Rama mesazh Prokurorisë së Tiranës, i kërkon të ndëshkojë Irfan Hysenbelliun për evazion fiskal, 80 kallëzime për kokat e mashtrimit me taksa, asnjë i ndëshkuar

Kryesore

Publikuar: 07/05/2024

Rama mesazh Prokurorisë së Tiranës, i kërkon të ndëshkojë Irfan Hysenbelliun për evazion fiskal, 80 kallëzime për kokat e mashtrimit me taksa, asnjë i ndëshkuar

Kreu i ekzekutivit Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zhvilluar me deputetët dhe minsitrat, kritikoi punën e Prokurorisë së Tiranës.

Duke e krahasuar me SPAK, Rama tha se prokuroria e Tiranës nuk ka bërë asnjë reagim për 80 raste të evazionit fiskal ku janë shmangur miliona euro detyrime nga persona që ndryshe konsiderohen si “oligarkë”.

“SPAK dhe prokuroria e Tiranës janë në distancë fizike më pak se 1 km. Në SPAK kërkohet llogari edhe për një punonjëse të thjeshtë për një procedurë tenderi, në prokurorinë e Tiranës mbrohet evazioni fiscal. Janë 80 raste. Tani e kam humbur edhe numërimin. Raste që flenë prej vitesh në Prokurorinë e Tiranës për evasion fiskal. Ndër ato raste ka edhe nga ata që ndryshe quhen oligarkë, i kemi çuar ne. Bëhet fjalë për qindra milioan euro të shmangura nga detyrimet tatimore. Tjetër drejtësi në SPAK tjetër drejtësi atje në prokurorinë e Tiranës. Nuk ka mal me dosje që e tund evazionin fiskal që e ka bërë strehë prokurorinë e Tiranës”, tha kryeministri.

Mesazhi i Ramës tingëllon për ish klientin e tij Irfan Hysenballiun, përfitues i parave dhe pasurive publike, i njohur si personazh problematik sa i takon raportit me taksat.

Ndaj Irfan Hysenbelliut dhe kompanive të tij ka disa kallëzime penale për evazion fiskal dhe mashtrim me taksat. Edhe pse kallëzimet janë në kuadër të ndëshkimit të Irfanit nga Rama, ato përmbajnë fakte dhe elemente të shumta penale.

Pas zgjedhjeve të 2021, Rama ndëshkoi Irfanin, me të cilin hante e pinte te hoteli i tij në Golem.

Ndëshkimi erdhi pasi Irfani duket se nuk e llogariti forcën e Ramës në pushtet, kur tentoi të merrte disa favore përmes përdorimit të mediave të sij si mjet presioni dhe shtrëngimi ndaj ministres Belinda Balluku, drejtorit të Tatimeve dhe Doganave.

Reagimi i Ramës ishte i ashpër dhe sakatues për Irfanin në askpektin ekonomik.

Duke ndëshkuar Irfanin, Rama u dha një mesazh edhe oligarkëve të tjerë mediatikë si dhe oligarkëve të mirfilltë, që të mos ‘mos e luanin bishtin’, por të shijonin në heshtje plaçkën publike që Rama u jepte.

Pas ‘mësimit’ me pasoja të rënda, Irfani po tenton të afrohet me Ramën, por duke se mungon vullneti i Ramës, i cili sot i kërkoi Prokurorisë së Tiranës të ndëshkojë bosët e evazionit fiskal, të cilët ndryshe nga shumica e shqiptarëve, nuk paguajnë taksa dhe fshehin të ardhurat, veprimtari e cila është e njëjtë me korrupsionin.

Gjithsesi, Rama nuk besohet se e ka seriozisht luftën kundër evazionit fiskal. Nëse do t’a kishte seriozisht, mund të mbledhë Kuvendin dhe ketë vepër penale t’a kalojë në kompetencë të SPAK.

Vetëm SPAK mund të godasë kartelin e shmangies së taksave. Prokuroria e Tiranës vetëm sa u merr ndonjë bakshish për t’u mbyllur dosjet, siç ishte rasti i një bosi nafte, i cili pagoi 300 mijë euro për të mbyllur dosjen flagrante.