E rëndë / Altin Dumani: Nuk bashkëpunojmë dot me policinë pasi është kapur nga krimi i organizuar

Krim & Korrupsion

Publikuar: 04/04/2024

E rëndë / Altin Dumani: Nuk bashkëpunojmë dot me policinë pasi është kapur nga krimi i organizuar

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, gjatë raportimit për veprimtarinë vjetore të SPAK para KLP-së, ka bërë sot një nga deklaratat më tronditëse, e cila duhet të shkundte shtetin dhe pushtetin.

Dumani tha se SPAK nuk bashkëpunon dot me policinë, pasi pasi segemente të policisë, madje kupola e saj, bashkëpunon me krimin e organizuar.

Krue i SPAK tha se dosje të SPAK, duke iu referuar me sa sa duket Metamorfozës dhe çështjeve nën hetim, tregojnë se drejtues të lartë të policisë janë implikuar në krim të organizuar.

Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe cështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me BKH-në. Patjetër që bashkëpunojmë me policinë dhe kemi bashkëpunim të ngushtë” tha Dumani para KLP-së.

Dumani theksoi se SPAK po ndjek një metodë, duke shkatërruar në themel grupet kriminale.

Në lidhje me hetimin e krimit të organizuar SPKA ka ndjekur strategjinë e hetimit shterrues duke synuar shkatërrimin përfundimtar të tyre”, tha Dumani.  

Institucionet nuk bëjnë kallëzime penale

Mes të tjerash, Dumani tha se përveç policisë së shtetit, insitucionet e tjera nuk referojnë në SPAK vepra penale me natyrë korruptive apo të tjera.

“Përjashtuar policinë e shtetit, institucione të tjera që edhe ata pjesë të detyrave e kompetencave të tyre kanë dhe luftën kundër korrupsionit, qoftë të nivelit qendrore apo lokal nuk referojnë në SPAK veprat penale në natyrë korruptive apo vepra të tjera penale. Ky është shqetësim, pasi SPAK i vetëm nuk mund të adresojë dhe përballojë luftën kundër korrupsionit apo vepra të tjera penale që kryhen nga subjekte që mbajnë një funksion shtetëror.

Është e nevojshme dhe domosdoshme forcimi i bashkëpunimit dhe rritja e numrit të referimeve nga institucionet e tjera. Ne si strukturë, BKH apo SPAK jemi shumë të hapur e shumë bashkëpunues me të. Cilido institucion e ka konstatuar këtë. Në çështje të natyrës sensitive ne vëmë në dispozicion të gjithë mjetet teknike të rastit, por secili institucion duhet të bëjë detyrën e vet. Institucionet që kanë për detyrë edhe dhe luftën kundër korrupsionit duhet të jenë të vëmendshëm dhe të rrisin referimet për veprat penale si korrupsion, shkelje të barazisë në tendera”, shtoi kreu i SPAK.

Dumani bëri me dije se në krahasim me vitin 2022, këtë vit ka pasur ulje me 40% të referimeve për korrupsion nga institucionet publike.

Dumani ngriti shqetësimin se institucionet shtetërore nuk po bashkëpunojnë me SPAK për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Duhet nënvizuar se bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimit të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar policinë e shtetit ky numër është mjaft i ulët për vitin 2023 me vetëm 12 raste të referuara. Referimi nga këto institucione ka një tendencë të fortë rënie, që shkon deri në 40% krahasuar me vitin 2022. SPAK ka mbajtur të njëjtën qasje në 3 vitet e fundit”, tha Dumani.