Pasuria e Lul Morinës mbi baza të dyshimta, si bë miliarder me kompani pa bilance fruta-perimesh, lidhjet me 2 idianët e pastrimit të parave

Krim & Korrupsion

Publikuar: 13/10/2023

Pasuria e Lul Morinës mbi baza të dyshimta, si bë miliarder me kompani pa bilance fruta-perimesh, lidhjet me 2 idianët e pastrimit të parave

Biznesmeni Juljan Morina, i njohur si Lul Morina, është pyetur nga SPAK në lidhje me një hua prej 80 mijë euro që i ka dhënë Saimir Tahirit.

Në shtator të vitit të kaluar, Lul Morina ishte objekti veprimit të vendimit të qeverisë, për sekuestrimin e ndërtimeve pa leje.

Morinës iu sekuestrua një pallat 9-katësh në zonën e Liqenit të Thatë, pasi objekti ishte ndërtuar pa leje.

Kryeministri Edi Rama tha se ngritja e pallatit të paligjshëm ishte lejuar nga një shef komisariati, duke ngritur dyshime për një ndikim të mundshëm të biznesmenit Morina.

Po kush është biznesmeni Lul Morina?

Njihet për ekspozimin e luksit, me jaht me emrin e tij, resorte, hotele dhe pallate.

Emri i Lul Morinës doli edhe një herë në pah në vitin 2019 gjatë historisë së pazakontë të vëllezërve indianë Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, të dyshuar për përvetësimin dhe pastrimin e 1 miliard USD përmes një skeme më kreditë bankare në Indi.

Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë qindra milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, para të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë e sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.

Dy vëllezërit indianë gjetën strehë në Shqipëri, ndërsa u pajisën me nënshtetësi nga Ilir Meta, ndonëse drejtësia indiane i kërkonte në të gjithë botën për pastrim parash.

Ata krijuar në vitin 2017 dy kompani ndërtimi “Tulja Real Estate” dhe “Laxmi Real Estate&Investment”, ndërsa në dhjetor 2018 hynë në ortakëri me 50 % të aksioneve me Lul Morinën, në kompaninë “DRYMADES DREAM”, e cila mes aseteve ka edhe resortin e njohur “DRYMADES DREAM” në Dhërmi.

Dy vëllezërit blenë 50 % të aksioneve për 100 mijë euro. Tre muaj më pas, Lul Morina i merr sërish 50 % të aksioneve, përmes kompanisë ‘Rinia 04’, duke u dhënë dy vëllezërve indianë një apartament në Vlorë.

Përpos kompanisë “DRYMADES DREAM”, Morina është pronar i disa kompanive të tjera ndërtimi si ‘Rinia 04’, kompania e ndërtimit Xheluks Construksion me të cilën ndërtoi pallatin pa leje si dhe pronar i kompanisë, themeluar në vitin 2022, më objekt zhvillimi dhe menaxhimi i projekteve gjeneruese të energjisë elektrike fotovoltaike.

Përmes kompanisë ‘Rinia 04’, Morina ka qenë pronar i kompanisë VILDRI, e cila ka fituar kontrata për ndërtim hidrocentralesh, ku më pas ia kaluar aksionet kompanisë Alpet Energy.

Lul Morina njihet edhe si ish donator i Klubit të Futbollit Tirana. Madje, në fund të vitit 2019, Morina shprehu interesin për t’i blerë Bashkisë së Tiranës 34 % të aksioneve të Klubit Tirana. “Me sa di unë, ekipi ka pasur dhe ka disa borxhe të mëparshme që ekzistonin që kur isha unë pjesë e Tiranës. Nuk kam një pasqyrë të qartë të situatës dhe borxheve. Fakti që dua të hyj në këtë klub dhe të marr aksionet e bashkisë ka përgjegjësi më vete. Këtë lëvizje e bëj për të ndërtuar diçka më të mirë, për të ngritur Tiranën atje ku e ka vendin”, tha Julian Morina.

Julian Morina njihet për jetën e luksit, ku ekspozon në rrjetet sociale një jaht me mbiemrin e tij ‘Morina’, makinë Rolls Royce etj. Lul Morina shfaqet në regjistrin e biznesit 12 vitet e fundit, ndërsa nuk dihet baza mbi të cilën e ngriti kapitalin

Pasuri me baza të dyshimta

Lul Morina ka ngritur një pasuri me vlerë dhjetëra milionë euro mbi baza të dyshimta dhe të mistershme, ku përfshihet edhe hoteli Radisson në Tiranë.

Morina u shfaq në fushën e biznesit të ndërtimit në vitin 2005, duke i blerë Shaban Zekajt aksionet në kompaninë ‘Rinia 04’, themeluar në vitin 2004, me kapital 100 mijë lekë, me zyra në Fier.

Një vit më pas, Morina i shton kompanisë fantazmë të ndërtimit si objekt veprimtaria edhe import/eksport të frutave/perimeve.

Kompania ‘Rinia 04’, herë rezulton me bilance dhe herë pa bilance.

Në vitin 2012, Morina i blen Besnik Serdanit kompaninë Xheluks Construksion, për 100 mijë lejë, me të cilën ka ndërtuar pallatin pa leje tek Liqeni i Thatë në Tiranë. Edhe kjo kompani ishte themeluar në vitin 2010 dhe nuk kishte ndonjë aktivitet të konsoliduar ekonomik.

Në vitin 2018., Lul Morina i blen Jorgji Ruçit kompaninë “Drymades Dream”, për 7.5 milionë lekë, duke ndërtuar më pas resorte më vlerë miliona euro.

Çuditërisht edhe kjo komapni kishte si objekt import/eksport të fruta/perimeve.

Disa muaj më pas, Lul Morina, me këtë kompani, hyn në ortakëri me vëllezërit indianë Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, në kërkim për përvetësimin dhe pastrimin e 1 miliard USD përmes një skeme më kreditë bankare në Indi.

Me anë të këtyre kompanive që i ka blerë me më pak se sa 10 milionë lekë, Lul Morina ka qarkulluar miliarda lekë dhe ka investuar dhjetëra milionë euro në pasuri të paluajtshme, si resorte, hotele dhe pallate, por edhe duke blerë jaht, makina të shtrenjta etj.