Dokumenti / Si e sabotuan aparaturën e sterilizimit ministrat e dyshes Berisha-Meta, u mbajt 2 vjet në magazinë deri kur u amortizua, disa fakte dhe dyshimet për një gjueti shtrigash

Krim & Korrupsion

Publikuar: 08/01/2024

Dokumenti / Si e sabotuan aparaturën e sterilizimit ministrat e dyshes Berisha-Meta, u mbajt 2 vjet në magazinë deri kur u amortizua, disa fakte dhe dyshimet për një gjueti shtrigash

Nga Adriatik Doçi

Disa fakte, rrethana dhe ‘rastësi’ krijojnë dyshime të forta se qëllimi i një linje brenda SPAK-ut nuk është një hetim gjithëpërfshirës, objektiv dhe i paanshëm i abuzimit të dyshuar me paratë publike, por goditja me çdo kusht e figurave të caktuara për llogari të dyshimta dhe ndoshta për të krijuat idenë e një ekuilibri politik në opinionin publik.

Nëse SPAK-u vendosi një standard në nivel FBI-je me dosjet e hetimit të Arben Ahmetajt dhe ish Klubit Partizanit, duke ndjekur rrugën e parave, ky standard ka rënë me dosjen e Sterilizimit, në përpjekje të sforcuar për të kapur Ilir Beqajn, me mungesë faktesh, mungesë provash dhe së fundmi me fatura restorantesh.

Pas tre vitesh hetime, në dosjen paraprake të paraqitur në gjyaktë për koncensionin e sterilizimit, nuk u paraqit asnjë fakt që paratë publike të kishin përfunduar tek Ilir Beqaj.

Tre vite hetime, asnjë përfitim të parregullt, asnjë fakt qoftë për një qindarkë.

Zhgënimin nuk e fshehu as gjyqtari Erion Bani, i cili duke dalë jashtë korrnizave ligjore (pasi nuk ishte gjyqtar themeli, ishte gjyqtar parapak për shqyrtimin e masave të sigurisë për të dyshuarit), i kërkoi prokurorit të thellohej vetëm rreth Ilir Beqajt. Qëndrimet e tij, si rrallëherë, gjyqtari Bani i shprehu edhe në media, si të ishte avokat apo më keq akoma, politikan, pasi një gjyqtar flet me vendime.

Nuk ka asgjë të keqe që Ilir Beqaj të hetohet natë e ditë, me vite, madje me dekad. Madje le të ngrihet edhe një task forcë speciale për të hetuar vetëm një njeri.

Por, dosja e Sterilizimi, u kthye në një gjueti shtrigash, duke lënë jashtë hetimit disa fakte që konfirmojnë shpërdorimin dhe përvetësimin e parave publike.

Por, me sa duket, faktet e abuzimit me paratë publike nuk përbëjnë interes kur aty nuk është Ilir Beqaj.

Sot, për herë të parë, po publikoj këtë dokument, i cili tregon blerjen e një aparature moderne për sterilizimin në 25 mars të vitit 2011. Dokumenti tregon marrjen në dorëzim të aparaturës së blerë me para publike.

Një hetim i panashëm, duhet të shtronte dhe t’u jepte përgjigje disa pyetje;

-Pse aparatura për sterilizimin e mjeteve kirurgjikale nuk u vu në punë nga viti 2011 deri në vitin 2013, kur në pushtet erdhi forca tjetër politike?

-Kush kishte interes që aparatura të mbahej në magazinë dhe të amortizohej?

-A ka përfituar ndonjë operator privat nga nxjerrja jashtë loje të aparaturës së re?

-Cilat janë lidhjet klienteliste të këtij operatori privat me ish pushtetarë

-Kush mban përgjegjësi për hedhjen në kosh të 1.7 milionë euro?

Ky fakt nuk ekziston fare në dosje dhe rrjedhimisht mund të mos jetë pjesë e hetimit. Në këtë periudhë, Ministria e Shëndetësisë është deejtuar nga Petrit Vasili, Vangjel Tavo dhe disa muaj nga Halim Kosova, që të tre përfaqësues të dyshes Meta-Berisha.

Gjykatat do të vlerësojnë parregullsitë e koncensionit të sterilizimit, një shërbim konkret, por duke iu turrur Ilir Beqajt, për 3 vite me radhë, janë anashkaluar edhe disa fakte të tjera, po aq të rëndësishme dhe me pasoja në buxhetin e shtetit.

Konkretisht, në 15 janar 2020, Ministria e Shëndetësisë me në krye Ogerta Manastirliu dhe e përfaqësuar nga Sekretarja e Përgjithshme Geraldina Prodani, ndryshoi kontratën me kompaninë e shërbimit të sterilizimit SaniService, duke parashikuar zgjerimin e shërbimit dhe rritjen e kostos për buxhetin e shtetit.

Duke amenduar kontratën koncensionare të vitit 2015, Ogerta Manastirliu, përmes përfaqësueses së saj, Geraldina Prodani, parashikon që kompania SaniService mund të ofrojë setet kirurgjikale përtej tavanit të përcaktuar në kontratë, 63 mijë operacione në vit, duke aplikuar një zbritje të 25 % të çmimit për çdo shërbim me pajisje për operacionet përtej numrit 63 mijë.

