Babë e bir u vranë në pritë, dyshohet se Gjokë Gurra dha informacion për kanabisin në Dukagjin

Aktualitet

Publikuar: 30/06/2023

Babë e bir u vranë në pritë, dyshohet se Gjokë Gurra dha informacion për kanabisin në Dukagjin

Detaje të reja janë zbardhur rreth ngjarjes së rëndë që tronditi Shkodrën ditën e djeshme pasi babë e bir, Gjokë e Eduart Gurra u ekzekutuan në Dukagjin.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Sumë, teksa të dy po shkonin me fuoristradë për të parë shtëpinë e tyre që ishte djegur dy ditë më parë.

Ata thuhet se janë zënë në pritë, pasi janë ekzekutuar në një zonë të pyllëzuar, rreth 500 metra larg shtëpisë së tyre. Ka dyshime se në këtë ngjarje mund të ketë qenë vetëm një autor, kjo pasi gëzhojat e sekuestruara në vendin e ngjarjes janë qëlluar nga një armë e vetme e tipit kallashnikov.

Gjokë Gurra para 20 vitesh ka qenë efektiv policie dhe dyshohet se ka dhënë informacione për plantacionet e kanabisit te ish-kolegët e tij. Duke ditur se gjatë javëve të fundit ka patur disa aksione për zbulimin e plantacioneve të kanabisit në Shkodër, kjo mund të jetë bërë shkak për eliminimin e tij dhe djalit Eduart Gurra.

Por ngjarja ende nuk është zbardhur plotësisht pasi policia dje ka mbërritur me vonesë në vendngjarje.