‘Ujku i vjetër’ Sadik Ismailaj qindra milionë euro tendera, kulla, vila në Butrint, koncensione, krime mjedisore dhe zhvatje

Kryesore

Publikuar: 15/01/2024

‘Ujku i vjetër’ Sadik Ismailaj qindra milionë euro tendera, kulla, vila në Butrint, koncensione, krime mjedisore dhe zhvatje

Disa zyrtarë dhe ish zyrtarë të niveleve të ndryshëm, që nga ministra, drejtorë dhe specialistë, rrezikojnë të merren nën akuzë nga SPAK-u për një sagë aferash korruptive të dyshuara, me përfitues dyshen Sadik dhe Idajet Ismailaj.

Emri i tyre lidhet me disa nga abuzimet më epike të 10 viteve të fundit, disa nga të cilat po hetohen nga SPAK, si ndërtimi i stadiumit me kullë, koncensioni i hekurudhës apo ndërtimi i një resorti turistik me kushëririn e Damian Gjiknurit brenda Parkut Kombëtar të Butrintit.

Fijet e Sadik dhe Idajet Ismailajt shtrihen nga hidrocentralet në ortakëri me oligarkë të rrethit të Vladimir Putinit, tek tenderat e mëdhenj të rrugëve, resortet në zona të mbrojtura, kullat në Tiranë, automjetet deri tek prodhimi i afaltit, bixhozi pajisjet pasjisjet hidraulike, tubat, hidrokarburet, shërbime në fushën e gazit etj.(Shumë përfitime të Sadik dhe Idajet Ismailajt, si hidrocentrale, puse nafte, hekurudha etj., lidhen me veprimtarinë e ish ministrit Damian Gjiknuri).

Ata kontrollojnë një kartel kompanish me adresë tek kulla te stadiumi Air Albania, ndërsa secili i ka caktuar vetes 85 milionë lekë në muaj (170 milionë lekë në muaj të dy), rreth 2 milionë euro në vit.

Oktapodi i kompanive dhe përfitimeve

Sadik e Idajet Ismailaj janë pronarë të kompanisë Motus, me administrator Elton Hoxha.

Me anë të kompanisë Motus kontrollojnë kompanitë Finman dhe Prodev me administratorë Elton Hoxha dhe Fesbian Myftari.Me anë të kompanisë Finman, Sadik e Idajet Ismailaj kontrollojnë kompanitë Alb – Star, Vibtis, IR, Arena S&P, AM Rentals, ASAB, Balkansca Finman, ANGS, AOS, Manastiri Resort, Fintrade, APM etj., që të gjitha përfituese të koncensioneve, tenderave, lejeve për kulla dhe resorte, në mënyrë të dyshimtë dhe në dëm të interesit publik.

100 milionë euro tendera

Me anë të kompanisë Alb Star, me administrator Sokol Agalliu, dyshja Ismailaj ka përfituar mbi 100 milionë euro tendera publikë, me hije të forta korrupsioni dhe klientelizmi.

Mbi 60 milionë euro i kanë përfituar vetëm nga ARRSH dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.Përmes kompanisë Alb Star, Sadik e Idajet Ismailaj kanë marrë koncensionin e dyshimtë të transportit hekurudhor në linjat Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë si dhe disa hidrocentrale mbi lumin Shushicë (HEC Drashovicë, HEC Kote, HEC Gjorm dhe HEC Brataj).

Si administratore të hidrocentraleve kanë vendosur Ermira Pepajn.

Ortakëri me Oleg Deripaska

Tek hidrocentralet, ortak me dyshen Ismailaj ka qenë oligarku rus Oleg Deripaska, pjesë e listës së zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi është akuzuar nga inteligjenca amerikane për ndërhyrje në zgjedhjet e 2016, për llogari të Putinit.

Oleg Deripaska, i cili ka përfituar 20 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, u zbulua se kishte paguar ish zyrtarin e lartë të FBI Charles McGonigal, për ta hequr nga lista e sanksioneve të SHBA. McGonigal, i dënuar nga drejtësia amerikane, bëri lëmsh politikën e Tiranës.

Me anë të kompanisë Alb – Star, Sadik e Idajet Ismailajt kontrollojnë kompanitë ALBRAIL, Space+ dhe Ecoclean.Space+, me administrator Fesbian Myftari, ka si objekt ushtrimin e veprimtarive të lojërave të fatit në kategorinë kazino në hotel me 5 yje, në bashkëpunim me disa çekë, në Hotel Marriott Tirana.

