metën dhe biznesmenenë të skeduar si bosë kokaine.

Në vijim, sipas kallëzimit, në territorin ku kompania “Elidon-06” kishte marrë lejen minerare, ndeshet me disa kompani të tjera, të cilat pretendonin se ishin kufitare dhe pengonin kompaninë Elidon-06 të shfrytëzonte zonën.
Kompanitë e kallëzuara për shfrytëzim të paligjshëm të pasurisë nëntokësore dhe krime mjedisore në Has janë; “ILLYRIA MINERALS INDUSTRY (IMI)”, me administrator shtetasin Akin Atik, “NEZA-2004” me administrator Nenad Nedeljkov, “CAHANI”, administrator Xhavit Cahani dhe shoqëria “INFO METAL PLASTAL” sh.pk, me administrator Besnik Istrefi.
Në kallëzim thuhet se personat që kanë ndërhyrë për spostimin e koordinatave janë Besnik Istrefi, Bardhyl Peka dhe Rexhep Ballmi. Bardhyl Peka identifikohet edhe si kushëri i Çim Pekës, gazetarit në oborrin e Familjes Berisha.
“Këta persona kanë ndikuar drejpërdrejtë në bashkëpunim me zyrtarët e ministrisë që në përfundim të zhvendosen koordinatat e vendburimit minerar ku qëllimi ishte që zona minerare që ne kishim aplikuar të mbetej e lirë dhe të shfrytëzohej nga të kallëzuarit në mënyrë te paligjshme. Po në këtë periudhë, për të prishur marrëveshjet kontraktorë që shoqëria jonë kishte me kompanine kineze dhe indiane kemi marrë kërrcenime edhe me jetë. Konkretisht, shtetasi Nazmi Jahelezi është paraqitur pranë banesës sime në qytetin e Hasit ku ishte 1 shoqëruar nga ish shefi 1 krimeve Azem Alia sëbashku me vëllain e tij Shaqir Alia. Këta persona me janë drejtuar me fjalët “…ose na jepni 150 000 paund ose nu ju lejojmë të shisni kromin te kompanitë kineze dhe indiane”, thuhet në kallëzim.
Akuzohen zyrtarë, deputetë dhe ish ministra
Zhvatja e pasurisë nëntokësore në Has dhe krime të rënda kundërmjesit pretendohet se ka ndodhur nga viti 2009 deri në vitin 2023. Në materialin kallëzues pretendohen se në këtë veprimtari të paligjshme janë implikuar dhe kanë përifituar me veprimet dhe mosveprimet e tyre ish ministri i Brendshëm Flamur Noka dhe ish zv.ministri Avenir Peka, të cilët në kohën kur ishin në pushtet, sipas kallëzuesit, kanë mbështetur subjektet tregtare të lartpërmendura për të shfrytëzuar të qetë vendurimin minerar Vllahna Lindore pa patur një leje shfrytëzimi.
Në kallëzim denoncohet ish kryetari i Bashkisë Has Bardhyl Peka, i cili ka mbështetur shoqërinë Info Metal Plast pasi me administratorin e kësaj shoqëria ka lidhje familjare.
Ish kryetari i Bashkisë Has Adem Lala, aluzohet se ka mbështur shoqërinë “BLERIMI KOSTURR 2010 “sh.p.k, e cila ka shfrytëzuar vendurimin minerar pa leje.
Në të njëjtën linjë, sipas kallëzuesit kanë qënë edhe ish funksionarë të Policisë së Shtetit si Agron Kuliçi, Gëzim Ngjeci, Bashkim Ngjeci dhe Ilir Qarri, të cilët kanë ndihmuar dhe mbështetur kompanitë e kromit.
Akuzohen si të implikuar ish ministri i Energjitikës, Genc Ruli si dhe ish ministri i Financave Ridvan Bode.
Kryetari i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë Ilir Zhilla dhe Ridvan Bode denoncohen se janë agazhuar për të larguar investitorë të huaj të cilët kishin kontrata me shoqërinë “Elidon-06”, për t’u hapur rrugë kompanive të tjera për të shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme zonën minerare Vllhana Lindore.
Në kallëzim thuhet se Rexhep Ballmi, ish drejtori së Sigurimeve Shoqërore, ka qënë në mbështetje të shoqërisë “INFO METAL PLAST-AL” sh.p.k ku e ka ndihmuar që kjo e fundit të shfrytëzojë vendburimin minerar pa u pajisur me një leje shfrytëzimi.
Besim Sakajani, ish punonjës policie pranë Drejtorisë së Policisë Kukës, ka qënë në mbështetje të shoqërive të mësipërme për shfrytëzimin e vendurimeve minerare në mënyrë të paligjshme.
Sipas kallëzimit, ish prokurori Xhevahir Lita, i arrestuar nga SPAK si ushtar i Behar Bajrit, ka mbështetur paligjshmërinë e vjedhjes së kromit nga kompanitë e denoncuara.
Ish prokurori Shpëtim Kurti denoncohet se ka mbështetur të kallzuarit për të arritur qëllimet e tyre kriminale, duke ndikuar te prokurorja e çështjes Antoneta Sevdari për të bërë të mundur goditjen e palës kundërshtare.
“Ish prokurori Xhevahir Lita ka mbështetur në shfrytëzimin e paligjshëm të kromit ish administratorin e shoqërisë “NEZA-2004” Hasan Neza sëbashku me vëllain e tij Selim Neza të cilët kanë shfrytëzuar vendburimet minerare sikur të ishin pajisur me leje minerare. Në vazhdim duam të përmendim shtetasin Ardian Geca (punonjës policie), i cili për interesa të të kallëzuarve ka porositur persona për të më dalë në pritë për të bërë të mundur ekzekutimin tim. Këto veprime i ka realizuar në bashkëpunim me shtetasin Gazment Kabashi, Zamir Peka (vëllai ish zv ministrit të Brendshëm Avenir Peka) dhe Jabir Calani….”,thuhet në kallëzimin penal.
Në materialin kallëzues përmendet edhe Shpresa Breçani, mbesë e ish-kryeministrit Sali Berisha, një personazh i lakuar për mbajtjen e bilanceve të kompanive të akuzuara për punë të pista. Shpresa Braçani, e cila doli në pah si eksperte kontabël e kompanive të sekserit të Familjes Berisha Damir Fazlliç, referohet në kallëzim si eksperte që mban bilancet e disa prej kompanive të kromit që shfrytëzojnë në mënyrë të paligjshme zonat minerale në Has.















