Grupi i Gysit të drogës që komandon kontrabandën e trafiqet në dogana. Shërbimet japin alarmin. Ngrihet trau për tonelata kokainë e cigare? Kush është Alban Dushku

Krim & Korrupsion

Publikuar: 17/10/2023

Grupi i Gysit të drogës që komandon kontrabandën e trafiqet në dogana. Shërbimet japin alarmin. Ngrihet trau për tonelata kokainë e cigare? Kush është Alban Dushku

Ditët e para të 2023, Ergys Hoxha, i etiketuar në media dhe i vetëprezantuar si ‘Gysi i drogës’, u emërua nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Doganave, duke pasur në varësi Drejtorinë Hetimore dhe atë Operacionale. Më herët, Ergys Hoxha ishte drejtor i Antikorrupsionit në Kryeministri.

Prapaskena mëson se disa organe ligjzbatuese vendase dhe partnere, përfshirë edhe shërbimet informative, kanë dhënë alarmin për shpartallimin e pikave dognore, pasi janë intensifikuar rastet e dyshuara të kontrabandës së mallrave dhe trafiku i drogës.

Që kur Drejtoria Hetimore dhe Operacionale u iu besua Gysit të drogës, kanë mbetur pa ‘punë’ dhe kanë dalë jashtë loje edhe trafikantët e inflitruar si punonjës në Portin Durrësit, pasi kokaina që kalonte me tonelata në port me kontenierë, tashmë dyshohet se kalon lehtësisht në pikat doganore me garanci të shokëve të Gysit.

Disa institucione informative kanë dhënë alarmin, ndërsa me raportet sekrete shqetësuese mësohet se është njohur kryeministri dhe SPAK.

Të ardhurat nga akciza e cigareve pritet të bien me dhjetëra milionë euro pikërisht për shkak të kontrabandës.

Në Tiranë gjithashtu janë shtuar magazinat me mallra kontrabandë me vlerë miliona euro, mallra që kanë kaluar me garanci në pikat doganore.

Disa ditë më parë, policia njoftoi se kishte zbuluar një magazinë në Tiranë me mallra kontrabandë me vlerë 160 mijë euro.

Subjekti ishte i paregjistruar në organet tatimore. Policia njoftoi arrestimin e administratorit të magazinës Gentian Plaku, 31 vjeç, magazinierin Ledio Kamberi 41 vjeç dhe Etmir Dogjani, shitës dyqani, 40 vjeç.

Prapaskena mëson se tre të arrestuarit dyshohet se janë mbulesë e Alban Dushkut dhe se malllrat janë futur kontrabandë në doganën e Morinës.

Alban Dushku është drejtori i Doganës Morinë, ndërsa konsiderohet lidhje e fortë varësie një figure të krimit të organizuar.

Dushku, i skeduar për falsifikime dhe dallavere, është arrestuar në vitin 2015 për grabitjen e 4 mijë m2 tokë në Lundër të Tiranës, me vlerë 600 mijë euro, ndërsa posedon pasuri të paluajtshme me bazë financiare të dyshimtë.

Dushku, jo vetëm i shpëtoi veprimit ligjor për tjetërsimin e pronës, por u emëruar përgjegjës i Sektorit të Antikontrabandës Tokësore, më pas i Antikontrabandës Detare dhe më vonë në krye të Doganës së Morinës.

Ambasadat dhe shërbimet inteligjente janë kanë informacion të detajuar për dorën e krimit që komandon Doganën e Morinës dhe disa degë të tjera doganore.

Pjesë e grupit të Gysit të drogës që Rsms u ka besuar doganat, është edhe Fajon Shehu,  drejtor i anti-kontrabandës, bashkë me Agim Rakipin, shef i operacionales. Dyshja mbulon veprimtarinë e paligjshme në dogana.

Pjesë e këtij rrjeti është edhe Herkul Marku, drejtor i Doganës së Kapshticës, i shkarkuar ditët e fundit pasi pritet të arrestohet për kontrabandë masive dhe flagrante të cigareve dhe mallrave të tjerë.

Drejtori i Doganës së Qafë Thanës, Gentian Berberi, është gjithashtu pjesë e këtij karteli.

