Kultivimi i drogës në zonat e thella të Dukagjinit dyshohet se është bërë shkak për vrasjen e babë e bir, Gjokë dhe Eduart Gurra pasditen e sotme në fshatin Sumë të Njësisë Administrative Pult.
Familja jetonte lagjen “Partizani” në Shkodër, por me origjinë ishte nga fshati Sumë ku kishte dhe një shtëpi. Mbrëmjen e djeshme asaj i është vënë zjarri nga persona të paidentifikuar dhe babë e bir ishin njoftuar për këtë ngjarje.
Pasditen e sotme, ata janë nisur drejt shtëpisë së tyre për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe janë qëlluar për vdekje. Mësohet se 57 vjeçari ka shërbyer për vite me radhë si efektiv në Drejtorinë e Policisë Shkodër në ruajtjen e objekteve.
Nuk dihet nëse ai është tërhequr vetë nga organizata e Policisë së Shtetit apo ndaj tij është marrë ndonjë masë, pasi prej disa kohësh nuk ishte më pjesë e uniformave blu.
Kurse për të birin, 31 vjeçarin Eduart Gurra nuk ka ende informacione, por të dy rezultojnë pa të shkuar kriminale dhe pa rekorde në gjakmarrje. Ndaj, një nga pistat që dyshohet se është bërë shkak për vrasjen e dyfishtë është ajo e kultivimit të drogës.
Zona e Dukagjinit konsiderohet si një ndër “zonat e kuqe” të kultivimit të drogës në Shqipëri dhe ditët e fundit ishte objekt i kontrollit nga Strukturat Vendore të Policisë Shkodër. Nga ana e grupit hetimor është shpallur në kërkim një shtetas, si autor i dyshuar i vrasjes së babë e bir.
Hetimet pritet të zbulojnë me tepër për shkakun e ngjarjes, nëse Gjokë dhe Eduart Gurra janë përfshirë në veprimtarinë e paligjshme të kultivimit të drogës, apo janë ngatërruar nga personat që merren me këtë veprimtari në Njësinë e Pultit dhe janë qëlluar për vdekje.