Xhevahir Mustafa është sot administrator dhe pronar i kompanisë GJEOKONSULT & CO, me objekt mbikqyrje dhe kolaudim punimesh. Xhevahir Mustafa mori në zotërim aksionet në vitin 2022, pasi babai i tij, Hamit Mustafa, i dhuroi 100 % të aksioneve.
Kjo kompani është kontraktuar nga shumë institucione për mbikqyrje punimesh për ndërtimin e veprave të rëndësishme infrastrukturore, ku në shumë raste ka certifikuar punime të pakryera, duke vjedhur paratë publike në bashkëpunim me kompanitë e kontraktuara për zbatimin e kontratave.
Kujtim Çela është administrator dhe pronar kryesor i kompanisë 47 EK 79 & ILIRIADA P.K.S, me objekt projektim, supervizion dhe kolaudim.
Xhevahir Mustafa dhe Kujtim Çela bashkëpunojnë duke fituar bashkë tendera publikë për mbikqyrje dhe kolaudim punimesh, duke certifikuar punime që nuk ekzistojnë, me qëllim vjedhjen e parave publike.
Dy kompanitë janë kontraktuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për supervizion punimesh në rrugën Kardhiq-Delvinë, loti 4, 5 dhe 6, përmes një tenderi 34 390 000,00 lekë, karakterizuar nga mungesa e konkurrencës.
Tenderi për lotin 6 të rrugës Kardhiq-Delvinë është fituar nga kompanitë AGBES CONSTRUKSION dhe Arbëria, me vlerë rreth 28 milionë euro me TVSH, përmes një procedure ku janë skualifikuar të gjithë operatorët pjesëmarrës, përveç fituesit.
Tenderat janë dhënë nga Afrim Qendro, ish drejtor i ARRSH, një figurë emblematike korrupsioni, lidhje e fortë e Damian Gjiknurit dhe Bashkim Ulajt, të cilët përlanë 18 milionë euro me firmën mashtruese DH Albania. Kjo aferë u mbyll me dënimin e një çunaku, sportelisht i Bashkim Ulajt. Gjiknuri, Ulaj dhe Qendro shpëtuan pasi ende nuk ishte ngritur SPAK-u.
Arben Goga dhe Bashkim Ramaj janë bashkëpronarë dhe administratorë të kompanisë AGBES CONSTRUKSION.
Pëllumb Mustafa është pronari dhe administratori i kompanisë Arbëria.
Tenderi për lotin 5 të rrugës Kardhiq-Delvinë është fituar nga kompania Albstar, me pronar Sadik dhe Idajet Ismailaj, me vlerë rreth 17 milionë euro, në vitin 2018.
Tenderin për lotin 4 të rrugës Kardhiq-Delvinë, me vlerë rreth 28 milionë euro (me tvsh), e kanë fituar në vitin 2018 kompanitë Cobial dhe Gjoka Konstruksion.
Bashkëpronarë të kompanisë Cobial janë Ergest Paza, Qemal Paza dhe Alfred Paza. Administrator dhe pronar i kompanisë Gjoka Konstruksion është Rrok Gjoka.
Ky grup kompanish dhe biznesmenësh kanë vjedhur paratë publike me ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, duke mashtruar me volumet e punimeve dhe zbatimin e kontratës.
Vjedhja është dokumentuar nga një raport i Kontrollit të Shtetit për adutimin e veprimtarisë së ARRSH-së, duke përfshirë edhe rrugën Kardhiq-Delvinë.
Hamit Mustafa dhe Kujtim Çela, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, kanë certifikuar punime të pakryera në lotet 4, 5 dhe 6 të rrugës Kardhiq-Delvinë
Certifikimi i punimeve të pakryera është bërë për llogari të Arben Goga, Bashkim Ramaj dhe Pëllumb Mustafa, të cilët kanë marrë paratë për lotin 6, për Sadik dhe Idajet Ismailaj që kanë marrë parë për lotin 5 si dhe për Ergest Paza, Qemal Paza dhe Alfred Paza, të cilët kanë marrë paratë për lotin 4.
A do ta administrojë SPAK këtë raport të KLSH-së?
A ka vjedhur ky grup edhe me tendera të tjerë?