Meta: Beleri e hëngri pasi nuk ndoqi kursin e LSI-së për blerje votash, Dule është fshehur tek vila në Janinë

Prapaskena

Publikuar: 13/05/2023

Meta: Beleri e hëngri pasi nuk ndoqi kursin e LSI-së për blerje votash, Dule është fshehur tek vila në Janinë

(Bisedë e supozuar)

-Berisha: Ilir, si është puna me këtë Belerin, si e kapën?

-Meta: Ia bëri vetes doktor. E pata ftuar në kurset e përshpejtuara që kemi hapur ne si parti për blerjen e votës dhe sesi merren lekët, por nuk erdhi.

-Berisha: Si dreqin donte të blinte vota? Ne jemi koalicioni antikorrupsion dhe i votës së lirë.

-Meta: Nuk i kishte parë gishtat e Belos ai doktor.

-Berisha: Kam frikë se ka dorë Rama. Ai e kërcënoi para ca ditësh.

-Meta: Ka hasmëri të vjetër Himara me Vunoin se himariotët janë me Greqinë kurse Vunoi me Shqipërinë. Duhet ta mbrojmë doktor.

-Berisha: Dakord, por nuk ka dy javë që kemi kapur tezën e sovranistëve dhe nacionalistëve.

-Meta: Sa kauza kemi kapur ne doktor, kush i mban mend. Pastaj ne jemi të majtë dhe është kauza e internacionalizmit.

-Meta: Po jo o doktor se nuk është grek ai. Bejleri e ka pasur mbiemrin dhe e ka bërë Beleri. Besoj se me një dy sufllaqe dopio pitë dhe patate të skuqura, i dalin për çdo vakt.

-Berisha: Dakord, por puna është që mos dali më i shëndoshë nga ç’hyri, se del si punë reklame për burgjet e regjimit të Ramës. Ta vëmë pak në dietë.

-Meta: Ashtu mendoj edhe unë. Për avokat si do ia bëjmë doktor?

-Berisha: Le të merret Dulja me atë punë.

-Meta: Puna është që Dules i ka hyrë frika dhe nuk del nga shtëpia që ka në Janinë.

-Berisha: Mirë e ka, se mund ta rrëmbejnë.

-Meta: Ishalla merret Dendias. Kushte çuar ambasadoren në Vlorë që të interesohej si ishte Fredi.

-Berisha: Hë, e kishin keqtrajtuar?

-Meta: Jo. Policët i kishin thënë që hante dhe dhiste, kusurin gjumë.

-Berisha: Po ky tjetri që të kishin zënë në Kuçovë që blinte vota, si është puna?

-Meta: Ça të thuash doktor, edhe janë plakur dhe iu ka rënë nuhatja të dallojnë policët.

-Berisha: E marr me mend. Edhe mua kanë filluar më duken të gjithë si Erion Veliaj. Pashë një foto timen me Lilin dhe i thashë pse ke dalë këtu me Erjon Velinë, por ajo më tha që ishte fotoja jonë e martesës.

Mbetemi në kontakt flori. /dritare.net