Në kontratën e amenduar ky ndryshim argumentohet me efektivitetin e koncensionit të sterilizimit si dhe nevojës për rritje të shërbimit.

Pra, sipas Manastirliut koncensioni kishte dhënë fryte dhe si tillë duhej zgjeruar. Kjo ndërhyrje në kontratë ka rritur koston dhe faturën për buxhetin e shtetit, produkt i taksave të shqiptarëve.

Abuzimi më i madh konsiston tek një vendim tjetër.

Ogerta Manastiriu ka lejuar shpërdorimim e 7 milionë euro në vitin 2018, përmes përdorimit të nivelit të lartë të sesteve të pajisjeve kirurgjikalevme me vlerë 140 mijë lekë në vend të pajisjeve të seteve 3 mijë lekë për heqjen e penjve, ndërrimin e fashove për plagët, ndonjë prerje modeste etj.

Ilir Beqaj ka ikur si ministër Shëndetësie në 12 mars 2017, kur numri i operacioneve ishte rreth 4 mijë nën ofrimin e shërbimit të pajisjeve kirurgjikale nga kompania koncensionare e sterilizimit.

Sot numri i operacioneve ka arritur mbi 400 mijë.

Në 16 mars 2017, Erion Manohasa, në atë kohë drejtor i Përgjithshmëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, njofton QSUT-në përmes një shkrese që shërbimi i sterilizimit të nivelit të lartë dhe të kushtueshëm duhet të shtrihet përtej sallave të operacioneve, duke mbuluar çdo material ambulator të sterilizuar me avull apo me temperaturë të ulët, që përdoret për mjekim plagësh, ndërrim fasho, prerje të lehta etj.

Pra, shkresa konsiston në përdorimin e shërbimit të sterilizimit si për një operacion në sallë ashtu edhe për të hequr ca penjë apo ndërruar një plagë, duke rritur koston. Konkretisht setet e pajisjeve do të përdoreshin si në sallat e operacioneve, ashtu edhe jashtë tyre.

Urdhëri i Manohasë parashikon që nivelin 3 me kosto 140 mijë lekë të përdorej në vend të nivelit 4 për ndërhyrje minimale me kosto 3 mijë lekë të vjetra.

Në vend që të paguhej 3 USD për paketim, paguhej 140 USD për paketim sepse mjekëve u ndalohej të përdornin paketimet me avull dhe ato me temeperaturë të ulët nga urdhri i Manohasës.

Në 15 gusht 2018, pra 18 muaj më vonë, drejtori i ri i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Eduart Ahmeti hodhi poshtë shkresën e Manohasës të marsit 2017, që rriste koston e shërbimit.

Eduart Ahmeti urdhëron që setet e pajisjeve për të tre shkallët e kompleksiteteve (të lartë, të mesëm dhe të ulët) të përdoren vetëm në sallat e operacionit, për shkak të kostos. Nuk ka logjikë që një set me vlerë 140 mijë lekë të përdorej, për shembull, për të hequr penjtë apo mjekuar një plagë.

Kjo manovër e Manohasës, e rrëzuar më pas nga Eduart Ahmeti, ka sjellë një kosto shtesë prej 7 milionë eurosh, para këto që kanë dalë nga buxheti i shtetit, rrjedhimisht nga xhepat e shqiptarëve.

Gjatë konsumimit të këtij abuzimi në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë Ogerta Manastirliu, e cila ka futur ‘kokën në rërë’, minimalisht duke shpërdoruar detyrën.

Këto fakte nxjerrin në pah rolin e pesë ish ministrave dhe disa drejtorëve. Erion Bani thotë që SPAK të mos i ndahet vetëm Beqajt.

Dhe sipas kësaj direktive, steka e hetimit nga koncensioni i sterilizimit u banalizua me disa fatura restorantesh.

Procedimi penal është regjistruar në shtator 2023.

Në 26 dhjetor 2023, Ermal Kurtulaj futet si person nën hetim. Në 27 dhjetor 2023, shkon kërkesa në Gjykatën e Posaçme për të bërë kontrollet. Në këtë rast, Kurtulaj është përdorur si marifet për të hyrë në shtëpinë e Beqajt.

Ndërkohë ishte paralajmëruar se një ditë më pas do të merrej vendimin për shtrëngimin ose jo të masës së sigurisë për Sali Berishën.

Rastësi ose jo, vendimarrja për izolimin e Sali Berishës u intereferua me spektaklin e kontrollin masiv në shtëpinë e Ilir Beqajt dhe në disa biznese të dyshuara si të lidhura me të.

Kontrollet janë një nga format e organit të akuzës për të gjetur prova.

Po a është rastësi që aksioni ndaj ish ministrit socialist përkon me shtrëngimin e masës së sigurisë për Sali Berishës, i cili ka sfiduar dhe i ka shpallur luftë SPAK-ut dhe Gjykatës?!

A po përdoret një hetim i sforcuar, me mugesë totale provash për korrupsion, për të krijuar idenë e një ekulibri politik dhe barazie në opinionin publik?

A po më keq akoma, kontrolli ndaj Ilir Beqaj reflekton kompleksin e disa prokurorëve në SPAK në raport me Sali Berishën?

Duket se Ilir Beqaj do të jetë objekt i veprimit të SPAK sa herë që SPAK do të ketë punë me familjen Berisha dhe ndoshta Meta.