Astrit Veliaj fshehje pasurie e pastrim parash, makinën 111 mijë euro që bleu në Gjermani e deklaroi në ILDKP 61 mijë euro. Nuk pagoi as doganën. Bleu 2 kostume 12 mijë euro. A do nisë hetimet SPAK-u?

Investigim

Publikuar: 02/12/2023

Astrit Veliaj fshehje pasurie e pastrim parash, makinën 111 mijë euro që bleu në Gjermani e deklaroi në ILDKP 61 mijë euro. Nuk pagoi as doganën. Bleu 2 kostume 12 mijë euro. A do nisë hetimet SPAK-u?

I lakuar në një raport konfidencial të OSBE për pastrimin e parave të Fatmir Mediut, ish deputeti i Partisë Demokratike Astrit Veliaj deklaron se në vitin 2017 ka blerë dy kostume me vlerë 12 mijë euro.

Nga ana tjetër, Prapaskena mëson se gjatë madatit si deputet 2013-2017, Veliaj rezulton se ka shfrytëzuar statusin e deputetit duke blerë jashtë vendit dy makina luksoze pa paguar detyrimet doganore.

Konkretisht, Astrit Veliaj, në vitin 2017, ka blerë në Gjermani një makinë Land Rover LG, e re, viti prodhimi 2017, me vlerë 111 mijë euro. Vlera e TVSH-së së përjashtuar nga privivilegjet e deputetit është 2 997 665 lekë.

Veliaj ka blerë dhe ka sjellë nga SHBA edhe një Benz R350, vit prodhimi 2007, blerë për 12 mijë euro, pa paguar detyrime doganore.

Shmangia e detyrimit doganor nuk është një veprimtari e paligjshme nga Veliaj, pasi neni 17 i ligjit për statusin e deputetit parashikon që deputetit i lejohet që vetëm në një rast gjatë mandatit të tij të mos paguaj detyrim doganor për mjetet e punës, që lidhen me veprimtarinë e tij si deputet.

Por, ajo që bie në sy është fakti shumica e deputetëve e kanë shfrytëzuar këtë privilegj për të sjellë makina të shtrenjta nga Gjermania, Zvicra, Italia, Suedia, Anglia, Serbia, Bullgaria, Franca, SHBA, Kanada etj. 

Në shkurt të vitit 2018, deputeti i PD Eduatd Halimi dorëzoi mandatin e deputetit për arsye të paqarta.

Në vend të Halimit hyri në Kuvend dhe mori mandatin e deputetit Astrit Veliaj.

Në këtë kuadër, Astrit Veliaj ka deklaruar në ILDKPKI të gjitha pasuritë që posedonte dhe burimet justifikuese.

Rezulton se Astrit Veliaj ka mashtruar me deklaratën e pasurisë, duke fshehur vlerën dhe mënyrën se si u bë pronar i makinës Land Rover me vlerë mbi 140 milionë lekë të vjetra në Shqipëri.

Ndryshe nga sa tregojnë dokumentet doganore, Astrit Veliaj deklaron se me 23 maj 2017 makinën luksoze Land Rover e ka përfituar nga shkëmbimi me një makinë të tipit Range Rover të vitit 2014.

Shkëmbimin e ka bërë me kompaninë Mektrin Motors shpk të Edmond Shahinit, duke i paguar si diferencë 61 mijë euro.

Pra, makinën që ka blerë në Gjermani 111 mijë euro, Astrit Veliaj e deklaron në ILDKPKI për 61 mijë euro.

Ndërkaq, makina tip Benz, të cilën Veliaj e ka blerë në SHBA me vlerë 12 mijë euro, nuk rezulton e deklaruar në ILDKPKI.

Këto fakte që dalin nga ballafaqimi i dokumenteve krijojnë dyshime të arsyeshme se Astrit Veliaj ka konsumuar veprat penale të fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave.

Jo vetëm kaq. Por, ish deputeti Veliaj në kohë të ndryshme deklaron burime të ndryshme për krijimin e të njëjtave pasuri.

Në deklarimin fillestar të pasurisë me vlerë dhjetëra milionë euro në vitin 2013, Veliaj deklaron si burim të ardhura nga biznesi.

Ndërkaq, në deklarimin tjetër fillestar të pasurisë në vitin 2018, Veliaj deklaron si burim kursime familjare, paga, shitje të pasurive të paluajtshme dhe të ardhura nga biznesi.

Tepër i dyshimtë është fakti se Astrit Veliaj ka deklaruar një truall 56 m2 në vlerë 550 milionë lekë të vjetra.

Vijon si u bë pronar Astrit Veliaj i godinave publike nga Durrësi deri në Tiranë.