Në 6 dhjetor 2023, Komisioni i Vetingut ka shkarkuar nga detyra prokuroren e Shkodrës, Françeskina Lekani, e njohur si prokurorja që dyshohet se u kompromentuar nga mafiozi Pëllumb Gjoka, i arrestuar nga SPAK si porositës vrasjesh, kur përpos krimeve tënda, Gjoka kishte grabitur sipërfaqe të mëdha pronash në Velipojë, kishte korruptuar drejtues policie, prokurorë dhe gjyqtarë.

Françeskina Lekani e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 si prokurore ushtarake dhe prej vitit 2004 punon në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Së fundmi ushtronte dhe rolin e zëvendësdrejtueses.
Arsyeja e shkarkimit të prokurores Lekani është se nuk justifikon 4 apartamente, të kamufluar në emër të babait dhe vëllezërve.
Jo vetëm kaq. Por, Lekani ka hetuar një çëdhtje ku palë e kallëzuar ishte shoqëria ku janë porositur dy apartamentet në vitin 2011, të përfituara nga vetë Lekani, ku një pjesë e vlerës nuk është shlyer ende.
Prokurorja Lekani ka kërkuar pushimin e këtij hetimi.
KPK vëren se midis Lekanit dhe të kallëzuarve ekzistonte marrëdhënia juridiko- civile që nuk kishte përfunduar; si dhe se nuk janë kryer hetimet e nevojshme. Sipas Komisiomit, subjekti në këtë rast ka vepruar në kushtet e konfliktit të interesit, se ka favorizuar të kallëzuarit dhe për rrjedhojë ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Subjekti pretendoi se nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit duke argumentuar se e kishte shlyer pjesën e apartamentit të saj.
Vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs i cilësoi jobindëse shpjegimet e subjektit për apartamentet. Ai solli në vëmendje faktin se një pjesë e apartamenteve ishte ende e pashlyer ndërkohë që subjekti kishte hetuar çështjen e pasurisë. Sipas tij, kjo situatë bie erë, nga apartamenti i parë, tek i fundit.
Raporti sekret: Lekani e korruptuar
Shëbimet informative kanë referuar një raport në KPK, duke ngritur dyshime të forta se prokurorja Françeskina Lekani është përfshirë në afera korruptive.
Por, Komisioni i Vetingut nuk ka mundur të provojë episodet e korrupsionit të dyshuar.


Dosja e Pëllumb Gjokës
Prokurores Françeskina Lekani i është kërkuar llogari se pse mbylli dosjen e Pëllumb Gjokës, i cili kishte grabitur 39 ha tokë në Velipojë, me letra false.
Trupi gjykues tha se mbetet e paqartë se pse Françeskina Lekani nuk ka ngritur akuzën për pastrim parash ndaj Pëllumb Gjokës dhe pse nuk ka sekuestruar tokën e grabitur me letra false.
Françeskina Lekani tha se nuk ka qenë e mundur të identifikohet personi që ka kryer falsifikimin e dokumentit, prandaj dhe është kërkuar pushimi.
Ajo pohoi se kishin njoftuar Avokaturën e Shtetit që të kërkonte kthimin e tokës, por nuk kishin marrë përgjigje.
Pëllumb Gjoka bleu Lekanin?
Dosjen e grabitjes së pronave në Velipojë me letra false nga Përllumb Gjoka, e ka mbyllur pikërisht prokurorja Françeska Lekani, duke injoruar faktet penale dhe shpërdoruar detyrën, ndërsa dyshohet se mund të jetë korruptuar dhe blerë nga Pëllumb Gjoka.
Biznesmeni i arrestuar si drejtues i një grupi kriminal bashkë me Behar Bajrin, ka grabitur 390 dynym rërë në vijën bregdetare të Velipojës, duke fasifikuar dokumentet, me qëllim për të ndërtuar një resort.
Pas grabitjes së pronës, Gjoka u shpall investitor strategjik nga qeveria.
Gjoka, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka arritur të falsifikojë edhe firmën e prokurores Tatjana Laçej si dhe një testament të 99-vjeçares Drane Hotaj, duke u bërë pronar i rërës në Velipojë.
Për këtë skandal është hapur një dosje penale nga prokurorja Franceskina Lekani.
Prokurorja ka mbyllur dosjen pa kërkuar ndëshkimin e falsifikatorëve dhe kthimin e pronës shtetit. Lekanin duket se e ka futur në ‘thes’ Pëllumb Gjoka.
Kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal që ka grabituar në bashkëpunim pronën publike.
Skema
Nga dosja rezulton se këtë pronë e ka fituar një 99-vjeçare e ndjerë Drane Hotaj, e cila ka lindur në Velipojë, por banonte në Grizhë të Malsisë Madhe.
Pretendohet se Drane Hotaj i ka dhënë prokurë Ardian Becit për të kërkuar pronat e saj.
Beci ka paraqitur kërkesën pranë Agjencisë se Kthim Kompensimit Pronave në Tiranë për kthimin e sipërfaqes 390 dynym tokë, por kjo kërkesë është refuzuar për shkak se dokumentacioni nuk ishte i plotë.
Më pas çështja kalon në gjykatë e cila vendos kthimin e tokës të moshuarës. Pas fitimit të pronësisë, e moshuara pretendohet se bën një testament duke dhuruar tokën.
E moshuara është përdorur si trampolinë për fitimin pronësisë me pas ka dalë jashtë loje duke dhuruar pronën.
Sipas ekspertizës kemi të bëjmë me falsifikimin e disa dokumenteve. Është falsifikuar prokura e shtetasit Ardian Beci, njëkohësisht edhe testamenti i 99 vjeçares, si dhe firma e prokurores Tatjana Leçaj.
Kjo çështje më pas i kalon Prokurorisë ku nga Instituti i Policisë Shkencore vërtetohen ndërhyrje në dokumentacion dhe vula.
Pjese e dosjes është edhe dëshmia e prokurores Tatjana Leçaj, emri i të cilës figuron te vërtetimi hipotekor i vitit 1997.
Ajo ka dëshmuar se nuk e ka firmosur asnjë dokument hipotekor për më tepër në këtë periudhë ajo nuk punonte në hipotekën e Shkodrës, por në Prokurorinë e Tiranës.
E ndodhur para një varg falsifikimesh të provuara, prokurorja Franceskina Lekani ka kërkuar pushimin e çështjes. Sipas avokatit Loren Liço ne këto raste prokuroria duhet të kërkonte sekuestrimin e dokumenteve të falsifikuara dhe asgjësimin e tyre.
Atë që nuk e bëri prokurorja Lekani, tashmë po e bën SPAK-u.