Kompania Furst Koloss (J63229454K), e cila ka 30 % të aksioneve në kompaninë Integrated Technology Waste Treatment Fier, që ka ndërtuar inceneratorin e Fierit, ka kaluar dhjetëra mijëra euro në llogaritë e kompanisë Krioform, me bashkëpronar Ilir Pandeli, bashkëshorti i gazetares Ola Xama allias Basjola Pandeli.
Furst Koloss, me administrator dhe aksioner të vetëm Ellton Kollozi, ka përfituar miliona euro edhe nga programi i Rindërtimit.
Në 11 maj 2023, Furst Koloss, në atë kohë me bashkëpronar Ilir Pandeli, bashkëshorti i gazetares Ola Xama, ka lëshuar 7 fatura për kompaninë Furst Koloss.
Mes faturave bie në sy edhe anulimi i një fature me vlerë rreth 160 mijë euro.
Ndërkaq, ministria e Rindërtimit, për periudhën 2019-2022, është drejtuar nga Arben Ahmetaj, sot në kërkim nga drejtësia për korrupsion dhe pastrim parash.

Në 13 korrik 2023, gazetarja Ola Xama ka publikuar një shkrim te BIRN për dosjen e SPAK-ut për korrupsionin e Arben Ahmetajt, sot në kërkim nga drejtësia për korrupsion dhe pastrim parash.
BIRN mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë dhe konsiderohet një media serioze, që u përmbahet standardeve më të larta gazetareske.

Në 320 faqe dosje të SPAk-ut për korrupsionin 20-vjeçar të Arben Ahmetajt, Ola Xama gjeti dhe reflektoi në shkrim pikërisht disa paragrafë për kryebashkiakun e Tiranës.
Në dosjen e SPAK, bazuar në një hetim sipas standardeve të FBI, Arben Ahmetaj konsiderohet si koka e inceneratorëve.
Prapaskena ngriti dyshime të forta se Ola Xama po përdorte BIRN (sigurisht pa dijeninë e financuesve), për të mbrojtur Arben Ahmetajn dhe sulmuar Erion Veliajn, për llogari të interesave të saj personale.
Zonja Ola Xama allias Basjola Pandeli ngriti një padi civile, duke pretenduar se kemi shpifur kundër saj.
Në mbrojtje të saj dolën disa gazetarë me vila, biznese, që pinë puro me ministra të korruptuar, që kanë përfituar vetë fonde publike dhe donacione të SHBA-BE.
Sot, gazetarëve-oligarkë që i dolën në mbrojtje qorrazi Ola Xamës, iu bashkua edhe Rithemelimi, me në krye Sali Berishën, non grata nga SHBA si dhe i izoluar nga SPAK për korrupsion në ballokonin e pallatit oligarkut Bashkim Ulaj, përfituesi më i madh i parave dhe pasurive publike në Shqipëri.
Nuk presim që ky rrjet të ngrejë kokën nga bari dhe të shikojë faktet, por do vijojmë të publikojmë fakte që publiku të dallojë të vërtetën nga rrena.
Rrethanat faktike
Në një padi drejtuar Gjykatës së Tiranës, në të cilën pretendon se Prapaskena ka shpifur kundër saj, gazetarja Ola Xama zbulon se emrin i saj i vërtetë është Basjola Pandeli.

Ilir Pandeli allias El Pandeli është bashkëshorti i gazetates Ola Xama allias Basjola Pandeli. Çifti bashkëshortëve rezultojnë se firmosin bashkë edhe kontrata për shitje-blerje aksionesh në kompani të ndryshme.

Ilir Pandeli ka qenë aksioner në të paktën pesë kompani; Krioform, Virdelin, Vier Creative, IDF Sports si dhe Ilir Pandeli person fizik.
Prapaskena ka arritur të verifikojë deri më tani veprimtarinë dhe transaksionet e kompanisë se dyerve dhe dritareve Krioform.

Firma Krioform është themeluar me 10 tetor 2022 nga Ilir Pandeli, Rezarta dhe Admir Asllani, me kapital 100 mijë lekë, me objekt tregetimi dhe punimi i mobiljeve, punime duralumini etj.

Nga janari 2023, kompani të ndryshme kanë kaluar në llogari të kompanisë Krioform dhjetëra mijëra euro, për shërbime ende të paidentifikuara.
Mes të tjerave, në 10 mars 2023, Krioform, me aksioner bashkëshortin e Ola Xamës, ka lëshuar një faturë me vlerë 3 420 000 lekë ose rreth 34 mijë euro për kompaninë Furst Koloss, me nipt J63229454K, përfituese e parave publike për rindërtimin dhe e lidhur me inceneratorin e Fierit.

Në vijim, Krioform ka lëshuar fatura të tjera me vlerë dhjetëra mijëra euro për Furst Koloss, e cila ka përfituar drejtëpërdrejtë para publike.
Furst Koloss, me pronar dhe administrator Ellton Kollozi, në 18 maj 2021 është shpallur fituese e tenderit me vlerë rreth 5 milionë euro, me objekt ‘Rikonstruksioni i godinave Nr.20-21; Nr. 22-23, në RSU Nr.1′, në kuadër të programit të rindërtimit.

Kompania Furst Koloss (ish “NDERTIM MONTIMI PATOS”), pasi ka marrë tenderin e rindërtimit, i ka kaluar një pjesë të parave kompanisë së bashkëshortit të gazetares Ola Xama.
Furst Koloss ka 30 % të aksioneve në kompaninë Integrated Technology Waste Treatment Fier, përfituese e koncensionit për ndërtimin dhe administrimin e inceneratorit të Fierit.

Sipas dosjes së SPAK, diktuesi dhe koka e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit është pikërisht Arben Ahmetaj. (Asnjë gazetar nuk shtron një pyetje: Pse Ahmetaj nuk kundërshtoi inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, por vetëm Tiranën? A nuk financoheshin që të tre me paratë publike?)
Ndërkaq, një nga pronarët e inceneratorëve ka banuar në pallatin Ambasador 3, aty ku banojnë çifti Ola Xama dhe Ilir Pandeli.
Furst Koloss ka qenë më herët në pronësi të Ministrisë së Financave, ministri e cila është drejtuar nga Arben Ahmetaj gjatë periudhës 2016-2019.
Ndërkaq, pasi kanë marrë paratë nga kompania e lidhur me inceneratorët Furst Koloss, bashkëshorti i Ola Xamës, Ilir Pandeli i ka shitur aksionet shtetasit Admir Asllanajt. Shitja është firmosur në 20 nëntor 2023.

Në kontratën e siguruar nga Prapaskena rezulton se shitja e aksioneve është miratuar edhe nga Ola Xama allias Besjola Pandeli, në cilësinë e bashkëshortes së Ilir Pandelit.
