Gazetari që u plagos në 21 Janar 2011, Fatos Mahmutaj, ka ardhur nga Brukseli për të dëshmuar në SPAK për aferën CEZ-DIA ku si i implikuar dyshohet Ilir Meta.
Mahmutaj u mor në pyetje dje në SPAK në lidhje me një intervistë që i ka marrë Vojsava Ismailajt (në shkurt të vitit 2017), bashkëshortes së Kastriot Ismailajt, pronar i kompanisë DIA, i vetmi i ndëshkuar për këtë aferë.
Prapaskena mëson se Mahmutaj ka konfirmuar rrëfimin e Vojsava Ismailajt, e cila ka implikuar rëndë Ilir Metën në aferën CEZ-DIA.
Gazetari ka theksuar se rrëfimi i zonjës Ismailaj është i vërtetë dhe se çdo pohim i saj mund të konfirmohet.
Një vit pasi Sali Berisha dhe ministrat e tij firmosën privatizimin OSSH, me një mijë pika të errëta dhe favorizime, në skenë u shfaq biznesmeni Kastriot Ismailaj, i cili krijoi kompaninë Debt International Advisory (DIA), në Ishujt Virgjin Britanikë, në 7 korrik 2010. Kastriot Ismailaj ishte një nga njerëzit e besuar të Ilir Metës, fakt i cili nuk është mohuar as nga Meta dhe as nga Ismailaj.
Më 4 gusht 2010, DIA regjistroi degën e saj në Tiranë, me administrator Ismailajn. Drejtor ekzekutiv i kompanisë ishte Ervis Mataj, ish kryetar i LRI-së, një personazh tepër i besuar për Ilir Metën, edhe pse dje e konsideroi ‘mashtrues ordiner’. Ervis Mataj besohet se është kthyer në bashkëpunëtor i SPAK-ut.
Në shtator 2010, CEZ hyri në partneritet me DIA për të mbledhur faturat e papaguara të energjisë elektrike. Për të fituar kontratën me CEZ, DIA përdori dokumente false. E gjithë kontrata, sipas prokurorëve, bazohej në gënjeshtra, sajesa dhe dokumente false, ndërsa kompania DIA eksitonte vetëm në letra. Sipas ‘kontratës’, CEZ duhet t’i paguante DIA një tarifë fikse 512 mijë euro në muaj, plus edhe tarifën e ‘suksesit’. Ismailaj paraqiste letra false, merrte paratë dhe i zhdukte.
Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qen mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё shoqërisë “CEZ Shpërndarja”, në bashkëpunim me përfaqësues të CEZ.
Po nga buronin paratë që CEZ i jepte DIA-s pa bërë asnjë punë? A mundet që një kompani private t’i japë një mashtruesi 512 mijë euro çdo muaj, pa bërë asgjë?
Këtu qëndron nyja e korrupsionit. Pasi CEZ nisi t’i jepte para DIA-s, del në pah ERE, e cila vendos të ulë çmimin e energjisë që KESH i shiste CEZ. Vendimi i marrë nga ERE në dhjetor të vitit 2010 ulte çmimin e shitjes së energjisë nga KESH tek CEZ me 27 për qind; nga 2.03 lekë në 1.48 lekë.
Ndërsa CEZ ua shiste me të njëjtin çmim abonentëve fundorë, që ishin familjet shqiptare. Ky vendim u mor nga ERE në dhjetor të vitit 2010, pasi DIA ishte paguar 1.48 milionë euro nga CEZ shpërndarje, në tre pagesa prej 485,000 euro për raportin fals të identifikimit të debitorëve.
Pra, CEZ favorizohej me dhjetëra milionë euro nga ERE që ishte nën ndikimin politik të Ilir Metës dhe Sali Berishës, nga ana tjetër CEZ i jepte një pjesë të parave DIA-s, e cila ishte e lidhur me Ilir Metën.
Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i nisi Kastriot Ismailajt.
“Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika, shpesh herë vinin në shtëpinë tonë….Mjafton që të shohësh SMS-të që Ilir Meta i dërgonte Kastriotit në vitet 2010, 2011 dhe e kupton lehtësisht këtë. Kastrioti ka qenë gjithashtu shpesh nën presion për të dhënë para nga bizneset e tij, për të ushqyer fushatat elektorale”, tha ajo.
Pas këtyre deklaratave, Vojsava nuk pranoi të shprehej më për media, pasi kishte marrë kërcënime serioze.