Tre persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e sotme në lagjen Lakrishtë në Prishtinë.
Ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa policia ka bërë me dije se janë identifikuar autorët dhe po punohet për kapjen e tyre.
Të plagosurit, identiteti i të cilëve gjithashtu nuk bëhet i ditur, janë dërguar në spital ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
“Sot rreth orës 19:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Lakrishte në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri janë plagosur tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor.
Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e dy personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, bëjnë me dije zyrtarët e policisë në Prishtinë