Ilir Meta dhe Menduh Thaçi kërkojnë 1 milionë euro në Arbitrazh pas pastrimit të parave dhe zhvatjes së tokave në Fier me Muhammad Karim, historia e fermës që nuk ekziston

Investigim

Publikuar: 08/09/2023

Ilir Meta dhe Menduh Thaçi kërkojnë 1 milionë euro në Arbitrazh pas pastrimit të parave dhe zhvatjes së tokave në Fier me Muhammad Karim, historia e fermës që nuk ekziston

Një kompani, pas të cilës qëndrojnë dyshja Ilir Meta dhe Menduh Thaçi, i kërkojnë shtetit shqiptar në Arbitrazhin ndërkombëtar 1 milionë euro dëmshpërblim pas historisë së famshme të pastrimit të miliona eurove me skemën e mashtrimit të investimit për të ndërtuar një fermë të madhe në Komunën Topojë të Fierit, duke marrë 1146 hektarë tokë publike nga Ministria e Bujqësisë.

Në vend që protagonistët e kësaj afere të kishin dalë me pranga në duar nga dera e SPAK-ut, për korrupsion të provuar, pastrim parash, zhvatje dhe mashtrim me pasoja të rënda, ata kërkojnë të marrin edhe 1 milionë euro në Arbitrazh me perëndimin se Ministria e Bujqësisë nuk u ka vendos në dispozicion pronat që u dha në letra ministria në vitin 2015, në atë kohë nën drejtimin e Edmond Paranaritit, i cili si shef kishte Monika Kryemadhit.

Avokatura e Shtetit po e mban të fshehtë këtë përballje në Arbitrazh, ndërsa Ministria e Bujqësisë nuk ka referuar asnjë material penal në SPAK.

Bëhet fjalë për kompaninë Agri Products Europe, me nipt L32311001V, themeluar në nëntor të vitit 2013, nga Servatius Petrus Gerardus Huibers, me kapital 100 mijë lekë, me objekt veprimtarie në fushën e agrobiznesit të prodhimeve bujqësore dhe prodhimin e ushqimeve.

Në 12 dhjetor 2013 hyn në lojë një personazh me lidhje komprometuese me Ilir Metën, i skeduar për lidhje me celula terroriste dhe i dënuar me burgim të përjetshëm në vendin e tij për pastrim parash.

Ai është Mohammad Obaidul Karim nga Bangladeshi, i cili blen 75 % të aksioneve të kompanisë Agri Products Europe për 75 mijë lekë.

Në shkurt të vitit 2015, Mohammad Obaidul Karim, i cili sot vuan dënimin me burg përjetë, bëhet pronar me 100 % të aksioneve të kompanisë.

Ndërkohë në janar të vitit 2015, me urdhër të Ilir Metës, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, sabotoi projektin serioz norvegjez për të ndërtuar një fermë të madhe në Komunën Topojë të Fierit, me vlerë 22 milionë euro, ku do punësoheshin mbi 1300 persona.

Përfaqësues të kompanisë norvegjeze kanë deklaruar publikisht se Ilir Meta kërkonte 5 milionë euro, në këmbim të marrjes së 1146 hektarë tokë publike me qira nga Panariti. 

Pas refuzimit për të ‘votuar’ tek Meta, investitorët norvegjezë të Farm Albania u përjashtuan në minutat e fundit nga ankandi për të marrë pronat publike me qira për të ndërtuar fermën e madhe. Ata nuk e konceptonin dot që të paguanin tek kryetari i Kuvendit para për të kryer një investim serioz në Topojë të Fierit.

Po atë ditë, në 17 janar 2015, në orën 14:00, hyn në garë kompania fantazmë Agri Product Europe, e ‘Fazlliçit’ nga Bangladeshi, Muhammad Obaidul Karim, i dënuar me burgim të përjetshëm për korrupsion dhe pastrim parash.

Karim ishte mbajtur si plan B nga Meta nëse norvegjezët nuk do të ‘dorëzoheshin’ deri në fund. Meta kishte ndërhyrë ndërkohë tek Bujar Nishani (President) për ta pajisur Muhammad Obaidul Karim me shtetësi shqiptare VIP si aset kombëtar.

Për më tepër, Muhammad Obaidul Karim ishte i skeduar edhe si financues i terrorizmit. Megjithatë, me këmbënguljen nerzove të Metës, Nishani i dha pasaportën shqiptare brenga 62 orëve.

Bordi Qiradhënies i Tokave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë i dha tokën pikërisht Muhammad Obaidul Karim. Jo rastësisht, kompania e Muhammad Obaidul Karim asistohej nga studioja ligjore e vjehrrit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë. 

Pra, vjehrri ishte përfaqësues ligjor i kompanisë së Muhammad Obaidul Karim, ndërsa dhëndri ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë që organizonte ankandin për tokat, dhe ku në fund ankandin e fitonte kompania fantazmë e Muhammad Obaidul Karim.

Gjithsesi, në fund të fundit, e rëndësishme ishte ndërtimi i fermës.

Po a e ndërtoi fermën në Fier klienti i Metës nga Bangladeshi? Aq sa ndërtoi Fazlliçi parkun energjetik në Porto Romano! Muhammad Obaidul Karim erdhi për të pastruar paratë e pista në Shqipëri, ku gjeti shokun ideal, Ilir Metën.

Besohet se vetëm Ilir Meta ka marrë 5 milionë euro nga klienti i tij Muhammad Obaidul Karim.

Në mars të vitit 2017, del në skenë njeriu i pazareve të Ilir Metës, Menduh Thaçi, përmes nipit të tij Bekim Ceka. Ky i fundit bëhet administrator i kompanisë Agri Products Europe, me nipt L32311001V, ndërsa pronari në letra Muhammad Obaidul Karim ia kishte mbathur pas pastrimit të parave, vepër penale të cilën e konsumonte sa herë i jepej mundësia.

Në qershor 2022, Mohammad Obaidul Karim i kalon aksionet kompanisë TEDAX dhe largohet si aksioner, ndërkohë që ishte në burg në Bangladesh. Karim autorizon një noter në Bangladesh dhe ia shet aksionet TEDAX me pronar Bekim Cekën, lindur në Tetovë dhe banues në Gjermani, nip i ortakut të Ilir Metës, Menduh Thaçi.

Tre javë më vonë, nipi i Menduh Thaçit, Bekim Ceka, ia shet aksionet Besnik Dudaj 49 %, Ahmetaj Kaloshi 49 % dhe Julian Gjini 2 %.

Sot e kësaj dite nuk ka fermë dhe asnjë investim, ndryshe nga sa shkruhet në letra.

Kompania ishte një instrument i Ilir Metës, Menduh Thaçit dhe Karimit nga Bangladeshi për të pastruar paratë e pista, si dhe për të marrë edhe ndonjë dorë nga Ministria e Bujqësisë në Arbitrazh, ndërkohë që SPAK ende nuk ka regjistruar një procedim penal për këtë aferë korruptive.