Shqipëria shkëlqen kundër Moldavisë, 3 pikët e para europiane për kuqezinjtë

Sport

Publikuar: 17/06/2023

Shqipëria shkëlqen kundër Moldavisë, 3 pikët e para europiane për kuqezinjtë

Debutojmë me fitore në shtëpi. “Air Albania Stadium” festoi gjatë një natë që do ta mbajë mend sepse Shqipëria siguroi fitoren e parë në ndeshjen e dytë të grupit E të eleminatoreve Euro 2024.

Pjesa e dytë fantastike për të besuarit e trajnerit Sylvinho të cilët u treguan më këmbëngulës dhe konkretë. Asani me të majtën kirurgjikale dhe Bajrami çtensionuan ambjentin pas një pjese të parë nervoze ku edhe tranversa u bë pengesë që Cikalleshi të shënonte.

90 minuta konstante dhe me ritëm, skuadra kuqezi bindi në lojë dhe rezultat duke dhuruar spektakël për 21 mijë të pranishmit në stadium dhe miliona zemrat kuqezi në mbarë botën.

Moldavia nuk e rrëzikoi asnjëherë portën e Berishës dhe kjo statistikë mjafton për të kuptuar ndeshjen e luajtur në Tiranë ku Mitaj rezultoi shumë i rëndësishëm në krahun e majtë ndërsa Bajrami lider në mesfushë dhe Asani sërish poztiv në fushë.

Tifozët pritën deri në minutën e 52’ për të festuar golin që erdhi nga këmbët e Jasir Asanit, i pari për të me Kombëtaren. Goditja e tij nuk i dha mundësi portierit Railean të reagonte.