Prapaskena

Pa kategori

Avokatët e Berishës bojkotojnë seancën e GJKKO, Gjokutaj tregon arsyen pse u larguan

Publikuar: 25/10/2023

Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë bojkotuar seancën në Gjykatën e Posaçme për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj ka treguar jashtë ambienteve të gjykatës edhe arsyen pse kanë vendosur të bojkotojnë procesin. Sipas tij, GJKKO nuk ka pranuar që masën e ndalimit të lëvizjes jashtë shtetit të Berishës, ta çojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Ata pretendojnë se masa është në shkelje me Kushtetutën pasi një deputeti që ka imunitet nuk mund t’i ndalohet lëvizja.

Sakaq, mësohet se seanca është duke vijuar me avokat të caktuar nga shteti.

“Ne u paraqitëm sot në seancë, kemi paraqitur kërkesë dje për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, dhe kemi bërë përkesë të na japin procesverbalin audio dhe me shkresë. Si dhe Gjykata të vendosë një kopje të akteve, megjithatë pa u njohur me aktet merr vendimin të vazhdojë seancën. Ne kemi kërkuar që gjykata të marrë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e lirisë. Gjykata mori vendim për të rrëzuar këtë kërkesë tonën dhe ne u larguam nga procesi.

Gjykata po përdor instrumenta për të mos na njohur me aktet. Seanca e verifikimit është një seancë që rishikon edhe njëherë aktet, nuk mund të jemi pjesë e atij procesi pa u njohur me aktet”, deklaroi Gjokutaj.



Më të lexuarat