Raporti / Si kalon kokaina në dogana, skaneri nuk kap asgjë, njerëzit e krimit në krye të pikave doganore. A është në dijeni Edi Rama?

Krim & Korrupsion

Publikuar: 15/11/2023

Raporti / Si kalon kokaina në dogana, skaneri nuk kap asgjë, njerëzit e krimit në krye të pikave doganore. A është në dijeni Edi Rama?

Shpartallimi i pikave doganore me në krye një kartel të njerëzve të krimit dhe figurave non grata, tashmë konfirmohet nga Kontrolli i Lartë të Shtetit.

Përmes një raporti auditimi të doganave, KLSH ngre dyshime të forta sa i takon efektshmërisë dhe sinjalizimit të skanerit për të konstatuar mallrat e paligjshme që kalojnë në pikat doganore.

Sipas raportit, Drejtoria e Antikontrabandës, e cila drejtohet nga nipi i bosit të drogës Behar Sofia, nuk ka konstatuar asnjë gabim në skanim, duke ngritur dyshime se skaneri është jashtë funksionit dhe se doganat janë kthyer në han pa porta, për ngarkesat me kokainë dhe mallrat kontrabandë.

Kontatimet e KLSH-së ngenë dyshime të forta për implikim pikërisht të Drejtorisë së Kontrabandës me në krye Fatjon Shehun, nipi i kapos së kokainës, Behar Sofia.

KLSH-ja konstaton sabotimin e Hetimit Tatimor me në krye Ergys Hoxha, i njohur si Gysi i drogës, si dhe të Antikontrabandës me në krye Fatjon Shehun, lidhje e Gysit të drogës, nipi i Sofisë si dhe lidhje e fortë e një personazhi të përfshirë në dosjen e drogës Xibraka, por që i shpëtoi hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku u dënuan vetëm ushtarët, përfshirë këtu edhe nipin e Enver Hoxhës.

Nuk dihet nëse është i informuar Edi Rama se si krimi i organizuar, korrupsioni dhe pastrimi i parave, ka vendosur njerëzit e tij në pikat kyçe doganore.

Prapaskena ka të dhëna se shërbimet informative të brendshme dhe partnere kanë informacion të hollësishëm për kontrollin e sektorëve kyç në dogana nga krimi i organizuar.

Me sa duket pritet të plasë skandali që të ketë reagim, si në rastin e Klement Balilit, i cili para se të arrestohej si Eskobari i Ballkanit, ishte emëruar drejtor Transportesh në Sarandë.

Fatjon Shehu, nipi i bosit të heroinës Behar Sofia, drejtor i Anti-kontrabandës

Në krye të Drejtorisë së Anti-Kontrabandës është vendosur Fatjon Shehu, i cili është nipi i ish bosit të madh të trafikut të heroinës, Behar Sofia, i ekzekutuar në 25 shkurt 2021, pranë ETC-së në Tiranë.

Sofia, i skeduar për trafik droge prej 25 vitesh, besohet se kishte lidhje të forta me turkun Abduselam Turgut, i arrestuar disa vite më parë në Shqipëri.

Nipit të tij i është besuar pikërisht Drejtoria Anti-Kontrabandës në Dogana.

Fatjon Shehu në krye të Anti-kontrabandës besohet se është investim i një personazhi që është shpallur non grata nga SHBA-të, ashtu siç është Alban Dushku dora e këtij personazhi në krye të Doganës së Morinës.

Alban Dushku

Disa ditë më parë, në hyrje të Tiranës, Krimi Ekonomik, ka bllokuar një kamion me mallra kontrabandë.

Fillimisht u dyshua se këto mallra kishin hyrë nga dogana e Kakavijës, por pas hetimeve u zbulua që mallrat kontrabandë kishin hyrë nga dogana e Morinës, me mbeshtetjen e Alban Dushkut dhe nën mbrojtjen e Zëvëndësdrejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Ergys Hoxha, i cili ka në varësi edhe Drejtorinë Hetimore dhe atë Operacionale.

Që të dy bashkë, Alban Dushku dhe Ergys Hoxha, pasi kanë ndarë pazaret, kanë lejuar hyrjen e mallrave, por kanë rënë në rrjetën e agjentëve të krimit ekonomik.

Nuk eshte hera e parë që kjo dyshe bashkëpunon dhe ndajnë bashkë lekët e kontrabandës.

Një tjetër furgon me mallra kontrabandë është kapur nga krimi ekonomik ditët e fundit. Çështja është ende nën hetim.

Muajin e kaluar, policia njoftoi se kishte zbuluar një magazinë në Tiranë me mallra kontrabandë me vlerë 160 mijë euro.

Subjekti ishte i paregjistruar në organet tatimore. Policia njoftoi arrestimin e administratorit të magazinës Gentian Plaku, 31 vjeç, magazinierin Ledio Kamberi 41 vjeç dhe Etmir Dogjani, shitës dyqani, 40 vjeç.

Prapaskena mëson se tre të arrestuarit dyshohet se janë mbulesë e Alban Dushkut dhe se malllrat janë futur kontrabandë në doganën e Morinës.

