E bëri të provonte supën e burgut, dhëndrit të Berishës nuk i del inati ndaj Taulant Ballës, shan dhe sfidon edhe SPAK-un. Pse Gjykata e Lartë duhet ta kthejë në qeli

Krim & Korrupsion

Publikuar: 31/12/2023

E bëri të provonte supën e burgut, dhëndrit të Berishës nuk i del inati ndaj Taulant Ballës, shan dhe sfidon edhe SPAK-un. Pse Gjykata e Lartë duhet ta kthejë në qeli

Vangjush Dako, i dyshuar për shpërdorim detyre, mbahet në burg. Safet Gjici mbahet në burg për një gojore. Taulant Tushe mbahet në burg si i dyshuar për shpërdorim detyre. Shumë zyrtarë dhe ish zyrtarë mbahen në burg si të dyshuar për shpërdorim detyre.

Dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, i dyshuar nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, vijon të cicërojë nga shtëpia, del natën dhe vijon pastrimin e parave si dhe shan SPAK-un çdo ditë, thua se po flet rojet tek kullat që ka ngritur me para të pista.

Këtë standard të dyfishtë që ka vendosur gjyqtarja Iliriana Olldashi, e cila ka marrë një shtëpi tek kullat e Malltezit, i takon Gjykatës së Lartë për ta zhbërë.

Ose të dalin nga burgu edhe ata që dyshohen për vepra më të lehta penale, ose të kthejnë në qeli dhëndrushin e Saliut, i cili nuk dyshohet për shpërdorim detyr, por për korrupsion dhe pastrim parash, duke rrezikuar deri në 15 vite burg.

Ndërkaq, Profesor Abit nuk i del inati ndaj ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, një ndër të paktët socialistë që i ka dalë përballë Familjes Berisha, pjesë e listës së zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Taulant Balla, me kallëzimin e tij penal, bëri që profesor Abi të provonte disa javë supën e burgut dhe të ndiente veprimin e drejtësisë për aktivitetin zhvatës nën hijen e vjehrrit në pushtet.

Profesor Abi vijon të shajë SPAK-un dhe të akuzojë Ballën se ka bërë kallëzim penal të rremë ndaj tij, ndërkohë që në bazë të atij kallëzim SPAK-u kërkon të mbahet në burg, dhe që shumë shpejt do ta marrë nën akuzë dhe do të kërkojë dënimin e tij për korrupsion dhe pastrim parash.

Prapaskena mëson se SPAK po kërkon në Itali dokumentet që konfirmojnë se paraardhësit e Malltezit janë shpronësuar edhe për ato 113 m2 tokë që pretendonte se i takonin, por që duke përdorur pushtetin e vjehrrit përlau gjysmën e sipërfaqes dhe ngriti 19 kulla, duke patur vetëm 39 mijë euro para të ligjshme.

Dokumenti i shpronësimit dyshohet se është zhdukur nga babai i profesor Abit, i cili ka drejtuar Arkivin e Shtetit gjatë pushtetit të parë të Berishës.

Dokumenti gjithsesi nuk i mbivlerëson dhe as nuk i zhvlerëson provat e SPAK-ut për aferën korruptive të Sali Berishës, i cili përdori pushtetin për pasurimin e familjes së tij.

Ndërkaq, Familja Berisha, përpos Taulant Ballës, prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk i kontrollon dot siç komandonte drejtësinë e Adriatik Llallës, Arjana Fullanit dhe Gjin Gjonit, i është sulur edhe Erion Veliajt, gazetarit Carlo Bollino si dhe gazetarëve të tjerë që kanë investiguar dhe denoncuar për vite me radhë aferat korruptive të Familjes Berisha, me fakte, prova dhe në mënyrë profesionale.

Këto denoncime besohet se janë pjesë e dosjeve të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Britanisë së Madhe, për shpalljen non grata të Familjes Berisha.