Prapaskena mëson se një grup nga SPAK-u ka zbarkuar në befasi në Ministrinë e Financave disa ditë më parë duke sekustruar dosjen e koncesionit abuziv të markimit të kaburanteve të treshes Sali Berisha, Ridvan Bode dhe Ismail Mulleti, por që tashmë dyshohet se ka përfunduar në duart e kontrabandistit Sinan Idrizi, i cili kamuflohet pas turkes Nerve Korkmaz.

Disa ditë para se të shkarkohej si ministre e Financave, Delina Ibrahimaj kishte mbledhur grupin e punës për të zgjatur me 15 vite koncensionit, me urdhër të Edi Ramës, meqenëse koncensioni nuk kontrollohej më nga financuesi i Shkëlzen Berishës, Ismail Mulleti, por nga klienti i Ramës, Sinan Idrizi.

I denoncuar nga vetë socialistët si korruptiv dhe klientelist kur ishin në opozitë, tashmë socialistët në pushtet kërkonin shtyrjen e koncesionit të markimit të karburanteve me 15 vite.
Prapaskena mëson se disa nga anëtarët e grupit të institucioneve të linjës kishin kundërshtuar dhe refuzuar për të firmosur, ndërsa kishin sjellë argumentet kundër të PS kur ishte në opozitë dhe gjatë vitit të parë të pushtetit.
Në vitin 2014, Ministria e Financave kishte kundërshtuar dhe denoncoi zyrtarisht koncensionin si korruptiv dhe klientelist, por qeveria u tërhoq nga anulimi për shkak të përballjes së mundshme në Arbitrazh.
“Nuk bëj burg unë për bizneset dhe pazeret tuaja”, ka pohuar një nga anëtarët.
Sipas burimeve, Delina Ibrahimaj lëvizte e alarmuar nga kundërshtitë, ndërsa një herë fliste me Ramën, një herë me Idrizin.

Pavarësisht presioneve, disa nga anëtarët nuk u dorëzuan, duke bërë që mbkedgja të shtyhej.
Dy ditë më pas, një grup me përfaqësues të SPAK-ut ka zbarkuar në befasi në Ministrinë e Financave, duke sekustruar dosjen e koncensionit të markimit të karburanteve.
SPAK po verifikon procedurat e ndjekura si dhe rrugën e lëvizjes së parave deri në offshore.
Gjithashtu po hetohen edhe rrethanat e shtyrjes së koncensionit me 1 vit, vendimarrje e cila do të marrë 40 milonë euro nga xhepat e shqiptarëve.
Shtyrja me 1 vit
Me 9 gusht 2023, qeveria firmosi zgjatjen me 1 vit të koncensionit të Sali Berishës dhe Ridvan Bodes për markimin karburanteve, me kosto shtesë 40 milionë euro.
Në vitin 2012, para se të largohej nga pushteti një vit më pas, Berisha ia dha këtë koncension kompanisë ‘Global Fluids Internationals’ (GFI), me normë fitimi 39 %.
Kompania vendos një lëndë kimike identifikuese në karburante kur ato hyjnë në Shqipëri nga importi dhe pastaj kryen analiza në pikat e karburantit për të raportuar te doganat nëse në treg ka apo jo karburant të pamarkuar. Për këtë shërbim shqiptarët paguajnë mbi 15 milionë euro në vit.
Koncensioni u denoncua si aferë korruptive nga socialistët në atë kohë në opozitë, por edhe gjatë viteve të para të pushtetit, por treguan pamundësinë e anulimit për shkak të arbitrazhit.
Pas koncensionit qëndronte Ismail Mulleti, një biznesmen kontrovers pranë Familjes Berisha, i lidhur me kompaninë Shqiponja të PD-së, me ish administrator Tritan Shehu, kompani e cila u përdor për furnizimin me naftë të Millosheviçit, duke thyer embargon e Perëndimit.
Befas Mulleti u bë edhe pronar i Taivanit, të cilin ia shiti një shtetasi grek për 750 mijë dollarë, i cili e shet 3 muaj më vonë me dyfishin e çmimit të blerjes.
Ismail Mulleti dhe Assaf Halkin rezultojnë fillimisht pronarë përfitues të kompanisë GFI ALBANIA. Më pas, për të humbur gjurmët kompania kaloi në disa duar, sot në duart e turkes Nerve Korkmaz, i cili e kontrollon GFI-në përmes dy kompanive në Zvicër.
Koncensioni, deri në vitin 2022, kontrollohej nga Mulleti dhe Assaf Halkin. Në shkurt 2022, në regjistrin e përfituesve fundorë të kompanisë GFI Albania, largohet shtetasi Ismail Mulleti dhe regjistrohet si përfitues fundor Nerve Korkmaz, e cila ka qenë konsulle nderi e Shqipërisë në Izmir të Turqisë.
Sipas disa raportimeve mediatike, Nerve Korkmaz është lidhje i Sinan Idrizit, një biznesmen po aq kontrovers sa Ismail Mulleti.
Sinan Idrizi, përpos të tjerave, ka edhe një dosje kontrabande të 3 milionë cigarave, e mbyllur në mënyrë të dyshimtë nga Prokuroria e Durrësit.
Ismail Mulleti financues i Shkëlzen Berishës
Ismail Mulleti, i përfshirë në skandalin “Panama Papers”, është një nga financuesit e Shkëlzen Berishës.
Para se të merrte koncensionin, Ismail Mulleti ka kaluar përmes dy transfertave bankare 350 mijë euro në llogaritë e Shkëlzen Berishës.
Në 22 qershor 2012, Mulleti ka kaluar 200 mijë euro në llogari të Shkëlzen Berishës, pasi Shkëlzeni i kishte gjetur për të blerë ca toka në fshatin Rinia në Durrës.

Duket se ‘shërbimi’ është një kamuflim i një tarife korrupsioni, pasi më vonë babai i Shkëlzenit kryeministër, Sali Berisha, do t’i jepte Mulletit koncensionin 10-vjeçar të markimit të karburanteve.
Është një episod klasik korrupsioni dhe përdorimi të pushtetit për pasurim familjar nga Sali Berisha, ashtu siç është edhe motivuar shpallja non grata për korrupsion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga raporti ka dyshime të forta se Shkëlzeni ka qenë pronar faktik i koncensionit të markimit të karburanteve deri në vitin 2022.