Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në 20:45 kundër Polonisë në “Air Albania”. Sfida e Tiranës është e pesta për dy skuadrat që luajnë në grupin E kualifikues të Euro 2024. Kuqezinjtë e Sylvinhos (7 pikë) mbajnë vendin e dytë në grup, me një pikë më pak se Çekia (8) dhe një pikë më shumë se Polonia (6).
Dueli është deçiziv për fatet e kualifikimit, me “Shqiponjat” kuqezi që kanë në dorë kalimin ose jo në fazën finale të “Gjermani 2024”, paçka se pas Polonisë luhen edhe tre ndeshje të tjera.
Në stadiumin e tejmbushur, ku biletat janë shitur të gjitha një muaj më parë, Kombëtarja e ka vërtet një finale, kjo edhe për pritshmëritë pas barazimit 1-1 në Pragë kundër Çekisë dy ditë më parë. Me një fitore sot kundër polakëve, kuqezinjtë do “pronotonin” një vend në Gjermani, teksa edhe barazimi do i mbante tanët të dytët në grup.
Tanimë ethet e ndeshjes kanë nisur, me tifozët që janë nisur nga mbarë trojet shqiptare për të qenë në stadium. Grupimi i Tifozave Kuq e Zi që prej orës 15:00 janë mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku kanë nisur festën me këngë patriotike. “Xhamadani vija-vija, është Kosova është Shqipëria”, dëgjohet të thonë tifozët, që kërkojnë një fitore sonte kundër polakëve për të vijuar me rrugëtimin drej Evropianit të Gjermanisë.
Përballja e sotme do fillojë me një minutë heshtje, kjo për të nderuar viktimat e tërmetit shkatërimtar që goditi Marokun dje. UEFA ka vendosur që të gjitha ndeshjet e këtij raundi të nisin me një minutë heshtje dhe nderimi.
Në prag të ndeshjes, trajnerët Sylvinho dhe Fernando Santos kanë bërë me dije edhe titullarët në të dyja kampet. Kuqezinjtë luajnë me skemën 4-3-3, teksa Sylvinho ka bërë dy ndryshime nga ndeshja e tre ditëve më parë kundër Çekisë në Pragë. Strakosha dhe Uzuni do jenë në fushë nga minuta e parë kundër Polonisë.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami; Asani, Uzuni, Cikalleshi Trajner: Sylvinho
Polonia (4-4-2): Szczesny; Cash, Kedziora, Bednarek, Kaminski; Kiuor, Zielinski, Szymanski, Krychouiak, Berezynski, Lewandowski Trajner: Fernando Santos