‘Perdet i dua me pult, oxhakun me xham’, bisedat e gruas së Ahmetajt që zbuluan vilën nr. 73 fshehur në Palasë në emrin e Elda Dinajt, Mond Bega gënjeu SPAK-un

Investigim

Publikuar: 25/07/2023

‘Perdet i dua me pult, oxhakun me xham’, bisedat e gruas së Ahmetajt që zbuluan vilën nr. 73 fshehur në Palasë në emrin e Elda Dinajt, Mond Bega gënjeu SPAK-un

Hetimi i SPAK, i ngjashëm me hetimet e FBI-së, për korrupsionin 20-vjeçar të Arben Ahmetajt, ka zbuluar përmes një tërësie faktesh dhe provash se si Arben Ahmetaj kishte kamufluar një tjetër vilë në Palasë, me anë të mikut ose klientit të tij, Mond Bega dhe shoqes së ish-gruas, Elda Dinaj.

Bëhet fjalë për vilën nr. 73, me sipërfaqe 177 m2 dhe parcelë 482 m2, e porositur në korrik të vitit 2018 nga kompania Inerte Ekspres e Mond Begos, në vlerën 381 mijë euro.

Sipas dosjes, Ahmetaj dhe Mond Bega kanë njohje si dhe kanë udhëtuar bashkë jashtë vendit, ndërsa ende nuk është e konfirmuar nëse Ahmetaj i ka dhënë ndonjë pasuri publike Begos.

Në 13 prill 2021, Mond Bega ia shtet vilën Elda Dinajt për 300 mijë euro, vilë të cilën e kishte blerë për 381 mijë euro. Kontrata ‘firmoset’ tek noteri Alket Mançka, i cili është vëllai i Albina Mançkës.

Nga hetimet ka rezultuar se Elda Dinaj nuk ka qenë fare në Shqipëri kur ka ‘firmosur’ kontratën. Pra, kemi të bëjmë me një kontratë false.

Duket e çuditshme se si ende nuk janë marrë masa ndaj noterit Alket Mançka, i cili ka firmosur shit-blerje pasurish pa qenë njëra palë prezent.

Gjatë hetimeve, Mond Bego dhe Elda Dinaj kanë gënjyer SPAK-un, duke tentuar të mbulojnë Arben Ahmetajn me deklarime të rreme para hetuesve.

Ndërkaq, nga dokumentet që SPAK ka gjetur gjatë kontrollit të vilës nr. 73 dhe nga zbërthimi i telefonit të Albinës, provohet se vila ishte Arben Ahmetajt dhe Albina Mançës, me burim para korrupsioni.

Bashkëshortja e Arben Ahmetajt, Albina Mançka, në vitin 2020, ka kontraktuar studion e Blerti Kroit për mobilimin e vilës. Kroi është asistuar nga Mira Idrizi.

Albina, Blerti dhe Mira kanë krijuar një grup në WhatsApp për t’u koordinuar për investimet shtesë dhe mobilimin e vilës nr. 73. Në këtë vilë është zhvendosur një grup pune, me arkitektë, elektriçistë etj., i cili merrte udhëzime nga Albina për çdo detaj.

Blerti Kroi dhe Mira Idrizi kur janë pyetur nga SPAK, kanë treguar se janë kontraktuar nga Albina Mançka, sa janë paguar, si janë paguar etj.

Nga zbërthimi i komunikimeve, Albina Mançka kërkon që perdet i do që të hapen dhe mbyllen me pult, ndërsa oxhakun e do prej xhami.

Albina Mançka i kërkon Mirës që materialet të jenë sa më cilësore, si dhe të ushtrojë presion mbi grupin e punës për të mbaruar sa më shpejt punimet.

Për shembull, matrialet e dushit dhe lavamanit duhet të jenë inkaso, muret dhe tavanet me gipsetj.

Sipas dosjes, në 23 korrik 2020, Albina shprehet e revoltuar tek Mira me sjelljen e elektriçistëve, pasi kishin hapur një kanal në mur, ndërsa thotë se parketi bën zhurmë kur ecën mbi të.

Mira e qetëson duke i thënë se paketi bën zhurmë pasi është i ri dhe nuk ka shkuar ende në vend, ndërsa muri do riparohet.

Albina kërkon televizor sipër oxhakut, pasqyra tek shkallët, led tek shkallët 23 metra, ndërsa jep udhëzime për tapetet, pushinën, planin e ndriçimit të jashtëm, udhëzime për çdo dhomë, spote kumdër lagështirës etj.

Në 6 gusht 2020, Albina i çon mesazh grupit të punës: Ia dolëm. Sonte do flemë tamam në shtëpi. I falenderon për durimin e treguar pasi ajo ndryshonte herë pas here mendje.

Por, me 8 gisht 2020, Albina i jep grupit të punës edhe disa detyra shtesë që vila të kompletohej.

Nga investimet e detajuara, vila kushton rreth 1 milionë euro. Pasuria, sipas dosjes, është produkt i pastrimit të parave të korrupsionit nga Arben Ahmetaj dhe Albina Mançka.