Avokati që shiti Karaburunin, dosje për pastrim parash. Oligarkë e banditë ndajnë pyjet nga Zvërneci deri në Fier. I vihet syri edhe Shkollës së Marinës. Pas ‘peshkaqenit’ Petritaj qëndron një mafioz i vjetër. Po SPAK-u?

Krim & Korrupsion

Publikuar: 01/04/2024

Avokati që shiti Karaburunin, dosje për pastrim parash. Oligarkë e banditë ndajnë pyjet nga Zvërneci deri në Fier. I vihet syri edhe Shkollës së Marinës. Pas ‘peshkaqenit’ Petritaj qëndron një mafioz i vjetër. Po SPAK-u?

Enkes Hysendhima dhe Pëllumb Petritaj, i pari i pandëshkuar dhe i dyti i dënuar tre herë, janë identifikuar nga Prokuroria si një nga kokat e mafies së tjetërsimit në Vlorë.

Dyshja Hysendhima dhe Petritaj janë akuzuar edhe për grabitjen dhe shitjen më pas të pronave me vlerë qindra mijëra euro në Zvërnec dhe Karaburun.

Hysendhima dhe Petriti janë akuzuar nga Prokuroria edhe për falsifikimin e dokumentave për gadishullin e Karaburunit, ku u tentua të zaptohej Gjiri i Shën Vasilit, pronë e cila kapte një vlerë prej 210 milionë eurosh.

Hysendhima, për të cilin Prokuroria kërkoi 24 vite burg, i shpëtoi ndëshkimit në mënyrë të dyshimtë, ndërsa simboli i mafies së pronave Pëllumb Petriti ia ka hedhur me vetëm disa vite burg.

Avokati Enkes Hysendhima ka edhe një dosje tjetër për pastrim parash me gjyqtaren e Vlorës, Viola Canaj. Nëse nuk e ka mbyllur ende, me shumë gjasa, edhe këtë çështje, Hysendhima do t’a arkivojë, duke shpëtuar siç i shpëtoi ndëshkimit penal si koka e skemës së tjetërsimit me pronat.

SPAK është fokusuar te grabitja e 5 mijë m2 tokë në Himarë, ku do të ndërtojë një resort Artan Gaçi, duke mbyllur në burg Jorgo Goron. SPAK do t’i bënte një shërbim Shqipërisë dhe shqiptarëve nëse do të hapë dosjet e zhvatjes së pronave nga Saranda në Velipojë, me letra false, korrupsion, forcë, shantazhe dhe veprim në formën e grupit kriminal.

Prapaskena ka informacion që një mafioz i vjetër në Vlorë, për të cilin do flasim në vijim, ka grabitur një pjesë të mirë të pronave në Zvërnec, mbi 500 hektarë me letra false, me ndihmën e ‘peshkaqenit’ Pëllumb Petritajt, me falsifikime, shantazh, ryshfet etj.

I është vënë syri edhe Shkollës së Marinës në Vlorë, për t’u hedhur dhjetëra milionë euro para të pista, për të ndërtuar një resort. Madje mësohet se në tavolinën e Ramës janë disa projekte për hotelin që planifikohet të ngrihet te Shkolla e Marinës.

Vitet e fundit, madje deri javët e fundit, janë ndarë mes oligarkëve dhe banditëve pronat përreth aeroportit të Ri të Vlorës.

Oligarkë që Vlorën e kanë parë për herë të parë pasi kanë mbushur 50 vjeç, janë bërë pronarë të sipërfaqeve të mëdha pronash nga Zvërneci deri në Fier.

Janë ndarë pyjet, që digjen ‘rastësisht’ dhe ndërhyrja bëhet me vonesë. Është tjetërsuar me letra false, shitur dhe rishitur zona nga Zvërneci deri në Fierë.

Pëllumb Petritaj, tre dënime, zaptoi Karaburunin e Zvërnecin

Për herë të parë, Pëllumb Petritaj u dënua në vitin 2018 me 3 vite burg nga Gjykata e Vlorës si koka e një grupi që kishte falsifikuar pronësinë e 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve të tjerë në Zvërnec. Vetë Petritaj kishte kaluar në emrin e tij 150 hektarë.

