Në dosjen e SPAK për korrupsionin 20-vjeçar të Arben Ahmetajt del në pah disa herë emri Alba Caroshit si pjesë e udhëtimeve zyrtare të Tigrit, por që gjithnjë i përdorte për pazare me pasuritë dhe pronat publike, si dhe për t’u çlodhur në hotelet më luksoze të Evropës dhe SHBA-ve.
Alba Caroshi evidentohet nga hetuesit e SPAK si këshilltare dhe e besuar e Arben Ahmetajt. Ky i fundit e përfshinte shpesh në delegacionet zyrtare kur ishte ministër dhe zv/kryeministër.
Jo vetëm kaq. Alba Caroshi rezulton pjesë e rrethit të Ahmetajt, rreth të cilin Tigri e kishte emëruar dhe shtrirë në pozicione kyçe në ministritë e Ekonomisë dhe Financave, si dhe në degët e tyre, duke e përdorur për realizimin e aferave të ndryshme me përfitues gjithnjë klani i biznesmenëve, të cilët ndanin përqindjen me Ahmetajn si dhe i mbulonin pastrimin e parave të korrupsionit
Për shembull, Ahmetaj e kishte emëruar Alba Caroshin në janar 2016 anëtare e Këshillit Mbikyrës të Albpetrol, kompani të cilën Ahmetaj do t’a përdorte për realizimin e aferave korruptive me klientët e tij biznesmenë.
Se si Ahmetaj përdorte gjithnjë pushtetin për të vjedhur, po japim një shembull ilustrues. Arben Ahmetaj sapo caktohet nga Rama ministër i Ekonomisë, emëron Klodian Menen drejtor të privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë.
Klodian Mene është vëllai i Leonard Mene, kunati i Arben Ahmetajt. Vetë Leonardin, Ahmetaj e ka sistemuar drejtor të investimeve në OSHEE, drejtori të cilën e ka përdorur për afera korruptive, sipas dosjes së SPAK.
Në 6 maj 2014, Ahmetaj autorizon Klodian Menen të kujdeset për procedurën e ankandit të kompanisë shtetërore Petrol Alba sha, për shitjen e skrapit.
Likujdator të kompanisë Petrol Alba sha, Ahmetaj kishte caktuar ‘bankomatin‘ e tij, Artan Gjokajn, një nga njerëzit më të besuar, të cilin e përdorte në shumë punë të zeza, madje edhe në pastrimin e parave të korrupsionit me vilën në Valamar.
Çfarë ndodh? Mene dhe Gjokaj shpallin fituese të ankandit kompaninë Shijaku, e cila kontrollohej nga Ahmetaj, përmes klientëve të tij. Kompania Shijaku, me pronar Klodian Zoto, sipas dosjes së SPAK, ndante përqindjen me Ahmetajn dhe i mbulonte pastrimin e parave të korrupsionit.
Ky është vetëm një nga qindra episodet se si vidhte Ahmetaj pasuritë dhe paratë publike me dy grupet e tij, njërin në administratën publike që bënte letrat, tjetrin jashtë administratës që fitonte tendera, ankande, leje, koncensione etj.
Pjesë e grupit të Ahmetajt në administratë, përpos Klodian Mene, janë identifikuar Gent Gazheli, kunati Leonard Mene, ‘bankomati‘ Artan Gjokaj, Ergys Misha, Klodian Çani, Bejko Late, Endri Duçka, Geraldina Prodani, Alba Caroshi, Alda Klosi, Etleva Kondi, Alba Thoma etj.
Ndërsa karteli i biznesmenëve të lidhur me Ahmetajn janë Lad Kosta,Klod Allajbeu, Gerian Kuke, Mond Bego, Klodian Zoto, Sonila Goxhaj, Besmir Prifti, Arenc Myrtezani, Andi Boni, Helidon Begaj, Eduart Manushi etj.