Policia e Vlorës ka dhënë informacion lidhur me gjetjen e një sasie të madhe armatimesh ditën e sotme gjatë operacionit të koduar “Knock Out 4”.
Në pranga është vënë 31-vjeçari nga Vlora, Gjergji Dervishaj, i njohur edhe me pseudonimin “Zoto”. Ai është person me precedentë të mëparshëm kriminalë në fushën e narkotikëve.
Gjatë kontrollit të një biznes, të fshehura brenda një valixheje u gjet 1 minë me telekomandë, 4 armë zjarri automatik (njëri prej tyre me silenciator), 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri imituese, 12 krehra armësh, rreth 800 fishekë, 1 jelek antiplumb, 1 peshore elektronike dhe 1 palë targa automjeti.
Dyshohet se armatimet do të përdoreshin në ngjarje kriminale, por edhe mund të jenë përdorur në të kaluarën.
Për këtë arsye armët janë dërguar për analiza në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.