Alban Dushku, i skeduar për falsifikime dhe dallavere, është arrestuar në vitin 2015 për grabitjen e 4 mijë m2 tokë në Lundër të Tiranës, me vlerë 600 mijë euro, ndërsa posedon pasuri të paluajtshme me bazë financiare të dyshimtë.

Dushku, jo vetëm i shpëtoi veprimit ligjor për tjetërsimin e pronës, por u emëruar përgjegjës i Sektorit të Antikontrabandës Tokësore, më pas i Antikontrabandës Detare dhe më vonë në krye të Doganës së Morinës.

Alban Dushku është dora e një personazhi i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion dhe krim të organizuar.

Ky personazh nga Elbasani pritet të goditet nga SPAK dhe t’i sekustrohet pasuria.

Dushku është gjithashtu lidhje e fortë në punë të pista, trafiqe dhe kontrabandë me Ergys Hoxhën, i njohur si Gysi i drogës.

Duket e çuditshme se si ka mundësi që Edi Rama i ka dorëzuar doganat këtij grupi kriminal, i cili ka shpartalluar pikat doganore, i përdorin për kontrabandën e trafiqeve të tyre, duke shfrytëzuar si mbulesë dhe garanci edhe Drejtorinë Hetimore dhe atë Operacionale.

Gysi i drogës

Në 2013, poshtë makinës së Ergys Hoxhës, te dera e Kryeministrisë, u zbulua një minë “C4”, por u sajua sikur makina ishte e Besnik Dervishit, një personazh paqësor, pa asnjë implikim dhe konflikt. Mina ishte mesazh për Gysin.

Në maj të vitit 2014, Ergys Hoxha u pezulluar nga detyra pasi u përfshi në një konflikt verbal me efektivët të Rrugores, duke i fyer dhe sharë. I gjithë debati mes tyre ishte rregjistruar nga kamerat e instaluara në makinën e patrullës.

Ai lëvizte me një Audi me targs false.

Targa AA 375 DB, të cilën e mbante mjeti tip “Audi A5” i Hoxhës, në sistem i korrespondonte një mjeti tjetër, tip “Fiat Punto” me ngjyrë gri, pronari i të cilit është një person nga Laçi.

Në momentin kur efektivët e Qarkullimit V. B. dhe E. J. i kanë kërkuar shpjegime Ergys Hoxhës për targën e mjetit që rezultonte e parregullt, ai ka nisur t’i fyejë, madje edhe t’i kërcënojë se do t’i hiqte nga puna. Njërit prej efektivëve ai i ka përplasur në fytyrë dokumentin e identifikimit me logon e Kryeministrisë.

Dy efektivët u tradhtuan nga shefat e tyre, të cilët kishin lidhje me Gysin.

Në gusht të vitit 2015, Ergys Hoxha ka pasur një tjetër incident, kësaj radhe me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Në kampin socialsit të Jalë, thuhet se ka pasur një përplasje fizike, ku Ergys Hoxha ka goditur ish ministrin Saimir Tahiri. Nuk dihet se kush ishte shkaku i përplasjes.

Më 12 tetor 2016, Gysi u kap rastësisht nga policia në një makinë vrasësi e trafikanti, por ngjarja u fsheh pasi në pah do të dilnin lidhje dhe pazare me pasoja për politikanë të rëndësishëm.

Në një raport të datës 10 maj 2018, SHISH informoi Edi Ramën, Prokurorinë dhe Ministrinë e Brendshme, se Gysi i famshëm, duke shfrytëzuar postin në kryeministri, ishte përfshirë dhunshëm e pa asnjë tagër ligjor, në aksionet e ALUIZNI e IKMT në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shëngjin, e Vlorë, duke diktuar se cilët objekte duheshin rrafshuar e cilët jo.

Sipas burimeve, Gysi ka pasur përplasje edhe me të dënuarin për përdhunim në grup, Ervis Roshi, me disa emra, ish kryetar i Bashkisë Kavajë.

Ergys Hoxha dhe Rroshi besohet se kanë qenë bashkëpunëtorë në punë të zeza dhe biznese. Dyshja është akuzuar edhe nga shteasi Dritan Kanapari se i kanë vendosur tritol.

Gysi dhe Roshi dyshohet se qëndrojnë pas një resorti me vlerë 6 milionë euro në Kavajë, siç është ‘Supreme Hotel&Spa’, ndërtuar me para të dyshimta.

Shërbimet japin alarmin

Prapaskena mëson se disa organe ligjzbatuese vendase dhe partnere, përfshirë edhe shërbimet informative, kanë dhënë alarmin për shpartallimin e pikave dognore, pasi janë intensifikuar rastet e dyshuara të kontrabandës së mallrave dhe trafiku i drogës.

Që kur Drejtoria Hetimore dhe Operacionale u iu besua Gysit të drogës, kanë mbetur pa ‘punë’ dhe kanë dalë jashtë loje edhe trafikantët e inflitruar si punonjës në Portin Durrësit, pasi kokaina që kalonte me tonelata në port me kontenierë, tashmë dyshohet se kalon lehtësisht në pikat doganore me garanci të shokëve të Gysit.