Fakte penale / Skema e zhvatjes së psikologëve nga Valbona Treska. Përvetësim kompetencash, mashtrim, shpërdorim detyre dhe arbitraritet

Krim & Korrupsion

Publikuar: 23/03/2024

Fakte penale / Skema e zhvatjes së psikologëve nga Valbona Treska. Përvetësim kompetencash, mashtrim, shpërdorim detyre dhe arbitraritet

Më datë 19 mars 2024, në faqen e Facebook të Urdhrit të Psikologut u njoftua që do të nisin aplikimet për regjistrimin e psikologëve në provimin e rilicencimit, ku duhet të regjistrohen psikologët të cilëve u ka përfunduar afati i licencës dhe nuk kanë plotësuar numrin minimal prej 100 kreditesh, që nevojiten për rilicencim.

Sigurisht që ky njoftim është publikuar me miratimin e ish-Presidentes së shkarkuar nga detyra, Valbona Tresks, e cila me bekimin e Këshillit Kombëtar të Urdhrit, vijon të mbajë detyrën në shkelje të ligjit, sigurisht në shpërdorim të detyrës.

Deri këtu çdo gjë duket në rregull, por çfarë nuk shkon në këtë çështje?

Së pari, mënyra e njoftimit. A nuk ka një regjistër Urdhri i Psikologut për të evidentuar psikologët të cilëve u ka mbaruar afati i licencës dhe mund t’i njoftojë individualisht ata nëpërmjet mail-it?

Lajmërimi në facebook nuk përbën akt zyrtar njoftimi.

Përse duhet të priste Urdhri i Psikologut që psikologëve t’u mbaronte afati i licencës që të vijonte të shpalltte kryerjen e provimit të rilicencimit? Por ky është problemi më i vogël.

Pyetja është a ka ligjërisht të drejtë Urdhri i Psikologut të kryejë një proces të tillë, si provimi i rilicencimit?

Le të shohim në fillim numrin e krediteve që i duhen psikologëve për t’u rilicencuar.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 624, datë 29.7.2020 ‘’Për kriteret dhe procedurën e programit të certifikimit të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror’’, një psikologu i nevojiten 60 kredite për t’u rilicencuar, pasi një psikolog cilësohet si profesionist i kujdesit shoqëror.

Ateherë përse Urdhri i kërkon psikologëve 100 kredite për rilicencim? Nga doli kjo shifër?

Urdhri i Psikologut i ka dhënë vetes të drejtën për të marrë në provim këta psikologë, të cilët nuk kanë plotësuar numrin prej 100 kreditesh për rilicencim, kundrejt një pagese të caktuar për të hyrë në provim dhe kundrejt pagesës prej 200 lekësh për kredit të munguar.

P.sh., nëse mungojnë 20 kredite duhet ti paguash Urdhrit 4000 lekë.

Por le t’i kthehemi legjitimitetit të Urdhrit për të zhvilluar provim rilicencimi.

A ka tagër Urdhri i Psikologut të marrë në provim për efekt rilicencimi psikologët?

Zakonisht janë institucionet e arsimit të lartë që kanë të drejtë të vlerësojnë dijet me anë të provimit apo testimit dhe në fund të lëshojnë një akt që e vërteton këtë fakt.

Një pikëpyetje e madhe se ku e fitoi Urdhri i Psikologut këtë të drejtë, mbi çfarë baze ligjore?

Në bazë të nenit 44 ligjit nr. 121/2016, ‘’Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë’’ flitet për Bordin e Edukimit të Vazhdueshëm, i cili ngrihet pranë ministrisë përgjegjëse për ndihmën dhe shërbimet shoqërore, kryesohet nga ministri përgjegjës për ndihmën dhe shërbimet shoqërore dhe ka në përbërje një përfaqësues edhe nga Urdhri i Psikologut.

Ky Bord është krijuar në datën 28.04.2023 dhe Urdhri i Psikologut nuk e ka dërguar përfaqësuesin e tij, pavarësisht ftesës për pjesëmarrje.

Në përshkrimin e funksioneve që ka ky bord, në pikën 3, shkronja dh) përcaktohet; Bordi ndërmerr masat e nevojshme për realizimin e provimit të ricertifikimit për të gjithë profesionistët e shërbimeve të kujdesit shoqëror që nuk përmbushin kërkesat e programit të certifikimit.

Pra ligji është i qartë; Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm nëpërmjet ASCK, në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë kryen këtë provim për efekt rilicencimi. Urdhri i Psikologut nuk ka asnjë të drejtë ligjore të kryejë asnjë lloj provimi.

Urdhri i Psikologut, ashtu siç ka vepruar që nga krijimi i tij, vijon të zgjerojë veprimtarinë e tij në zaptimin e të drejtave ligjore të institucioneve të tjerë.

Por, habia më e madhe është fakti që këta institucione si p.sh. Bordi i Edukimit në Vazhdim, që kryesohet nga nga ministri përgjegjës për ndihmën dhe shërbimet shoqërore, aktualisht dhe ministër i shëndetësisë, lejon një Ent të pavarur të zaptojë kompetencat e tij dhe të lërë të paqartë dhe në kaos një komunitet të tërë psikologësh në Shqipëri.

Le të shohim se çfarë do të thotë prokuroria për këtë çështje?!

A do të nisë një hetim kryesisht?