Polici Adelion Vila që nxjerrë kokainën e Trifon Muratajt nga Porti i Durrësit. Arkat me drogë shkarkohen në Shkozet dhe rikthen sërish në port. Pse nuk sekustrohet Bana King?

Krim & Korrupsion

Publikuar: 24/12/2023

Polici Adelion Vila që nxjerrë kokainën e Trifon Muratajt nga Porti i Durrësit. Arkat me drogë shkarkohen në Shkozet dhe rikthen sërish në port. Pse nuk sekustrohet Bana King?

Trifon Murataj nuk ndalet. Tashmë mund të krahasohet me Eskobarin.

Zhdukja për 2 orë e kontenierit të “Bana King” nga Porti i Durrësit shënon ngjarjen më skandaloze të ndodhur ndonjëherë në Portin e Durrësit.

Nga dosja herimore rezulton se kontenieri është nxjerrë nga porti në shoqërimin e një efektivi policie dhe të disa personave të paidentifikuar. Pasi kontenieri është hapur dhe është shkarkuar ngarkesa në një parkim privat në Shkozet, është rikthyer sërish në port për të kryer kontrollin. 

Kur ka kaluar më shumë se dy javë nga zhdukja disaorëshe e një kontenieri me banane të porositura nga “Bana King”, autoritetet hetimore nuk janë ende në gjendje të thonë se përse u realizua një prej ngjarjeve më skandaloze në Portin e Durrësit.

Megjithatë, në dosjen hetimore janë renditur disa fakte e të dhëna, të cilat ngrenë dyshimet se është një rast trafiku narkotikësh, realizuar nën hundën e Policisë dhe punonjësve të kompanisë që menaxhon terminalin e trageteve.

Nga katër personazhet e arrestuar deri më tani vetëm për “shpërdorim detyre”, rolin më të rëndësishëm duket se e ka pasur punonjësi i Policisë, Adelion Vila.

Ai jo vetëm ka lejuar marrjen e kontenierit nga porti pa kryer asnjë procedurë, por edhe e ka shoqëruar mjetin që transporti ngarkesën deri në destinacionin final, në një parking të quajtur “Koromani”, në Shkozet.

Sipas dosjes hetimore, efektivi Vila ka ndjekur kamionin me mjetin e tij, një Benz me ngjyrë gri ndërkohë që, nën shoqërinë e kamionit ka qenë edhe një mjet tjetër, një Xhip me ngjyrë të kuqe, me persona ende të paidentifikuar.

Pasi kamioni me kontenier ka mbërritur në parkimin në Shkozet, një person tjetër, drejtues i një mjeti pirun, është pajtuar për të zbritur ngarkesën me banane.

Më pas, efektivi Vila dhe personat e paidentifikuar kanë nisur shkarkimin e ngarkesës. Dy orë më pas, kamioni me kontenerin ka hyrë sërish në Port, gjithnjë nën shoqërinë e punonjësit të Policisë, Adelion Vila.

Grupi hetimor ka zbuluar se nga kontenieri me banane janë zbritur disa objekte dhe sende, ta panjohura deri më tani. Prokuroria e Durrësit, deri më tani ka ngritur akuzën e “kontrabandës” për shoferin e kamionit, të identifikuar vetëm më inicialet D.H. i cili është shpallur në kërkim. 

Po ashtu, është ngritur akuza e “shpërdorimit të detyrës” për punonjësin e Policisë, Adelion Vila, si edhe për Denis Muçaj, Egnis Gojani dhe Alketa Kollçaku, të tre punonjës të shoqërisë koncesionare të terminalit të kontenierëve, “Mariner Adriatic”.

Administrator i kësaj kompanie është Gentian Çomo, ndërsa pronar përfitues është shtetasi maltez Marin Hili.

Nuk dihet nëse Marin Hili dhe Gentian Çomo bashkëpunojnë me Trifon Muratajn për trafikimin e kokainës.

Si u “fsheh” ngjarja

Episodi u mbajt i fshehtë për disa ditë. Kjo mungesë transparence mund të ketë qenë një taktikë e Policisë për të kryer hetimet “në heshtje” ose edhe një zgjidhje për të shmangur “njollosjen” për dështimin e radhës të institucioneve ligjzbatuese.

Më e besueshme duket ky varianti i dytë, pasi personi apo personat që kanë organizuar “zhdukjen” disa orëshe të kontenierit i kanë marrë masat për të shmangur përballjen me policinë.

Më së paku, personazhi D.H, i cili ka tërhequr kontenierin, nuk është arritur të gjendet nga policia dhe është shpallur në kërkim.

Gjithësesi, ngjarja u mësua nga një burim alternativ.

“Bana-King”, gjithnjë pa faj

“Zhdukja” e kontenierit të “Bana-King” është episodi i radhës që i ndodh shoqërisë ‘Zico Company” në dy vitet e fundit.

Deri më tani, janë regjistruar më së paku dy raste të mëparshme, ku në kontenierët e mbërritur nga Amerika Latine për llogari të “Bana King” janë gjetur lëndë narkotike kokainë.

Në 30 Dhjetor 2021, agjentët e Policisë arritën të zbulonin 119 kilogramë kokainë në një kontenier që ishte transportuar nga porti i Durrësit në drejtim të magazinave të “Zico Company” në Vaqarr të Tiranës.

Në 3 Nëntor të vitit 2022, gjatë një kontrolli në vijën e dytë të Portit të Durrësit, policia zbuloi rreth 35 kilogramë kokainë në një kontenier me banana, të mbërritur në Shqipëri nga Ekuadori, si porosi e “Bana King”.

Për episodet e mëparshme kanë pasur edhe disa arrestime, ku janë përfshirë punonjës të kompanisë, si edhe punonjës të Doganës së Durrësit. Megjithatë, të gjithë personat e arrestuar janë liruar në kohë të ndryshme, duke i lënë rastet e trafikut të kokainës pa autor.