Gjyqtari Hektor Sinanaj palë me mafien e pronave Helidon Gjikokën, i shkurton ditët e burgut duke përdhosur ligjin, historia e grabitjes së kompleksit Ambel

Krim & Korrupsion

Publikuar: 18/10/2023

Gjyqtari Hektor Sinanaj palë me mafien e pronave Helidon Gjikokën, i shkurton ditët e burgut duke përdhosur ligjin, historia e grabitjes së kompleksit Ambel

Emisioni “Stop” iu rikthye sonte rastit të Elidon Gjikokës, i cili përmes një kontrate qiramarrjeje për një pronë në Dhërmi u bë pronar, duke korruptuar sistemin e legalizimit dhe hipotekës së Vlorës.

Bëhet fjalë për kompleksin Ambel në Dhërmi.

Pas publikimit në “Stop”, Prokuroria e Tiranës nisi një procedim tjetër, duke dërguar para drejtësisë 16 të akuzuar me në krye Elidon Gjikokën, për shpërdorim detyre dhe vepra korruptive.

Prokurori Albert Kuliçi fillimisht i eliminoi bashkëpunëtorët e Elidonit, duke mos i akuzuar 15 zyrtarët e Aluiznit dhe Hipotekës. Por Gjykata e Lartë vendosi në 22 nëntor 2022 zëvendësimin e masës nga Detyrim Paraqitjeje në Arrest Shtëpie. Ne kemi parë, sesi në 12 janar 2023 Elidon Gjikoka thyen arrestin e shtëpisë.

Ilia Koka, njëri prej vëllezërve, që iu rrëmbye prona, denoncoi këtë fakt. Pas njoftimit nga ana e gazetarit të “Stop”, policia e Vlorës shkoi në vendngjarje dhe bëri të mundur shoqërimin në komisariat të Elidon Gjikokës, për të vijuar procedurat.

Pasi gjyqtari Enkel Peza pushoi akuzat për 16 personat, që në seancën paraprake, familja Koka e apeloi dhe fitoi dy shkallët, Apelin dhe të Lartën, të cilat vendosën, që 16 personat e akuzuar të dënohen.

Në këtë fazë çështja vjen sërish në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë. Skandali i radhës i gjyqtarit Hektor Sinanaj ka të bëjë me faktin, se ai ka pranuar gjykimin e shkurtuar për të pandehurit, në një kohë që ligji ia ndalon.

Në këtë mënyrë Sinanaj del hapur në favor të të akuzuarve dhe Elidon Gjikokës. Për këtë shkelje flagrante ne kemi marrë opinionin e tre ekspertëve të fushës Gentian Trenova, ish-prokuror i krimeve të rënda, Genci Gjokutaj, ish-prokuror/avokat dhe Andri Ymeri ish-kryetar i Gjykatës Shkodër.

“Nuk mendoj që ka gjyqtarë që të pranojë kërkesën e gjykimit të shkurtuar kur është e vërtetuar që fashiklli i dorëzuar nga prokurori ka atë të pavlefshme apo prova të papërdorshme. Kjo është praktikë e konsoliduar të paktën nga viti 2001. Unë e përjashtoj mundësinë që të procedohet me gjykim të shkurtuar për arsye se kjo nënkupton që gjyqtari nuk zbaton vendimin e kolegjit të bashkuar të Gjykatës së Lartë”, tha Ymeri.

“Gjyqtari nuk mund të pranojë gjykimin e shkurtuar. E thënë më popullorçe kjo histori vënia në themel, sepse gjithë qëllimi është gjykimi dhe dhënia e një vendimi në fund. Por që ky vendim të jetë sintezë e provave duhet që këto prova të jenë marrë në formën e parashikuar nga ligji. Konstatimi i pavlefshmërisë tregon pikërisht as më shumë e as më pak faktin që është shkelur ligjin në marrjen ose bërjen e asaj prove. Kështu që ka një dispozitë ndaluese që në mënyrë taksative e ndalon gjykatën, në dy raste kur kemi burgim të përjetshëm dhe në rastet kur palët kërkojnë pavlefshmërinë ose papërdorueshmërinë, por ligji e ngarkon gjykatën kryesisht për ta konstatuar”, tha Gjokutaj.

