Sinjal për SPAK: Një kokë krimi po interesohet për sabotimin e hetimit të sulmit mafioz ndaj Gjergj Zefit

Krim & Korrupsion

Publikuar: 05/10/2023

Sinjal për SPAK: Një kokë krimi po interesohet për sabotimin e hetimit të sulmit mafioz ndaj Gjergj Zefit

Vetëm disa orë pas sulmit mafioz ndaj gazetarit Gjergj Zefi nga 4-5 mercenarë të krimit, një kokë e krimit të organizuar ka nisur të interesohet dhe të tundë topat me euro, me qëllim për të sabotuar hetimet.

Pas aktit burracak dhe kriminal, dora e krimit të organizuar, e tronditur nga zgjerimi i hetimeve të SPAK-ut që po çon drejt burgut përjetë figurat e krimit, ka nisur të lëvizë dhe lobojë me kujdes, për të devijuar dhe sabotuar hetimet.

Ndikimi i paligjshëm tek funksionarët publikë, në rastin konkret tek oficerët dhe drejtuesit e policisë, është një vepër penale në kompetencë të SPAK-ut.

SPAK dhe BKH-ja duhet të monitorojnë hetimet nga policia dhe prokuroria për këtë rast, për të cilin ka pasur reagime që nga Presidenti, opozita, gazetarët dhe shoqatat e gazetarëve, interesim nga ambasadat e vendeve perëndimore etj.

Vonesa e policisë për të dalë me një panoramë dhe pistë paraprake 48 orë pas ngjarjes, ngre dyshime të forta.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka treguar agazhim dhe vullnet për zbulimin e autorëve dhe porositësit, por ditët po kalojnë.

Ngjarja pothuajse është e zbardhur pasi autorët kanë lënë gjurmë të shumta. Makina ka qëndruar disa orë në një zonë vetëm disa metra larg qendrës së Tiranës, monitoruar ngado me kamera.

Cubat e fshehur pas xhamave të zinj kanë dalë nga makina, duke kryer sulmin në një zonë të monitoruar me kamera.

Gjurmë gishtash, fije floku dhe shenja të tjera janë lënë në vendin e ngjarjes. Autorët kanë qenë 4-5.

Pra, kemi të bëjmë me një ngjarje që duhej të ishte zbardhur brenda 24 orëve.

Ndërkaq, porositësi, po lëviz çdo gurë, përmes personave të tretë për të sabotuar hetimet, me qëllim që ngjarja të mbetet e pazbardhur, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Identifikimi dhe dokumentimi i porositësit, do ta vendoste këtë të fundit jo vetëm para rrezikut të 3 viteve burg, por do ta vendoste në fokus të mediave dhe gazetarëve, mbi aktivitetin e tij, shkaqet e aktit kriminal, të kaluarën, lidhjet etj.