Ardian Tufa, kreu i njësisë administrative Farkë dhe pronar i restorantit të njohur si ‘Nari‘ në Lundër, ka përfituar 240 milionë lekë të vjetra nga fondet që Bashkimi Evropian ka akorduar për bujqësinë në Shqipëri.
Biznesmeni Tufa i ka përfituar paratë nga programi i IPARD, me letrat e kontrolluara dhe të pranuara nga Frida Krifca dhe grupi i saj në AZHBR, përmes kompanisë Nari Lundra shpk, me përshkrim ‘Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit’.
Kompania Nari Lundra shpk me pronar Ardian Tufën ka në pronësi restorantin Nari në Lundër.

Nuk dihet me saktësi se ku kanë përfunduar paratë.
Ndryshe nga rasti i Xheni Xhikurisë, ku AZHBR ka publikuar fotot e resortit në Dhërmi të ndërtuar me paratë e bujqësisë, në rastin e Ardian Tufës mungojnë fotot e investimit të kryer me fondin e akorduar.

Por, edhe sikur investimi të jetë korrekt, Bashkimi Evropian i ka akorduar fondet për fermerët realë dhe jo për restorantet private të biznesmenëve me lidhje politike, as për vilat e analistëve pranë Sali Berishë dhe as për serat e hashashit të bosëve të kokainës.
Nga programi IPARD ka përfituar edhe beu i futbollit dhe pulave, Armand Duka, për tharjen e glasave të zogjve dhe pulave.

Ka përfituar Ben Qimja, i njohur si ‘profesori i krimit’ në Fier, disa analistë ekranesh që kanë bërë vila në Dhërmi, kunati i Saimir Tahirit, Piro Karanxha i Gjirofarm, ish deputeti i PS Dash Peza, oligatori i tenderave Dashnor Sinani si dhe Lenc Gjikuria, mbulesa e grupit më të madh të shkatërrimit të Dhërmiut, përfitimit të parave dhe pronave publike, ndërtimeve pa leje, shkatërrimit të mjedisit.
Brukseli njoftoi pak ditë më parë Shqipërinë për ndërprerjen e këtyre fondeve, pas një raporti të Zyrës Europiane kundër Mashtrimit, OLAF, institucion që heton dyshimet për abuzime me fondet e Bashkimit Europian.
Hetimet trevjeçare të OLAF nxitën Komisionin Evropian që të pezullonte në mesin e korrikut programin më të rëndësishëm të ndihmës për bujqësinë në Shqipëri, për shkak të dyshimeve për korrupsion.
Rreth 40 ekspertë pritet të vijnë në Shqipëri për të verifikuar destinacionin e fondeve të programit IPARD. SPAK ende nuk dihet nëse ka nisur hetimet për këtë skemë korrupsioni që ka njëllosur qeverinë.