Dënimi i dytë është dhënë nga e njëjta gjykatë, në 24 janar 2020, ku Petritaj u dënua me 5 vite e 4 muaj burgim, për të njëjtat akuza, pasi kishte kryer tjetërsimin e 100 hektarëve tokë në Zvërnec. 

Biznesmeni Pëllumb Petritaj u dënua për herë të tretë me 15 vite burg në vitin 2020 së bashku me ish-kryeregjistruesen e hipotekës së Vlorës, Blerina Brahimi (Dhrami) për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar rezultoi se dënimi përfundimtar për Petritaj është lënë 10 vite burgim. Për Petritajn, prokuroria kishte kërkuar gjatë dhënies së pretencës, një dënim prej 20 vite burgim.

Prokuroria kërkoi 24 vite burg për Hysendhimën

Në dosjen e parë të vitit 2018, Gjykata e Vlorës dha 42 vite burg për mafien e pronave, por shpalli të pafajshëm avokatin Enkes Hysendhima, i cili akuzohej nga Prokuroria e Vlorës si një ndër protagonistët e falsifikimit dhe tjetërsimit të pronave.

Duke e identifikuar si kokën e skemës,
Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Hysendhimës me 24 vjet burg.

Prokuroria e Vlorës është vlerësuar se ka vepruar dhe mbrojtur interesin publik, duke ndëshkuar kartelin mafioz të pronave në Vlorë, ndonëse koka e skemës u shpëtua nga gjykata.

BIRN: Varrimhësi që u bë pronar i “Shën Vasilit”

Raimond Mëzi me profesion varrmihës jeton në një shtëpi të varfër në lagjen “Partizani” në Vlorë. Sipas një vendimi të Gjykatës së Vlorës të datës 29 Dhjetor 2000 nga gjyqtari Thoma Nika, Mëzi rezulton të jetë pronari i një sipërfaqe toke prej 220 hektarësh në gjirin piktoresk të “Shën Vasilit” në gadishullin e Karaburunit.

Ka vetëm një problem: vendimi i gjykatës që e bën Mëzin pronar të pronës që kap një vlerë tregu prej 210 milionë euro është i falsifikuar.

Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, krijimi  i dosjeve gjyqësore me procese që nuk janë zhvilluar kurrë,  falsifikimi i dokumenteve arkivorë e më pas certifikim të tyre në institucionet shtetërore është pjesë e një skeme kriminale të zbuluar nga Prokuroria e Vlorës në vitin 2016-të. Sipas Prokurorisë, mbi 314 hektarë tokë është përfituar në zonën e Karaburunit dhe Zvërnecit e më pas është shitur tek të tretë.

Ndër dosjet e falsifikuara rezulton  një vendim i gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi – i vrarë në vitin 2011 në Vlorë me një sulm me ekspoliziv i tipit mafioz – dhe të një gjyqtari tjetër Qatip Bylykbashi, i cili rezulton të ketë ikur nga Shqipëria që në fillim të vitit 1990.

Për të hetuar dyshimet për manipulimet me pronat në qarkun e Vlorës, në Gusht të vitit 2015-të, kryeministri Edi Rama urdhëroi ngritjen e një task –force ndër-institucionale, nëpërmjet së cilës ai premtoi se institucionet do të hidheshin në kundërsulm ndaj grabitësve dhe falsifikatorëve të pronës. Nga viti 2015-të deri në vitin 2017-të Agjencia e Trajtimit të Pronave ka kallëzuar në prokurori 35 raste të tjetërsimit të pronës nëpërmjet falsifikimit, raste për të cilat nuk ka asnjë vendim përfundimtar nga gjykatat shqiptare.

