TIRANË- Padia e kreut të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhit në SPAK për çështjen McGonigal është pranuar. Sot ish-këshilltari i kryeministrit Edi Rama, Dorian Duçka është thirrur në Prokurorinë e Posaçme si dëshmitar i parë për të dhënë dëshminë e tij për skandalin me ish-shefin e kundërzbulimit të FBI-së.
Fillimisht Duçka u paraqit në SPAK rreth orës 15:00 dhe ka qëndruar aty plot 4 orë. Ndërkohë që për gazetarët, ai nuk pranoi që të prononcohej, por u shpreh vetëm se ata mund të pyesin departamentin e drejtësisë në SHBA. SPAK pritet që të vazhdojë në ditët e ardhshme me dëshmitarët e tjerë për këtë çështje.
“Mund të pyesin departamentit e drejtësisë në Amerikë”, tha Duçka.
Në Shqipëri, Dorian Duçka ka qenë në qendër të vëmendjes për çështjen McGoinigal. Ish-shefi i kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal është paguar për të nisur një hetim ndaj opozitës me informacione që vinin nga Shqipëria. Në akt-akuzë, Duçka përshkruhet si personi B, një njeri i punësuar në qeverinë shqiptare. Vetë kryeministri Edi Rama ka thënë se Duçka punonte si këshilltar i Jashtëm pa pagesë, ndërsa ka mohuar që ai të ketë paguar në emër të qeverisë shqiptare agjentin e FBI