Jorgo Goro i ka dhënë kreut të Këshillit Bashkiak 10 ha park- pyll në Qeparo për resort si dhe 20 ha për gurore në Borsh

Kryesore

Publikuar: 31/03/2024

Jorgo Goro i ka dhënë kreut të Këshillit Bashkiak 10 ha park- pyll në Qeparo për resort si dhe 20 ha për gurore në Borsh

Përveç dosjes së tokës me letra false që i dha Olta Xhaçkës për resort, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë zbuluar se ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, ka dhënë shumë sipërfaqe të tokave të tjera shtetërore për funksionarë të pushtetit të PS.Rasti i parë, janë 10.3 hektarë sipërfaqe pyll- park natyror përballë detit në fshatin Qeparo, që Jorgo Goro ia ka dhënë kryetarit të Këshillit Bashkiak të Himarës, Dhimitër Kapaj, nëpërmjet emrit të motrës Bule Kapaj.Në muajin mars 2021, Jorgo Goro i ka kërkuar Ministrisë së Turizëm- Mjedisit, Ministrisë së Bujqësisë e Ministrisë Ekonomisë, miratimin për të zhvilluar si pikë turistike me subjekt privat, të një sipërfaqeje 10.3 hektarë në dy parcela, të pyllit- park “Gjomollë” në fshatin Qeparo.

Më 8 qershor 2021, Bashkisë së Himarës i është miratuar kërkesa për ta zhvilluar atë pjesë parku- pyll në Qeparo; dhe Jorgo Goro e ka paraqitur menjëherë si “ide” në Këshillin Bashkiak.Më 15 qershor 2021, shtetasja Bule Kapaj, motra e Kryetarit të Këshillit Bashkiak të Himarës, Dhimitër Kapaj, krijon firmën “Abeille’s Resort Sh.p.k” dhe shpreh interesin për biznes kamping e resort në pyllin-park të “Gjomollës” përballë detit në fshatin Qeparo.

Për ta maskuar si gjoja dhënie me procedurë të rregullt, Jorgo Goro inskenon studim-projektimin e projektit turistik, plan-biznesin, efektet mjedisore, konsultimin publik etj.Në qershor 2022, miratoi në parim në Këshillin Bashkiak, dhënien e kësaj sipërfaqeje pyll-park, vendim i cili miratohet nga Këshilli i Qarkut-Vlorë dhe iu hap rruga e dhënies me qira.Më 18 korrik 2022, Jorgo Goro shpalli ankandin për dhënien me qera të kësaj sipërfaqjeje, duke lënë vetëm 4 ditë afat për zhvillimin e tij, sikur ishte çështje për zgjidhje emergjente, kur ligji parashikon jo më pak se 2 muaj dhe me jo më pak se 3 pjesmarrës në ankand.

Më 22 korrik 2022, Jorgo Goro zhvilloi ankandin, vetëm me pjesëmarrjen e firmës “Abeille’s Resort” të Bule Kapaj, motrës së Kryetarit të Këshillit Bashkiak të Himarës, Dhimitër Kapaj, duke e shpallur fituese për 10.3 hektarë pyll- park në Qeparo, me çmim qiraje 9.5 lekë/m2 në vit.Pra, Jorgo Goro i ka dhënë pusuri publike, kryetarit të Këshillit Bashkiak të Himarës, që i ka miratuar çdo pazar, megjithëse ligji e ndalon si konflikt të hapur interesi, madje ia ka dhënë me skenar të parapërgatitur e çmime qesharake, 9.5 lekë/m2 qira në vit.Projekt- biznesi që ka miratuar ish-kryetari Jorgo Goro dhe këshilli bashkiak Himarë, në favor të krye këshilltarit Dhimitër Kapaj, ka si objekt ndërtim kamping-resort me doina hotelerie druri+ betoni e mjedise argëtimi, ndërsa brenda afatit 10 vjeçar me qira, këto 10.3 hektarë park-pyll, ai ka të drejtë t’i kërkojë e ti marrë me kontratë 1 Euro si “Investitor strategjik”.Me të njëjtën skemë, por pa ankand, Jorgo Goro i ka dhënë krye këshilltarit të Himarës, Dhimitër Kapaj, edhe 20 hektarë kodër në fshatin Fterrë-Çorraj të Borshit, përmes firmës së tij “Stone Cream Sh.p.k”, për biznes prodhim guri, mermeri e inerte.

Madje procedura, është bërë aq qesharake, sa më 19 shtator 2023, Jorgo Goro ka njoftuar banorët e zonës, për një konsultim publik me drejtues të bashkisë e këshillit bashkiak dhe firmës “Stone Cream Sh.p.k”, kur kjo firma është e kryetarit të Këshillit Bashkiak të Himarës, Dhimitër Kapaj.Ka fakte të tjera, nga kodrat që po rrafshon krye këshilltari i Himarës, Dhimitër Kapaj në Vlorë-Himarë, por dhe pika karburanti, hotele e biznese të tjera pa leje e pa bilance tatimore./Pamfleti