Një konflikt i heshtur po përshkallëzohet me kërcënime dhe shantazhe të ndërsjella mes Ilir Metës dhe deputetit të Shkodrës, Agron Çela, tek i cili familja Meta besohet se ka fshehur një pjesë të pasurisë me vlerë miliona euro, ku përfshihen para cash, resorte dhe hotele.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, krahas përgatitjes për t’u përballur me një urdhër-arrest të mundshëm nga SPAK për dosjen e lobimit, po kërkojnë me nxitim ndryshimin e pronësisë së disa pasurive të paluajtshme me vlerë miliona euro brenda vendit, kamufluar në emrat e disa biznesmenëve dikur të besuar të tij, por sot ‘tradhtarë’ ose të dyshimtë.
Ilir Meta synon të sigurojë pasuritë që ka në emër të Agron Çelës, Gentian Sulës së Kodrës së Diellit, Irfan Hysenbelliut, Muharrem Berishës dhe të paktën 17 biznesmenëve të tjerë.
Por, disa prej biznesmenëve, përfshirë edhe Agron Çela, po bëjnë rezistencë për të kaluar pasuritë e Metës në emra të rinj, me shpresën se Meta do të arrestohet nga SPAK dhe pasuria do t’u mbetet përfundimisht atyre.
Nuk është më sekret që Ilir Meta, në emër të Agron Çelës, ka kaluar resortin “Grand Europa Resort” në Velipojë, ndërtuar me para të dyshimta dhe mbi prona të grabitura shtetërore nga Ilir Meta në Velipojë.

Meta besohet se ka në emër të ish mikut të tij, Agron Çela, edhe Kafen e Madhe në Shkodër blerë për 950 mijë euro, një hotel luksoz si dhe 5 milonë euro.
Por, le të ndalemi tek lufta për resortin në Velipojë.
Resorti është formalisht në emrin e bashkëshortes së Agron Çelës, Belma Çela, por pronare faktike është Monika Kryemadhi, e cila kërkon ta kalojë resortin në emrin e të vëllait të saj Drini Kryemadhi dhe të dajës së Metës, Vladimir Metani. Ky i fundit është pronar i kompanisë së ndërtimit Desaret Company, e cila ka marrë mbi 20 milionë euro tendera publikë.
Që Belma Çela është pronare në letra dhe Monika Kryemadhi është pronare faktike e resortit po sjellim 3 fakte dhe disa rrethana.
Së pari, deputeti i LSI Agron Çela që iu bashkua PS-së para zgjedhjeve lokale, ka patur vetëm 300 m2 tokë në Pulaj të Plazhit Velipojë.
Së dyti, sipërfaqja e resortit është 23 mijë m2 në tokë shtetërore, e grabitur nga Ilir Meta, duke e kaluar si pronë private të Belma Çelës, në emër të firmës “Xhenis-SH” me letra të falsifikuara.

Së treti, Belma Çela nuk kishte mundësi financiare për investimin me vlerë miliona euro, por paratë ishin të Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, me burim jo të ligjshëm.
Së katërti, Meta mori pjesë në nisjen e punimeve në 20 mars 2012, ndërsa në 15 korrik 2018, Monika Kryemadhi ka inaguruar hapjen e këtij resorti në Velipojë.
“Nga dita e sotme, turizmi shqiptar krenohet me këtë resort modern, të ndërtuar falë largpamësisë së çiftit Agron e Belma Çela me mbështetjen e miqve të mirë, të cilët Goni nuk i ka braktisur kurrë”, tha Kryemadhi.
Në ceremoninë e inagurimit, Monika Kryemadhi sillej si pronare dhe respektohej si e tillë, ndërsa Belma Çela si të ishte kamarierja e Monikës, edhe pse çifti Meta-Kryemadhi e bënë konsulle nderi të Mongolisë.
Pas 5 vitesh, çifti Çela refuzon të dorëzojë resortin, duke parë edhe pozitat e dobësuara të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhi, të cilët për herë të parë në jetën e tyre politike janë përballë rrezikut të arrestimit nga SPAK.
Prapaskena mëson se Monika Kryemadhi ka kërcënuar Belma Çelën se do ketë pasoja të rënda nëse nuk lëshon resortin, por nga ana tjetër Agron Çela i është pêrgjigjur se mund të denoncojë Monikën dhe Metën, çka do të ishte tepër e rrezikshme për fatin e tyre në këtë situatë.

Nga ana tjetër, Ilir Meta, në rrethet mediatike ka përhapur një thashethem, ku pretendon se ka një video intime dhe shkatërrimtare për Agron Çelën, duke dhënë edhe disa detaje, të cilat nuk janë etike për t’u përmendur.
Nuk dihet nëse vërtetë Ilir Meta ka një material shantazhues për Agron Çelën apo po luan blofin për të shtuar presionin tek çifti Çela që të dorëzojnë resortin.