Disa evidenca të organeve ligjzbatuese i vizatojnë Union Bank dhe Wester Union Albania si një nga lavatriçet më të famshme të pastrimit të parave në Shqipëri, mbështetur edhe nga Wester Union dhe një kartel prej 25 kompanive.
Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Shërbimi Informativ Shtetëror, Banka e Shqipërisë dhe asgjencitë partnere të zbatimit të ligjit kanë konstatuar me mijëra tranferta të dyshimta dhe me flamur të kuq nga Union Banka dhe Wester Union, por deri më sot, çuditërisht, i kanë shpëtuar veprimit të ligjit.
Union Bank është e ndërlidhur në raport pronësie, lëvizje parash dhe si kartel me Wester Union, Union Grup, Union Financiar, Media Union, Union Travel etj.
Pjesë e kartelit janë United Motors, United Transport, Albanian Cargo Service, Albanian Courier, Auto Master, Media Union, PLUS COMMUNICATION, Arch Investor, UNI-COM, Pluton Investor, S-SYSTEMS, Sesa, UNI-CONS, Geo Consulting, UNION DISTRIBUCION SERVIS ALBANIA, Paylink, Auto City etj.
Pas këtij karteli qëndron Edmond Leka, si pronar faktik dhe në letra deri diku i kamufluar.
Po le të ndalemi në disa evidenca dhe fakte për pastrimin e parave të pista nga karteli financiar i Edmond Lekës.
1. Union Bank mbuloi me para në formë kredie korrupsionin dhe pastrimin e parave të Damir Fazlliç dhe Familjes Berisha, me pronat në Porto Romano, që bliheshin me para cash nga Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi me 10 euro m2, duke ia shitur menjëherë kompanive të Fazlliçit me 18 euro m2, gjoja për të ndërtuar një park energjitik.
Fazlliçi mori kredi me vlerë mbi 5 milionë euro në banka, me kolateral të rremë dhe projekt biznesi fals. Ndau para dhe pastroi para me Argitën dhe Jamarbërin.
Nga ana tjetër Berisha kryeministër transformoi me vendim qeverie tokën e pavlerë kënetore në “park industrial” ku do të ndërtoheshin impiante të mëdha elektroenergjetike.
Toka në fjalë supozohej se do të përjetonte rritje të mëdha të vlerës, duke i siguruar pronarit të saj ndoshta dhjetëramilionë euro përfitime.
Me një “leje qeveritare” në xhep, Damir Fazlliç, nëpërmjet kompanisë së tij, Croën Acquisitions mori kredi në banka.
Dy elementë nuk janë anashkaluat deri më sot sa i takon aferës Fazlliç-Argita.
Së pari që skema u financua nga Union Bank e Edmond Lekës, edhe pse banka e dinte se kishte të bënte me një mashtrues dhe se kolaterali i Fazlliçit ishte vetëm në letra. Por, Union Bank financoi aferën dhe mbuloi pastrimin e parave, me sa duket në këmbim të pastrimit të parave nga vetë banka pa u trazuar nga Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe prokuroria që kontrolloheshin nga Berisha.
Së dyti, Fazlliçi përfitoi 1.7 milionë euro nga skema e rimbursimit të TVSH. Pra, nuk mjaftuan paratë që mori te Union Bank, pastrimi i parave dhe korrupsioni, por mori edhe para nga buxheti i shtetit.
2. Në vitin 2015, në media rrodhi një raport sekret i OSBE, me të dhëna tronditëse, rreth veprimtarisë kriminale të kupolës politike të Tiranës dhe disa biznesmenëve, të cilët shërbenin si tunel i politikës dhe krimit për dërgimin e parave të pista në Evropë dhe në parajsat fiskale, por edhe për dërgimin e patave nga vendet e drogës në Shqipëri.
Në raportin sekret thuhet se “Edmond Leka është Drejtor Ekzekutiv dhe pronar i “Union Bank”, përfaqësues i “Western Union” për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Kompanitë e tij, dyshohet se kanë shërbyer për të transferuar shuma marramendëse parash, në shumë raste nga burime të paligjshme….”.
Edmond Leka përshkruhet në raportin e OSBE si njeriu që lëviz prej më shumë 20 viteve paratë e pista përmes “Western Union”, një kompani që merret me transfertat e parave nga Shqipëria në vendet e tjera dhe anasjelltas.
Gjatë këtyre viteve besohet se në ‘tunelin’ e Lekës kanë kaluar dhjetëra milionë euro para të pista, duke përfshirë edhe paratë e korrupsionit të politikanëve, krimit të organizuar, trafikantëve dhe ndoshta celulave terroriste.
Sipas raportit sekret, Leka u jep një pjesë të parave partive politike për fushata, dhe kështu më pas siguron mbrojtje të aktivitetit në fushën e lëvizjes së parave të pista.
3. Agjencitë ndërkombëtare, sidomos ato amerikane, vetëm gjatë viteve 2007-2017, kanë konstatuar dhe skeduar 1132 transferta parash të pista të bosëve të krimit, në Unionin e Edmond Lekës, në vlera marramendëse.
Një aktivitet më të konsoliduar në fushën e pastrimit të parave, Edmod Leka dyshohet se e kryen me bankën e tij të nivelit të dytë Union Bank. Western Union dhe Union Bank plotësojnë një njëra-tjetrën, ndërsa kotrollohen nga Edmond Leka.
4. Në vitin 2017, Union Bank u gjobit nga Drejtoria e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave me akuzën e mosrespektimit të procedurave të ligjit për paratë e pista.
Edhe pse ndëshkimi ishte një masë qesharake ndaj Union Bank, sërish sinjali për prokurorinë ishte i mjaftueshëm për të nisur një hetim.
5. Në disa dosje penale të pastrimit të parave dhe goditjes së baronëve të drogës, dalin gjithnjë në skenë dy ‘Unionët’ e Edmond Lekës.
Union Bank dhe Wester Union kanë shërbyer si kanal për futjen e parave të drogës në vend dhe në disa raste largimin drejt offshoreve të parave të pista.
6. Disa gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët janë shkarkuar nga Vetingu si të korruptuar, kanë përdorur pikërisht Union Bank për qarkullimim e parave të dyshimta.
Pothuajse në asnjë rast, Union Bank nuk ka raportuar në oganet përkatëse këto transaksione të dyshimta.
7. Prapaskena ka mësuar nga burime të dorës së parë se për Union Bank dhe Wester Union ka disa raporte sekrete dhe shqetësuese nga shërbimet informative vendase dhe partnere për pastrim masiv parash.
Prapaskena ka parë edhe disa transaksione të kartelit të kompanive të Edmond Lekës me kompani me rrënjë në offshore dhe të skeduara për pastrimin e parave që vijnë nga aktiviteti kriminal.
Biznesmeni Edmond Leka i ka shpëtuar deri më sot veprimit të ligjit, ndërsa Shqipëris është kthyer në listën gri për pastrimin e parave, duke kaluar nën monitorim.