U rrëmbye nga uji në kanionet e Osumit, gjendet pas dy ditësh trupi i pajetë i holandezit

Aktualitet

Publikuar: 11/05/2023

U rrëmbye nga uji në kanionet e Osumit, gjendet pas dy ditësh trupi i pajetë i holandezit

Është gjetur trupi i pajetë i turistit holandez, Jules Schurmmans, i cili dy ditë më parë u zhduk teksa po eksploronte kanionet e Osumit.

Jules Schurmmans dhe bashkëshortja e tij, Helma Schurmman 64 vjeçe ishin futur dy ditë më parë në kanionet e Osumit për të notuar.

Por duket se prurjet e ujit u shtuan dhe morën përpara 68-vjeçarin, ndërsa arriti të shpëtojë gruaja, e cila doli nga lumi dhe u trajtua me ndihmë mjekësore më pas në spitalin e Çorovodës. Ajo tha se bashkëshortin e saj e kishte marrë rrjedha e lumit dhe se nuk kishte mundur që ta shpëtonte.

Menjëherë shërbimet zjarrfikëse shkuan në vendin e ngjarjes së bashku me plumbarët e Repartit Special “Renea” të cilët punuan pa u ndalur për gjetjen e holandezit.

Ndërkohë, presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting Zamo Spathara shpreh shqetësimin e tij për ngjarjen dhe bën thirrje që të gjithë personat, vendas apo të huaj, të cilët bëjnë aktivitete sportive dhe aventure si rafting, kayaking dhe eksplorim kanionesh, t’i referohen guidave profesioniste të licencuara dhe të trajnuara nga Federata Shqiptare e Rafting për t’u pajisur me të gjitha informacionet dhe pajisjet e nevojshme për të hyrë në kanion në siguri të plotë.