Berisha akuzon Bashën për disfatën, Meta në gjendje të rëndë emocionale, tani rrezikohet nga SPAK, zhduket Monika

Krim & Korrupsion

Publikuar: 14/05/2023

Berisha akuzon Bashën për disfatën, Meta në gjendje të rëndë emocionale, tani rrezikohet nga SPAK, zhduket Monika

Koalicioni i Sali Berishës dhe Ilir Metës ka pësuar një humbje dramatike në Kamëz, Vorë dhe Elbasan. Më e dhimbshme ishte humbja në Kamëz, ku Rakip Suli fitoi me mbi 60 % të votave.

Kamza, një bastion i PD-së, konsiderohej një fitore e sigurtë nga Berisha-Meta. Humbja në Kamëz, bashkia e tretë më e madhe në vend, është një sinjal edhe për një humbje të mundshme në Shkodër, kështjella e fundit e PD-së.

Sali Berisha ka nisur justifikimin e humbjes në televizionin e familjes së tij. Në Syri Tv po akuzohet Lulzim Basha se ka sabotuar votimin elektronik, me anë të Endri Hasës, duke nxjerrë fitues kandidatët e PS-së.

Madje për këtë manipulim të pretenduar nga Basha, paralajmërohet edhe kallëzim në SPAK.

Megjithatë, kjo alibi duket se nuk do të ngjisë tek demokratët e dëshpëruar, të cilët humbasin prej 10 vitesh.

Nga ana tjetër, mësohet se Ilir Meta po e përjeton dramatikisht humbjen. Elbasani ishte pjesë e trekëndëshit që Meta kishte premtuar fitore historike dhe nisjen e transparencës absolute.

Një burim i rezervuar tha se Meta është në një gjendje të rënduar emocionale, teksa sheh fundin e karrierës së tij politike.

Me këtë disfatë në tre bashkitë e para, sinjal për rezultatin edhe në bashkitë e tjera, Meta jo vetëm humbet rëndësinë si faktor politik dhe aleat i Berishës, por rrezikon të prangoset nga SPAK për një nga 5 dosjet për pastrim parash dhe korrupsion.

Një triumf në këto zgjedhje ishte edhe shpresa e fundit e Ilir Metës për t’i bërë presion SPAK-ut dhe për të shpëtuar nga ndëshkimi penal.

Ndërkaq, Monika Kryemadhi, e cila është gjithashtu nën hetim për pastrim parash, është zhdukur.

Kryemadhi ka ndërprerë komunikimin me njerëzit e besuar të partisë. Nuk përjashtohet as mundësia që Kryemadhi të jetë larguar jashtë vendit.