Policia ka arrestuar në mesnatë Fredi Beleri, kandidati i çiftit Berisha-Meta për Bashkinë e Himarës.
Beleri, i dënuar dy herë, i dyshuar për masakrarën e Peshkëpisë dhe që si program të tij ka helenizimin e Himarës, është arrestuar për blerje votash.
Beleri është dërguar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës, ndoshta për të shmangur ndonjë irritim.
Para komisariatit janë mbledhur një grup mbështetësish si dhe Vangjel Dule, kreu i PBDNJ, shok për kokë i Arben Ahmetajt.
Sipas Dules shoqërimi i sotëm i Belerit ështê orkestruar enkas nga kryeministri Rama. Dule paralajmëroi se do të ankohet në Athinë.
“Pas një jave delirumi, gjuhë urrejtje, përçarjeje, stigmatizimi të Kryeministrit Rama kundër kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’ në Himarë, me urdhër të tij forca policore rrëmbyen në qendër të qytetit z. Beleri dhe avokatin e tij. Ata sapo kishin dalë nga një darkë. Akt i paprecedentë dhe i pashpjegueshëm nga çdo optikë demokratike, një fenomen që ka lidhje me regjimet totalitare. Të lirohet menjëherë z. Beleri, të garantohet vota dhe Rama të heqë dorë një herë e mirë nga përpjekja për të tjetërsuar vullnetin e sovranit”, tha Dule për mediat.
Mbetet për t’u parë nëse Berisha dhd Meta do ta mbrojnë Fredi Belerin, me emër grek Dhionisios, që e kanë propozuar për drejtimin e Himarës.