Ndërsa kompania Ecoclean, me administrator Elgerti Bixha, posedon vendburime nafte në Patos, përfituar në mënyrë klienteliste.

Me anë të kompanisë Finman, Sadik e Idajet Ismailajt kontrollojnë kompaninë Vibtis, me administrator Ardit Ismailaj.

Kompania Vibtis ka marrë vitet e fundit 33 tendera me vlerë 6 milionë euro nga Albpetrol, OST dhe disa bashki. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, disa nga tenderat janë abuzivë dhe si të tillë duhet të jenë objekt hetimi nga SPAK-u.

Sadik dhe Idajet Ismailaj kontrollojnë edhe kompaninë e betonit ASAB, me administrator Sokol Agalliu, kompani e cila ka nisur të marrë tenderat e parë publikë për beton dhe rikonstruksion rrugësh.

Afera me stadiumin

Me anë të kompanisë, Arena S & P, me administratorë Gentjan Hoxha dhe Alket Xhemo, dyshja Ismailaj ndërtoi stadiumin Air Albania, duke marrë në kërmbim pronë publike në mes të Tiranës dhe ngritur kullën te stadiumi.

Për të shmangur tenderimin publik të projektimit dhe ndërtimit të stadiumit, i cili është pronë publike, Qeveria Rama dhe Federata Shqiptare e Futbollit krijuan një kompani private, Qendrën Sportive Kuqezi, në të cilën qeveria zotëron 25 për qind dhe FSHF 75 për qind të kuotave.

Pas kësaj, qeveria i “dha” stadiumin dhe truallin kompanisë Qendra Kuq e Zi, e cila qe pastaj e lirë të kontraktonte këdo që dëshironte për të projektuar dhe ndërtuar stadiumin, pa asnjë procedurë apo detyrim publik, duke qenë se ajo është ent privat juridik.

Pazari me sa duket ishte finalizuar, ndërsa arkitekti rezultoi i dënuar për korrupsion. Tenderi ndërkombëtar për “projektimin, prishjen, financimin dhe ndërtimin” e stadiumit iu dha kompanisë “Alb-Star”, ku u prish edhe fasada e stadiumit “Qemal Stafa’, monument kulture.

Prapaskena mëson se kjo është një nga aferat që po hetohet nga SPAK. Arkitektët e kësaj barbarie janë dyshja Ismailaj dhe Mirela Kumbaro.

Resort korruptiv në Parkun e Butrintit Me anë të kompanisë Manastiri Resort, Sadik dhe Idajet Ismailaj, po ndërtojnë një kompleks vilas në Gjirin e Manastirit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, nga një bukuri natyrore tashmë është kthyer në kantier ndërtimi vilash luksozeve.

Një nga gjiret më të bukur të Ksamilit, prej tre vitesh qëndron i bllokuar për shkak të punimeve që po bëhen, për ndërtimin e një fshati turistik, në bashkëpunim me një të afërm të Damian Gjiknurit.

Kujtojmë se në 2 Dhjetor 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi statusin e investitorit strategjik për projektin “Manastiri Resort”, me subjekt aplikues “Albstar” shpk, në pronësi të biznesmenit Sadik Ismailaj, i cili do të marrë edhe plazhin.Gjatë një debati në Parlament me deputetin Agron Shehaj, ministrja Mirela Kumbaro e cilësoi si një “pikë të voçkël” në hartë.

Zëri Amerikës shkruante se ndërtimet e resorteve turistike apo zhvillimet ndërtimore masive në zonat bregdetare ishin paralajmëruar nga 25 organizata mjedisore dhe 4 profesorë të shkencave të natyrës që kur u rishikua harta e zonave të mbrojtura për disa parqe në janar të vitit 2023.

Sipas një hulumtimi të Agjensisë BIRN, bizneset vendase që synojnë fitimet afatshkurtra kanë korrur shumicën e përfitimeve pasi nga 35 projekte të shënuara si investime strategjike nga viti 2016 deri në 2021, 26 ishin të orientuara drejt turizmit dhe vetëm dy të ardhur plotësisht nga jashtë.

Manastiri Resort ka ngjallur debate të forta publike për shkak se qeveria hoqi nga zona e mbrojtur tokën ku do të realizohet projekti, ndërkohë që deputeti Vangjel Dule akuzoi publikisht në Parlament se përmes këtij projekti po grabiten pronat e Kishës.

Nuk dihet nëse SPAK po verifikon për ministrat dhe drejtorët që kanë vila dhe apartamente në resortet dhe kullat që dyshja Ismailaj ka ngritur mbi pronat publike, përfshirë edhe zona të mbrojtura.