“Paratë u dhanë në një WC”/ Prokuroria del me deklaratë për arrestimin e Belerit: 400 mijë lekë për 8 vota

Kryesore

Publikuar: 12/05/2023

“Paratë u dhanë në një WC”/ Prokuroria del me deklaratë për arrestimin e Belerit: 400 mijë lekë për 8 vota

Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, në deklaratë për shtyp nga Drejtoria e Policisë Vlorë, ka folur në lidhje me arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, i cili akuzohet për shitblerje votash.

Bashkë me Fredi Belerin është arrestuar dhe shoqëruesi i tij, Pano Kokoveshi, të cilët akuzohen për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.

Prokurori Aurel Zarka nuk dha shumë detaje por burime bëjnë me dije Beleri është vënë në pranga pas një bashkëpunëtorit të drejtësisë që ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me autoritetet.

Burime bëjnë me dije se nga një përgjim, i dyshuari i thotë bashkëpunëtorit të drejtësisë se do t’i jepte 400 mijë lekë për tetë votuesit dhe 300 atij vetë. Për ta bindur i është treguar dhe lista e zgjedhësve që bashkëpunëtori i drejtësisë tha se i kishte gati.

Sipas dosjes së hetimit rezulton që paratë për tetë vota iu dhanë bashkëpunëtorit të drejtësisë nga shoqëruesi i Belerit në një WC dhe se ky moment është vetëm me audio dhe jo i filmuar dhe me kamera

Deklarata e plotë

Më datë 08.05.2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë ka regjistruar procedimin penal nr. 489, mbi bazën e referimit të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Nga aktet e administruara deri më tani në funksion të hetimit për këtë procedim penal, nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, informacione në lidhje me disa shtetas të dyshuar të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të shit-blerjes së votës, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, në qytetin e Himarës dhe në fshatrat që janë pjesë e bashkisë Himarë, duke iu ofruar qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurues.

Pas regjistrimit të procedimit penal, nga ana e prokurorit është autorizuar kryerja e një sërë veprimesh procedurale në terren, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, me qëllim konstatimin e faktit penal për të cilin është regjistruar ky procedim penal.

Pas kryerjes së një sërë veprimesh nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, bazuar në faktet e mbledhura gjatë hetimit dhe në provat e siguruara në dinamikë, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Matrix”, është bërë në arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Dh. B. alias A. B., 51 vjeç, dhe P. K., 44 vjeç, për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328, 25 i Kodit Penal.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shumë monetare prej 40 000 lekësh të rinj.

Hetimet vazhdojnë.