Provimi dhe pranimet në Shkollën e Magjistraturës çdo vit mbahen “sekret”.
Për këtë event të rëndësishëm nuk flet askush. Kalon pa bujë procesi i rekrutimit për kandidatët për gjyqtarë e prokurorë që po mbushin radhët e “drejtësisë” së re, pasi u shkallmua e vjetra me vetting.
Çdo vit, pranimet në “magjistraturë” të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj kalojnë në heshtje, pa bujë, pa kontestime publike, as mediatike.
Ndërkohë që duhet të ishte e kundërta.
Zëvendësuesit e “Gjin Gjonëve”, “Agron Zhukrëve” apo “Adriatik Llallave” duhet të ishin në fokusin e opinionit publik dhe mediatik.
Ashtu si u bë këto vite me ata që u vetuan, apo kur u fokusua puna e vetuesve të tyre, në KPK dhe KPA.
Kush i ka mbushur radhët e drejtësisë së re këto vite, pra, klasat e Shkollës së Magjistraturës që më pas do jenë gjyqtarët dhe prokurorët e Sistemit të Drejtësisë, që zëvendëson të vjetrin?
Nga vijnë?
Çfarë përfaqësojnë?
A janë në lartësinë e pritshmërive publike kandidatët që më pas do emërohen prokurorë e gjyqtarë që do japin drejtësinë e shumëkërkuar?!
Përse nuk komenton askush në gjithë këto vite, a thua se ky është një proces rutinë, sikur po pranohen studentë te “Kristali”?!
Po “tutorët” që vendosin për kuadrot e reja të sistemit të drejtësisë së reformuar kush janë?
Vetë procesi i provimit, korrigjimit, më pas i rivlerësimit (vetting-ut) të kandidatëve a është i ndershëm?
Është e vërtetë që njoftimet në faqen e Shkollës së Magjistraturës janë publike, ashtu si konsultimet publike që bën qeveria në faqen e https://konsultimipublik.gov.al/, për çdo projektligj.
Po në fund, ligjet miratohen ashtu si të gjithë e dimë, si do Qeveria. A ndodh e njëjta gjë me pranimet në Shkollën e Magjistraturës?
Provimi i pranimit për vitin akademik 2024-2025, do nxjerrë 20 gjyqtarë dhe 25 prokurorë, sipas njoftimit të Shkollës së Magjistraturës në faqen e saj- https://www.magjistratura.edu.al/sq/lista-e-konkurrenteve-me-numrat-e-scantronit-per-provimin-e-pranimit-viti-2024-2025. Kandidatë do jenë 442, sipas link-ut të emrave.
Provimi do të organizohet me shkrim në dy faza. Faza e parë zhvillohet nesër datë 22 prill 2024, ora 8.00-13.00 tek Pallati i Kongreseve në Tiranë. Faza e dytë, zhvillohet në datë 24 dhe 25 prill 2024, ora 8.00-13.00 tek “Tirana Olimpik Park” ku ndodhet FSHF., tek Salla e lojrave me dorë “Feti Borova”, në vendin ku zhvillohen aktivitete dhe ndeshje sportive basketbolli apo volejbolli.
Parku Olimpik është nën kujdesin dhe ruajtjen e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, në varësi të Bashkisë Tiranë.
Prapaskena do vëzhgojë me kujdes këtë aktivitet josportiv me rëndësi madhore për të ardhmen e vendit, prapaskenat dhe kulisat e zhvillimit të tij.
Prokurorët dhe gjyqtarët e rinj, emëruar këtyre viteve, nuk janë thjesht juristë që plotësojnë vendet vakante të boshatisura nga vettingu reformues. Ata janë shpresa për ringjalljen e gjithë sistemit juridik dhe politik në Shqipëri.
Ndaj me një seri artikujsh, faktesh dhe emrash do analizohet dhe ekspozohet për herë të parë procesi “i heshtur”, procesi i zëvendësimit të Drejtësisë së vjetër, me të renë.
Salla “Feti Borova” e lojërave me dorë në Tiranë do jetë stacioni i parë. SALLA “FETI BOROVA”
Lista e plotë e kandidatëve





