Prapaskena

Pa kategori

Sali Berisha bën mbrojtjen nga selia blu: Aktakuzë e turpshme ndaj reformave të PD!

Publikuar: 24/10/2023

Ish-kryeministri, Sali Berisha, zgjodhi që mbrojtjen për çështjen e privatizimit të ish-Kompleksit Sportiv Partizani ta bëjë nga selia blu dhe të mos shkojë në seancën që po mbahet për të në Gjykatën e Posaçme.

Në një konferencë për gazetarët, Berisha foli për vendimin e miratuar prej tij në kohën kur ishte kryeministër “për shtytjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit”.

Sipas Berishës, vendimi për përdorimin e letrave me vlerë në procesin e privatizimeve, kishte përparësi ish-pronarët.

“Letrat me vlerë janë emetuar në Shqipëri si një mekanizëm me të cilin synohej që qytetarët të përfitonin diçka nga privatizimi i ndërmarrjeve. Ato u përdorën rëndom në vendet ish-vendet komuniste. Si president, kam miratuar në 1995 emetimin dhe shpërndarjen e tyre. Ato janë shpërndarë falas për qytetarët sipas grupmoshave.

Një variant i tyre ishin lekët e privatizimit, që iu dhanë të përndjekurve politikë. Ato ishin në mënyrë absolute ekuivalent me lekun. Nuk janë identike me lekun. Lekët kishin vlerën më reale. Në këtë periudhë, bonot e privatizimit, u përdorën për privatizimin e mijërave objekteve dhe dhjetëra sipërmarrjeve dhe blerjes së banesave, legalizimit të tyre. Të përndjekurve, lekët e privatizimit iu dhanë si dëmshpërblim për vitet e burgjeve dhe kampeve të privatizimit. Me ato të përndjekurit blenë objekte, morën mbështetje.

Në 1997 procesi u ndërpre, por nuk largua. Edhe në 2020, kjo qeveri ka vendim për përdorimin e tyre.

Në vitin 2008, në prag të privatizimeve, rikthehet përdorimi i tyre në masën 80% me bono dhe 20% me lekë. Pronarët blenë rreth 20 miliard lekë objekte që u privatizuan. Në total, pjesa tjetër, konsumoi rreth 120 milionë euro ose dollarë. Vendimi me të cilin në mënyrë të pafytyrë akuzohem për korrupsion pasiv se qenka bërë për të përfituar dhëndri im pronar”.

Nga ky vendim, argumenton ish-kryeministri, përfituan mijëra qytetarë dhe Jamarbër Malltezi ishte një prej tyre.

“Vendimi nuk kishte asnjë lidhje. Jamarbër Malltezi pronar, me 64 pronarë të tjerë, i detyroheshin 794 mijë euro. I paguan qindarkë më qindarkë, pa bono privatizimi pasi nuk kishte dalë vendimi. 11.4 % janë paguar gjithsej me bono. Kjo është e vërteta. Në vazhdim, mijëra qytetarë të tjerë i kanë përdorur për privatizimin e banesave”.
Berisha e cilëson aktakuzën si politike. Sipas tij, pas dosjes së Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion qëndron kryeministri Edi Rama.

“Kjo është një aktakuzë e turpshme, ndaj një reforme që edhe sot ekziston. Bonot përdoren si detyrim ndaj qytetarëve, pasi u privatizua një ekonomi e tërë dhe ata mbetën duarbosh. Problemi është aktakuzë politike e mirëfilltë ndaj reformave. PD nuk heq dorë asgjë nga programi i saj. Ndihem i nderuar për çdo akt dhe ligj që ka ndërmarrë. Të gjesh gjykatës që analizojnë ligjet dhe t’i lejojnë vetes të shpifin, kjo ndodh vetëm në mitologji. por, kjo nuk na dekurajon”.
Të vetmit që kanë përfituar, shtoi Berisha, janë pronarët:

“Nëse unë akuzohem për korrupsion se kam vendosur shtytjen e afatit të përdorimit të bonove të privatimizimit, nga e cila kanë përfituar 64 pronarë, grup të cilin qeveria dhe shteti shqiptar u detyrohej me ligj minimumi 1 milion e 50 mijë euro për tre vite me radhë qira, sepse nuk ua lironte mafia tokën, këtë do ta bëja 1000 herë. Kjo është e gjitha. Të akuzohem se i ka favorizuar ndërkohë që me ligj unë kam disfavorizuar pronarët”.
Pjesë e dosjes voluminoze të SPAK-ut për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv Partizani është edhe diskutimi i bërë në një një prej mbledhjeve, që drejtohej nga kryeministri i atëhershëm Sali Berisha, ku diskutohej “për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet për procedurën e shitjes”.

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, fliste për metodologjinë e pagesës së vlerës së objektit, i cili më herët bëhej me lekë, ndërsa tani parashikohej të bëhej me lekë dhe letra me vlerë.



Më të lexuarat