Arrestimet / Rama: Shyqyr që SPAK po pret ‘drutë e shtrembër’ në radhët tona

Kryesore

Publikuar: 17/03/2024

Arrestimet / Rama: Shyqyr që SPAK po pret ‘drutë e shtrembër’ në radhët tona

Kreu i qeverisë Edi Rama nga Asambleja e PS-së në Gjirin e Lalzit u krenua edhe njëherë duke thënë se drejtësinë e re nuk e bëri Amerika, por socialistët.

Ai mohoi zërat dhe lajmet e javëve të fundit se do të prekë reformën dhe për arrestimet brenda qeverisë tha se shyqyr që erdhi dita, duke iu referuar këtu arrrestimit të ish kreut të ARRSH, Evis Berberit por pa përmendur emra.

“Thonë disa e bënë amerikanët, nuk e bëmë ne, amerikanët aty ishin edhe më parë në vendet e NATO-s dhe pro NATO-s. Pse Shqipëria të mos ishte si këto vendet e rajonit, ku tre prej tyre i kanë hapur negociatat me BE-në dhe asnjëra nuk e ka marrë reformën në drejtësi duke marrë shembull Shqipërinë.

Përgjigja është e thjeshtë, sepse në Shqipëri ka një parti, që e kishte në programin e saj reformën në drejtësi, fitoi zgjedhjet dhe e bëri. Nuk ka shans që të kthehemi nga flamurmbajtëse e reformës në drejtësi në flamurgrisësen e reformës në drejtësi.

Ata dy komisione hetimore u ra dakord të votohen brenda kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese mund të ishin votuar me kohë e me vak nëse nuk do të ishin kërkuar jashtë asaj kornize. Halli i tyre nuk ishin komisionet hetimore.

Të lëmë drejtësinë që të bëjë punën e saj me çdo dru të shtrembët nga radhët tona, shyqyr që ia arritëm kësaj dite.” tha ai.

Evis Berberi u arrestua me urdhër të SPAK pasi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Më tej kreu i qeverisë tha se ky është një moment transformimi për vendin.

Reformat e ndërmarra kanë dhënë rezultate, sipas tij dhe tani është pikërisht momenti kur qeveria nuk duhet të ndalet.

‘Nëse ne e kapim si duhet këtë moment tranformues dhe lëvizim me qartësi, mund të mbylllim hendekun mes potencialit dhe diskutimeve tona. Dua të përqendrohem sot tek impakti që ne socialistët do të krijojmë mbi vendin.

Për vendin ky është një moment kur reformat e ndërmarra po japin rezultate, në ekonomi, drejtësi dhe çdo sektor. Po ky është momenti kur nuk duhet të ndalemi, për të rritur shpejtësinë duke nxitur një dallgë te re reformash në funksion të mirë të qeverisjes, zbatimit të ligjit dhe antikorrupsionit.

Më vjen mirë që Kuvendi do të pushojë së qeni çmendina e muajve të fundit.

Mbase rikthimi i fjalës do të krijojë hapësirë për të komunikuar dhe jo vetëm për të folur gjithsecili për të vetët.

Shumica jonë duhet të vendosë në tryezën e komisionit të Ligjeve një draft rezolutë për të nxitur një debat të madh publik lidhur me sfidat e anëtarësimit në BE dhe reformat dhe masat e mëtejshme që Shqipëria duhet të ndërmarrë pa humbur kohë.”, tha Rama.