‘Shpërthen’ Lefter Koka: Jam në burg për shkak të Ilir Metës dhe fallxhores së tij! Nuk i njoh pronarët e inceneratorëve, Klodian Braho fshehu 40 fashikuj hetimor

Krim & Korrupsion

Publikuar: 06/07/2023

‘Shpërthen’ Lefter Koka: Jam në burg për shkak të Ilir Metës dhe fallxhores së tij! Nuk i njoh pronarët e inceneratorëve, Klodian Braho fshehu 40 fashikuj hetimor

Ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka folur sot në Gjykatën e Posaçme, për akuzat e SPAK-ut për inceneratorët. Koka ka bërë disa deklarata të forta, të cilat kompromentohnë më tej procesin si një hakmarrje e Ilir Metës.

Lefter Koka tha se ishte në burg vetëm për shkak të Ilir Metës dhe fallxhores së tij, duke iu referuar Monika Kryemadhit.

Ish ministri tha se nuk i njeh pronarët e inceneratorëve, ndërsa shtoi se akuza ka fshehur 40 fashikuj hetimorë, në të cilët gjenden prova për pafajësinë e tij.

Koka e ka konsideruar akuzën e prokurorit Klodian Braho një mutacion të kallëzimit të LSI-së.

Pjesë nga fjala e Lefter Kokës në gjyaktë:

Një e vërtetë e thënë përgjysëm është e pavërtetë. Prokuroria u bazua tek kallëzimi LSI dhe për 2 vite nuk më mori në pyetje asnjëherë.

Unë si ministër, Sekretari përgjithshëm dhe Komisioni kemi zbatuar me përpikmëri ligjin. Bëmë punën më të mirë dhe shërbyem me devotshmëri.

Është kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, unë si kam borxh askujt t’a paguaj me lirinë time! Akuza e prokurorisë është idiote! Kam hyrë në politikë si biznesmen dhe s`më bëri politika biznesmen.

Po kthehemi 45 vite para në proçeset e stisura të sistemit komunist. Eshtë një alarm jo vetëm për mua, por për të gjithë shoqërine.

Ky proçes është i manipuluar fund e krye, besoj se e vërteta do të triumfojë.

Nuk ekziston asnjë kontakt ose njohje me pronarët e inceneratorëve, ato nuk i solla unë por erdhën si propozim nga bota e biznesit.

Prokurori devijoi hetimet dhe fraksionoi dosjen për të mos zbuluar të vërtetën. Drejtësia herët sesa vonë do të dalë.

Intriga e këtij proçesi dashakeqës do të dalë dhe uroj të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi.

Prokurori fshehu 40 fashikuj hetimor ku gjenden provat për pafajësinë time. Më janë vënë në dispozicion nga gjykata 1 javë më parë. Akuza pësoi mutacione për ti qëndruar besnike kallëzimit të LSI. Kurrë nuk i kam futur dorën në xhep dikujt”.