Zjarr masiv në Porto-Palermo, ndërhyhet me helikopter. Evakuohen banorët

Aktualitet

Publikuar: 19/08/2023

Zjarr masiv në Porto-Palermo, ndërhyhet me helikopter. Evakuohen banorët

Forcat ushtarake dhe zjarrfikëse po tentojnë shuarjen e një zjarri masiv që pushtoi zonën pyjore të Porto-Palermos.

40 efektivë të Forcave të Armatosura, të ndihmuar edhe me helikopter “Cougar”, u angazhuan prej së premtes mbrëma për shuarjen e flakëve që rrezikonin përhapjen drejt zonave të banuara për shkak të erërave të forta.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se operacionet e zjarrshuarjes u vështirësuan nga kushtet e terrenit.

Ndërkohë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, njoftoi evakuimin e banorëve nga banesat dhe bizneset e zonës.

“Në këtë moment situata është drejt normalizimit dhe po vijon puna për eleminimin e të gjithë vatrave, të cilat paraqesin rrezik për rindezje të zjarreve,” shkroi ministri Balla në Facebook.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes paralajmëroi: “Përpara ligjit çdokush që ndez zjarre, çdokush që nuk njofton dhe pa dashje apo me dashje bëhet bashkëpunëtor.”