Mafia e pronave / Arbër Abazi beu i ri i tokave në Bërxullë, Sakip Domi personi kyç që mund të rrëfejë skemën, edhe Lulzim Begaj ngriti biznesin buzë rrugës

Krim & Korrupsion

Publikuar: 30/05/2023

Mafia e pronave / Arbër Abazi beu i ri i tokave në Bërxullë, Sakip Domi personi kyç që mund të rrëfejë skemën, edhe Lulzim Begaj ngriti biznesin buzë rrugës

Teksa ish pronarët kërkojnë kthimin dhe kompensimin e pronave prej 30 vitesh deri në Strasburg, pronar të pronave mes Tiranës dhe Vorës, në bregdet dhe zonat më të lakmueshme, po bëhen disa hajdutë tendersash dhe personazhe që pastrojnë para ndërtim.

Arbër Abazi, nipi i Sadri Abazit, i cili ka marrë dhjetëra milionë euro tendera klientelistë, po bëhet beu i ri i pronave në Bërxullë, një nga zonat më strategjike për biznes mes Tiranës, Vorës dhe Rinasit.

Vetëm në një rast, Abazi është bërë pronar i 10 mijë m2 tok pranë rrugës kryesore, ish komuna Bërxullë.

Tokën ia ka blerë një shtetasi nga Kukësi, Tahir Cena, i cili nuk dihet se si e ka përfituar pasi nuk është pjesë e banorëve autoktonë, të cilët kërkojnë kthimin e pronave që kanë trashëguar brez pas brezi.

 

 

 

Vlera në kontrarën e shitjes është vetëm 4 milionë lekë, transaksion që mund tê jetë edhe fiktiv. Mbi tokën që dyshohet se është pjesë e një skeme grabitje dhe korrupsioni, Arbër Abazi po ndërton kapanone për biznes.

 

Ndërtimet janë kundërshtuar me forcë nga banorët e zonës, të cilët pretendojnë se Arbër Abazi dhe rrufjanë të tjerë u kanë grabitur tokat.

Në Domje, pranë rrugës së Rinasit, ka gritur një biznes edhe Lulzim Begaj, mbi tokë që nuk dihet se si e ka përfituar. Bëhet fjalë për Kosmonte Foods, kompania produkteve ushqimore, e lakuar për abuzime me çmimet.

Në Prokurorinë e Tiranë ka 5 procedime penale për tjetërsimin e pronave në ish Komunën Bërxullë.

Një nga dosjet po hetohet nga prokurori Adriano Dyrmishi dhe oficeri i Policisë Gjëqësore, Alan Xhili.

Disa ditë më parë është marrë në pyetje ish kryetari i Komunës Bërxullë Ymer Marku.

Ky i fundit ka pohuar se kur ka drejtuar komunën nuk është marrë me pronat, duke shtuar se për tokat kishte një sektor të veçantë.

Sipas tij dokumentacioni përgatitej nga topografi, zyra juridike dhe Zyra e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në prefekturën e Tiranës.

Në pyetje është marrë edhe Mersin Murati, drejton i zyrës së Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut Tiranë.

Në pyetje është marrë Sakip Domi, topograf pranë ish-komunës së Bërxullë.

Pjesën më të madhe të praktikave të falsifikuara dhe mbivendosura janë kryer pikërisht nga ky topograf.

Sakip Domi konsiderohet nga hetuesit si personi kyç që mund të zbërthejë mafien e pronave mes Tiranës, Vorës dhe Rinasit.

Domi është i pari që rrezikon burgun. Ai mund të shpëtojë dhe lehtësojë pozitat e tij vetëm nëse flet dhe bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.

Interesat janë shumë të forta. Presioni për të sabotuar dhe mbyllur hetimet është shumë i madh.

Nuk përjashtohet mundësia që përfituesit e skemës së grabitjes së pronave në Bërxullë, që janë figura të korrupsionit, politikës dhe krimit, mund të angazhohen për eliminimin fizik të dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve, nëse Prokuroria e merr seriozisht hetimin e kësaj skeme grabitje, do të kërkojë arrestime dhe konfiskim të pronave dhe kthim në gjendjen fillestare.