Hetimi për falsifikimin e pronave në Karaburun është një nga çështjet e evidentuara nga task-forca ndërinstitucionale. Në Shkurt 2016-të Prokurori Albert Kuliçaj urdhëroi arrestimin e disa të dyshuarve, përfshirë Raimond Mëzin, avokatin e tij Enkes Hysendhima, ish punonjësen e hipotekës së Vlorës Blerina Dhrami, noteren Belona Seraj, si dhe u vendos  masa e sigurisë “detyrim për paraqitje” dhe “pezullim nga detyra” për  Donika Besimaj- përgjegjëse e arkivës në Gjykatën e Vlorës- si e dyshuar në këtë skemë të falsifikimit të dokumenteve. Ndërkohë në kërkim është shpallur dhe biznesmeni Pëllumb Petritaj, i cili nuk është ndaluar akoma nga Policia e Shtetit.

Më shumë se 1 vit më vonë, Prokuroria e ka akoma çështjen e bujshme nën hetim ndërkohë që të gjithë të dyshuarit që u arrestuan një vit më parë, përfshirë Raimond Mëzi, tashmë janë liruar me urdhër të prokurorisë. I sapo dalë nga burgu, Mëzi i tha BIRN se ai nuk kishte lidhje me falsifikimet e bëra dhe ishte thjeshtë një viktimë. Prokuroria e Rethit të Vlorës u tregua e rezervuar për dhënien e informacionit sepse çështja është akoma nën hetim, por sipas dokumenteve që BIRN disponon emri i Mëzit duket se është përdorur vetëm për sigurimin e pronës e cila më pas është shitur nga avokati Enkes Hysnedhima, falë një prokure përfaqësimi.

Sipas Mëzit, në vitin 1994 i ati Jakupi, kishte bërë një kërkesë në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për rikthim e një sipërfaqe prej 6,600 metra katrorë të konfiskuar nga regjimi komunist në qytetin e Vlorës.

Bazuar në këtë kërkesë të Jakupit, në Gjykatën e Vlorës është gjetur një vendim i atribuar gjykatësit Thoma Nika me datë 29 Dhjetor 2000, që e bën Raimond Mezin pronar të 220 hektarëve tokë në Karaburun. Në Tetor 2012-të, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është bërë një kërkesë për ta regjistruar këtë pronë në emër të Raimondit, ndërsa 2 vjet më vonë prona i është shitur palëve të treta. Prokuroria dyshon se e tërë dosja gjyqësore është falsifikuar pasi gjyqtari Thoma Nika ka deklaruar se kurrë nuk ka zhvilluar një proces të tillë gjyqësor në vitin 2000. Mëzi i ka deklaruar prokurorëve se dokumentet e shitjes në zyrën e noterit i ka firmosur në fletë të bardhë.

Avokati Enkes Hysnedhima, i cili ndryshe nga Mëzi jeton në një vilë luksoze në qytetin e Orikumit, i tha BIRN se procedurat e ndjekura nga ai janë ligjore. Ai mohoi të ketë njohje me përfituesit e pronës dhe shprehet se thjesht ka përfaqësuar klientin e tij Raimond Mëzi, në të gjithë  transaksionet e kryera.

Ku është sot Enkes Hysendhima?

Ai vazhdon i pashqetësuar punën si avokat në mënyrë të pashqetësuar duke patur sa një çështje penale një tjetër, ku më e fundit është ajo e pastrimit të parave me disa persona të tjerë. Siç duket edhe njoftimi i gjykatës së Vlorës, çështja do të gjykohet me objekt , “Pastrim i produkteve të veprës penale”. Sipas burimeve nga gjykata e Vlorës, gjykatësja Vjola Canaj ka miqësi me avokatin e akuzuar për vjedhjen e tokave të Karaburunit dhe pritet që në vazhdimësi vendimi të jetë në favor të tij. Sipas burimeve, vendimi i gjykatëses Canaj po shikohet me kujdes edhe nga organet ligjzbatuese pas informacioneve që kanë shkuar për favorizimin e këtij të fundit ndërsa po ashtu është vënë në djeni dhe dhoma e avokatisë për akuzat që rëndojnë për avokatin e famshëm për bëmat e tij.