Në rrethet e biznesit njihet si çelësi i Salillarit. Pas çdo tenderi të madh që përlan një oligark, shfaqet edhe ajo si mbikëqyrëse e punimeve. Ndryshe, vjedhja e parave publike me punime fiktive, nuk do të mund të realizohej.

Ajo është Entela Çano, administratore dhe pronare e kompanisë suprvizuese A & E ENGINEERING sh.p.k. Faktet tregojnë se Entela Çano është sekreti i oligarkut Pëllumb Salillari në vjedhjet me tendera.
(Madje Salillari i ka krijuar lidhje Entela Çanos edhe me ‘ujqërit’ e tjerë të tenderave të rrugëve. Çano, jo rastësisht, është paracaktuar për të certifikuar punimet e rrugës Korçë-Ersekë, me kosto 65 milionë euro. Rruga është shembur pjesërisht dhe paratë janë vjedhur. Skandali po hetohet nga SPAK).

Kur një skuadër e Byrosë Kombëtare zbarkoi për kontroll në shtëpinë e drejtorit të Rrugëve, Evis Berberi, Entela Çano u shqetësua, nisi të demostronte shenja paniku dhe të interesohej nëse ishte edhe ajo nën hetim.
Prapaskena nuk e di nëse Entela Çano është nën hetim nga SPAK. Por, sot do të sjellim fakte të tjera që Entela Çano jo vetëm duhet të jetë nën hetim, por duhet të ishte arrestuar si metri në duart e oligarkëve për vjedhjen e parave publike.
Entela Çano ka certifikuar punime të pakryera, pra punime fiktive, të Pëllumb Salillarit në Unazën e Madhe, duke përvetësuar dhe ndarë paratë publike.
Rrethanat e faktit

Në 20 maj 2019, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituese kompanisë suprvizuese A & E ENGINEERING sh.p.k, të Entela Çano, për supervizion punimesh ‘Rehabilitim i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta – rrethrrotullimi Shqiponja Loti 1’. Ka pasur ankesa për këtë tender. Në krye të ARRSH ishte Ergys Verdho.

Në 8 qershor 2019, Ergys Verdho shpall fitues kompaninë Salillari të ish faturinos Pëllumb Salillari dhe Bajrami N të Nazif Bajramit, të tenderit ‘Rehabilitim i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta – rrethrrotullimi Shqiponja Loti 1’.
Fondi limit ishte 22 milionë euro, ndërsa oferta fituese 21 milionë euro. Tenderi është anuluar një herë. Janë skualifikuar të gjithë operatorët në këtë garë përveç fituesit. Janë nxjerrë jashtë loje oferta më të ulëta, me pretendimin se firmat pjesëmarrëse po zbatoni kontrata në proces.
Çfarë ndodh më tej? Dyshja Salillari-Çano nisin të vjedhin paratë publike, duke hartuar situacione false për punë të pakryera.
Salillari bën situacionet për punë që nuk ekszistojnë, Entela Çano i certifikon si supervizore, ndërsa ARSH u kalon paratë në llogari.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport auditimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka konstatuar se Entela Çano dhe Salillari, vetëm në një rast, me situacione false, kanë vjedhur 84 milionë lekë, me segmentin mbikalimi pallati me shigjeta – rrethrrotullimi Shqiponja Loti 1.
Kur supervizoria Entela Çano dhe Salillari kanë vjedhur në një rrugë vetëm 4 km larg SPAK-ut, çfarë mund të ketë bërë kjo dyshe me rrugët e tjera?
Cilat kontrata për ndërtim rrugës ka mbikqyrur, duke certifikuar punimet Entela Çano?
Për çfarë pazaresh i vendosën tritol në makinë biondes së supervizimeve korruptive?