Inceneratorët / Dënohet me 10 vite burg Lefter Koka

Aktualitet

Publikuar: 25/09/2023

Inceneratorët / Dënohet me 10 vite burg Lefter Koka

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka marrë vendimin për Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe 13 të pandehurit e tjerë.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është dënuar me 10 vite burg, por me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6.8 vite burg.

Në seancën e kaluar, (6 shtator) ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka shfajësoi veten përballë akuzave lidhur me inceneratorin e Fierit. I pranishëm në GJKKO në seancën e konkluzioneve të mbrojtjes, ish-ministri tha ndër të tjera se nuk ka pasur fuqi vendimmarrëse në këtë çështje dhe se vetëm ka ekzekutuar.

Në seancën e konkluzioneve të mbrojtjes, ai tha se kërkon drejtësi, ndërsa akuzoi Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin si autorët e kallëzimit penal të bërë ndaj tij.
“Akuza bazohet në mendime personale të fallxhores, jo në prova që janë kriter themelor i proçesit penal. Të besosh tek çifti famëkeq është njësoj si të investosh tek Sudja dhe Rrapushi në ditët e fundit të falimentit”, u shpreh ish-ministri në gjykatë.

SPAK ka kërkuar 10 vjet burg për Lefter Kokën, por për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht prokuroria kërkon që ai të dënohet me 6 vite e 8 muaj burg, i njëjti dënim i kërkuar ndaj tij edhe në procesin për inceneratorin e Elbasanit.

Për ish deputetin socialist, Alqi Bllako, u kërkua 7 vite. Për shkak të pranimit të gjykim të shkurtuar prokuroria kërkon përfundimisht dënimin me 4 vite e 8 muaj.

Ndërsa për Klodian Zoton, aksioner kryesor i koncesionarit të Fierit ende në kërkim u kërkua dënimi 12 vite burg. Për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht prokuroria kërkon që ai të dënohet me 6 vite e 8 muaj burg.