Dogana e Qafë Thanës është një nga nyjet kryesore të kontrabandës, ndërsa herë pas here në pranga bien vetëm ‘cironkat’ si doganierët Arian Hajrulla, Fisnik Mahmutllari, Vladimir Bardhi, Julian Poce, Stefan Hila, Anesti Tushinka, Ilir Spahiu, Lefter Duraj, Mikel Goxharaj etj.

Pjesë e këtij grupi është edhe Ergys Kateshi, drejtor i anti-kontrabandës së Elbasanit. Kateshi është akuzuar për krime zgjedhore dhe pastrim parash.

Ky grup ka në krye Ergys Hoxhën, nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Doganave.

Ergys Hoxha, i njohur si Gysi i drogës, ka në varësi pikërisht Drejtorinë Hetimore dhe atë Operacionale, duke mbuluar veprimtarinë e kartelit të deganierëve.

Grupi mësohet se ka krijuar një pasuri me vlerë dhjetëra milionë euro nga kontrabanda dhe lejimi i trafiqeve, ndërsa paratë i kanë nisur një pjesë në offshore dhe pjesërisht i kanë investuar në pasuri të palujtshme si hotele, resorte, lokale, pallate, vila, apartamente etj., kamufluar në emrin e njerëzve të afërt.

Po kush është Gysi i drogës?

Në 2013, poshtë makinës së Ergys Hoxhës, te dera e Kryeministrisë, u zbulua një minë “C4”, por u sajua sikur makina ishte e Besnik Dervishit, një personazh paqësor, pa asnjë implikim dhe konflikt. Mina ishte mesazh për Gysin.

Në maj të vitit 2014, Ergys Hoxha u pezulluar nga detyra pasi u përfshi në një konflikt verbal me efektivët të Rrugores, duke i fyer dhe sharë. I gjithë debati mes tyre ishte rregjistruar nga kamerat e instaluara në makinën e patrullës.

Ai lëvizte me një Audi me targs false.

Targa AA 375 DB, të cilën e mbante mjeti tip “Audi A5” i Hoxhës, në sistem i korrespondonte një mjeti tjetër, tip “Fiat Punto” me ngjyrë gri, pronari i të cilit është një person nga Laçi.

Në momentin kur efektivët e Qarkullimit V. B. dhe E. J. i kanë kërkuar shpjegime Ergys Hoxhës për targën e mjetit që rezultonte e parregullt, ai ka nisur t’i fyejë, madje edhe t’i kërcënojë se do t’i hiqte nga puna. Njërit prej efektivëve ai i ka përplasur në fytyrë dokumentin e identifikimit me logon e Kryeministrisë.

Dy efektivët u tradhtuan nga shefat e tyre, të cilët kishin lidhje me Gysin.

Në gusht të vitit 2015, Ergys Hoxha ka pasur një tjetër incident, kësaj radhe me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Në kampin socialsit të Jalë, thuhet se ka pasur një përplasje fizike, ku Ergys Hoxha ka goditur ish ministrin Saimir Tahiri. Nuk dihet se kush ishte shkaku i përplasjes.

Më 12 tetor 2016, Gysi u kap rastësisht nga policia në një makinë vrasësi e trafikanti, por ngjarja u fsheh pasi në pah do të dilnin lidhje dhe pazare me pasoja për politikanë të rëndësishëm.

Në një raport të datës 10 maj 2018, SHISH informoi Edi Ramën, Prokurorinë dhe Ministrinë e Brendshme, se Gysi i famshëm, duke shfrytëzuar postin në kryeministri, ishte përfshirë dhunshëm e pa asnjë tagër ligjor, në aksionet e ALUIZNI e IKMT në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shëngjin, e Vlorë, duke diktuar se cilët objekte duheshin rrafshuar e cilët jo.

Sipas burimeve, Gysi ka pasur përplasje edhe me të dënuarin për përdhunim në grup, Ervis Roshi, me disa emra, ish kryetar i Bashkisë Kavajë.

Ergys Hoxha dhe Rroshi besohet se kanë qenë bashkëpunëtorë në punë të zeza dhe biznese. Dyshja është akuzuar edhe nga shteasi Dritan Kanapari se i kanë vendosur tritol.

Gysi dhe Roshi dyshohet se qëndrojnë pas një resorti me vlerë 6 milionë euro në Kavajë, siç është ‘Supreme Hotel&Spa’, ndërtuar me para të dyshimta.