“Nuk mundet dot që gjykata të pranojë gjykimin e shkurtuar duke bërë pjesë të fashikullit dhe këtë akt për të cilin që ka një vendim gjykate që e ka deklaruar të pavlefshëm. Ky vendim i gjykatës në thelb është në kundërshtim me një vendim të një gjykate më të lartë që e ka deklaruar atë të pavlefshme. Kjo do të çonte një proces të parregullt dhe do të çonte pastaj në një vendim nul të pavlefshëm dhe mendoj që pastaj në një proces tjetër në një shkallë më të lartë ky proces do të konsiderohet i pavlefshëm”, tha Trenova.

Hektor Sinanaj u ndëshkua nga KLGJ-ja

Gjyqtari Hektor Sinanaj është i skeduar për thyerje dhe deformim në zbatimin e ligjit.

Në tetor 2021, Hektor Sinanaj mori masën e ndëshkimit vërejtje publike nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas ankimit të ILD -së për pesë vendime të tij për pezullim të urdhrave të ekzekutimit në favor të dy institucioneve financiare.

Vendimet e Sinanajt ishin prishur në Apel dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani tha se ato ishin marrë në “interpretim të gabuar të ligjit”.

ILD i kërkoi KLGJ-së si masë disiplinore uljen e rrogës me 40 për qind për 1 vit ndaj gjyqtarit, por Këshilli vendosi për një masë më të butë.

Procesi disiplinorë ndaj Sinanajt u kërkua nga Metani pas ankesave – nga institucioni financiar NOA sha dhe Banka Kombëtare Tregtare, për refuzimin e urdhrave të ekzekutimit të kredive në kundërshtim me ligjin.

Sipas ILD-së nga hetimi janë identifikuar 7 raste kur gjyqtari nuk ka lëshuar urdhra ekzekutimi në favor të institucionit financiar NOA dhe në 2 raste ndaj BKT-së.

Sipas ILD-së vendimet e Sinanajt se kontratat e kredisë nuk përbëjnë titull ekzekutiv janë hedhur poshtë në të gjitha rastet nga Gjykata e Apelit Vlorë, nga dy trupa të ndryshme gjyqësore, çfarë sipas Inspektoratit tregon se interpretimi i ligjit nga ana e tij ka qenë i gabuar.

Sinanaj kundërshtoi këto pretendime. Ai tha se vendimet e tij kishin pasur interes vetëm dhënien e drejtësisë dhe se kishte mbrojtur qytetarët nga abuzimi.

Grabitja e kompleksit

Në vitin 2020, Ilir Koka është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës ku ka denoncuar përvetësimin e pronës së tij, kompleksit me 12 shtëpi private mbi sipërfaqen 1430 m2 në Dhërmi, nga Helidon Gjikoka.

Në vitin 2009, Ilir Koka, meqenëse ndodhej në jashtë vendit, ka autorizuar Helidon Gjikokën që të ndiqte punimet për ndërtimin e kompleksit dhe të kryente veprime të tjera, por në asnjë rast nuk i ka dhënë të drejtën t’i tjetërsonte pasurinë. Shtëpitë private po i ndërtonte në pronën që ia kishte lënë trashëgim babai.

Pas hetimeve të thelluara dhe intensive, Prokurori Ervin Karanxha ka konstatuar se Helidon Gjikoka, në vitin 2017, kishte kërkuar legalizimin e pasurisë së tjetrit në emrin e tij, ndërsa në vitin 2018, pra një vit më pas, Gjikoka e kishte marrë me qira të njëjtën pasuri tek pronari Ilir Koka.

