A është ndaluar Klodian Braho në Greqi me një grup droge dhe çfarë e lidh me Sabri Fegën dhe trafikantët Gavelli-Veraj?

Krim & Korrupsion

Publikuar: 30/12/2023

A është ndaluar Klodian Braho në Greqi me një grup droge dhe çfarë e lidh me Sabri Fegën dhe trafikantët Gavelli-Veraj?

Çështja e Klodian Brahos, i njohur si prokurori i familjes Meta, është kthyer në një provë të fortë për besueshmërinë dhe reputacionin e SPAK, për barazinë para ligjit, vetëpastrimin, standardet e njëjta dhe qasjen ndaj provave dhe fakteve konkrete.

Teksa kreu i ILD-së Artur Metani është ‘neutralizuar’ përballë shkeljeve të faktuara të Klodian Brahos për shkak të një video shantazhuese korrupsioni që përflitet, vëmendja është përqëndruar tek kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, një figurë deri më tani e pakompromis dhe e pakompromentuar në sytë e shqiptarëve.

Dumani, në një takim informal me gazetarë të zhvilluar në mes të kësaj jave u shpreh se ‘çështja po trajtohet njëlloj si çdo çështje tjetër me seriozitet të plotë. Askush nuk është imun as në radhët tona përfshirë edhe unë”.

Është provuar se prokurori i SPAK Klodian Braho ka udhëtuar në 24 shkurt 2012, me makinën e tij drejt Greqisë, me trafikantin
Ervis Bardhyl Gavelli, pjesë e krimit të organizuar në kuptimin e ligjit, pasi është e konfirmuar zyrtarisht se Bledar (Ervis) Gavelli, bashkëudhëtuesi i prokurorit Klodian Braho, është një personazh i dënuar për trafik narkotikësh.

Braho nuk e ka deklaruar këtë fakt në deklaratën për pastërtinë e figurës, duke konsumuar figurën e veprës penale të falsifikimit të formularëve.

Është e faktuar se Klodian Braho nuk ka deklaruar në deklaratën për pastërtinë e figurës faktin se kunati i tij Ergus Veraj, i dënuar në Itali për trafik droge.

Ky fakt u zbulua nga publiku, Komisioni i Vetingut e mori në shqyrtim dhe mbylli njërin sy, duke konfirmuar në detyrë Klodian Brahon me dy vota pro dhe një kundër.

KPK-ja e konsideroi si të besueshëm pretendimin e Klodian Brahos se nuk e dinte që kunati i tij merrej me drogë. Por, KPK-ja shkarkoi nga detyra prokurorin Përparim Kullurin, i cili ishte në të njëjtat rrethana dhe kushte, madje më të lehta se sa Braho.

KPK-ja operoi me dy standarde. Por, ndoshta nuk ishte në dijeni për njollën e dytë të Brahos, udhëtimet me Bledar Gavellin.

Megjithatë, jo rastësisht, në sondazhet që janë bërë, KPK-ja rezulton shumë më pak e besueshme se sa SPAK.

Në kushtet kur SPAK po shqyrton kallëzimin ndaj Klodian Brahos, Prapaskena paralajmëron se faktet në atë kallëzim janë vetëm maja ajsbergut.

Para se të dalin dokumente të tjera edhe më kompromentuese, po shtrojmë disa pyetje, të cilat mund të shërbejnë si indicie për prokurorin e çështjes së Klodian Brahos.

  1. A është ndaluar Klodian Braho nga policia greke në komisariatin e Glyfadhes në orën 23:05 të datës 25.02.2012, me shtetasit Ervis (Bledar) Gavelli, Sokol Myftari, Romir Cufe, Aldo Bego dhe Desantil Shaninaj i biri i Qazimit ditëlindja 10.09.1983?
  2. Për çfarë është marrë në pyetje, sa është mbajtur në komisariat dhe a e ka deklaruar ndalimin në formularin e dekriminalizimit?
  3. Përveç, Ervis Gavellit, cili anëtar tjetër i grupit ishte pjesë e krimit të organizuar dhe a është deklaruar ky kontakt në formularin për pastërtinë e figurës?
  4. Ku banon sot Klodian Braho dhe ka gënjyer për adresën e banimit?
  5. Çfarë e lidh prokurorin Klodian Braho me biznesmenin Sabri Fega?
  6. A ka udhëtuar jashtë vendit me Sabri Fegën dhe ka fshehur pasuri në emrin e tij?