Ky fakt, sipas Prokurorisë, tregon se Ilir Koka ka qenë pronar i kompleksit, por prona i është vjedhur përmes falsifikimeve nga Helidon Gjikoka në bashkëpunim me avokatit Artion Kasaj, që vepronte në emër të Ilir Kokës.

Nëse prona do të ishte e Gjikokës, ky i fundit nuk kishte pse t’ia merrte me qira Kokës.

Ndërsa Ilir Koka ishte në Greqi, prona e tij, që nga data 28 janar 2019 ka kaluar në emrin e Helidon Gjikokës. Po si arriti Helidon Gjikoka të bëhej pronar i kompleksit turistik të Ilir Kokës?

Nëse prona do të ishte e Gjikokës, ky i fundit nuk kishte pse t’ia merrte me qira Kokës.

Ndërsa Ilir Koka ishte në Greqi, prona e tij, që nga data 28 janar 2019 ka kaluar në emrin e Helidon Gjikokës. Po si arriti Helidon Gjikoka të bëhej pronar i kompleksit turistik të Ilir Kokës?

Në vitin 2009, Ilir Koka, meqenëse ndodhej në Greqi, ka autorizuar me prokurë Helidon Gjikokën, të cilin e kishte djalë halle, për të ndërtuar, rrethuar dhe administruar kompleksin “Ambel Beach”, në pronën e tij që i kishte lënë trashëgim babai.

Gjikoka i jepte me qira 12 shtëpitë gjatë sezonit turistik, duke i dhënë një tarifë Kokës.

Nga shtatori 2017, Ilir Koka ka autorizuar avokatin Ariton Kasajn, për të përfaqësuar interesat e tij me të tretët.

Në vijim, avokati Ariton Kasaj ka kryer veprime juridike me Helidon Gjikokën, në emër të Ilir Kokës, sipas prokurorisë, në kundërshtim me vullnetin e Kokës.

Në dosje thuhet se Helidon Gjikoka, në bashkëpunim me avokatin Ariton Kasaj, ka falsifikuar të dhënat e formularit të legalizimit, me qëllim për të marrë pronën e Ilir Kokës.

Nga hetimi ka rezultuar, se Gjikoka ka gjetur momentin që Iliri ka qenë me probleme dhe ka vepruar më pas në fshehtësi, për të marrë pronën e Ilirit nëpërmjet falsifikimit të formularëve të legalizimit.

Më pas, edhe kontratën e energjisë elektrike, Gjikoka e ka kaluar në emrin e tij.

Një vit pas aplikimit për legalizimin e pronës së Ilir Kokës, me formular të falsifikuar dhe në emër të Adiseldo Rrapaj, në 20 shtator të vitit 2018, shefi i legalizimeve Adiseldo Rrapaj, ka miratuar legalizimin në emër të Gjikokës, edhe pse ishte në dijeni se prona i përkiste Ilir Kokës.

Punonjësi Ardian Musta ka shqyrtuar praktikën e legalizimit të pasurisë, edhe pjesë është njohur me lejen e ndërtimit të vitit 2010, që ishte në emrin e Ilir Kokës.

Pjesë e skemës janë bërë edhe punonjësit Erdet Mandi, Arber Jaupaj dhe Denis Metaj, të cilët kanë pasqyruar të dhëna të rreme në aktet e përpiluara nga ana e tyre, në funksion të vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.

Në dosje del në pah edhe roli i Jonida Hallvaxhiut dhe Enida Bukuroshit, juriste pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Tiranë, të cilat kanë rrëzuar ankimin e pronarit të grabitur, i cili kundërshtonte kalimin e pronës së tij në emër të Gjikolës.

Ankimimi është rrëzua për shkak të tejkalimit të afatit, por sipas prokurorisë, dy juristet duhet të kallëzonin krimin e vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.